Shatri: Kosova duhet të fokusohet në zhvillimin e kapitalit
Foto: Laura Hasani

Shatri: Kosova duhet të fokusohet në zhvillimin e kapitalit

Ekonomia February 25, 2020 - 15:52

Haki Shatri, ish-ministër i Financave, njëherësh edhe ish-këshilltar për çështje ekonomike i ish-kryeministrit Ramush Haradinajt, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë që projekti për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit duhet të vazhdojë. Duke folur mbi shkëputjen e disa vendimeve të marra nga qeveritë paraprake, Shatri ka theksuar se asnjë projekt nuk duhet të ndalet pa u bërë analiza të thella, duke përfshirë kështu edhe projektin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Sipas tij, Qeveria e re në krye me Albin Kurti duhet të fokusohet në luftimin e disa faktorëve, që janë duke ndikuar në moszhvillimin ekonomik të Kosovës e që sipas tij janë duke ndikuar edhe në ikjen e investuesve të huaj nga Kosova. Për sa i përket synimit të ekzekutivit për rritjen e buxhetit në 3 miliardë euro, njohësi i çështjeve ekonomike theksoi se ende nuk është e qartë se për cilën pjesë të buxhetit bëhet fjalë. Sipas tij, nëse ky synim ka të bëjë me të hyrat buxhetore Qeveria do ta korrë këtë sukses qysh në vitin e parë të qeverisjes.

Zëri: Sipas jush, cili duhet të jetë prioriteti mbi prioritetet në kontestin e zhvillimit ekonomik të Kosovës?

Shatri: Puna e parë, mendoj se pjesën e buxhetit, i cili shkon për investime kapitale, ta shpenzojmë me kujdes, me rigorozitet dhe performanca e këtyre shpenzimeve të jetë në nivelin që është i barabartë, pra një euro e shpenzuar me një euro vlerë e krijuar në natyrë. Pra mjetet që jepen për investime nga buxheti të mos humbin ose të mos shkapërderdhen për shkak të ndikimeve të ndryshme korruptive, por të japin efektin e plotë. Nuk janë pak 700 milionë euro në vit për investime në një vend siç është Kosova me 1 milion e 700 mijë banorë dhe me një sipërfaqe relativisht të përqendruar. Nevoja tjetër është që ne të sigurojmë kushte për të tërhequr investitorë. Kosova e ka faktorin njeri si faktor të zhvillimit, një strukturë shumë të përshtatshme, përgjithësisht të rinjtë, me një afinitet për punë dhe shkollim, po ashtu edhe për teknologji informative dhe për profesione të reja. I adaptojnë lehtë, u përshtaten lehtë kushteve të tregut dhe janë të gatshëm dhe shumë të angazhuar për të arritur diçka. Pasuri natyrore nëntokësore dhe mbitokësore kemi mjaft, pozitën gjeografike e kemi relativisht të mirë. Pra e vetmja gjë që na mungon është kapitali, për arsye se Kosova e ka një bazë të ulët të zhvillimit ekonomik, e cila nuk lejon të ketë një aftësi akumuluese më të madhe, pra të ndahen mjete që të zhvillohet më shumë, sepse gjithë atë që e prodhojmë e shpenzojmë. Prodhimi është i vogël, ndërsa nevojat e popullsisë janë të nivelit që praktikisht nëse shikohen analizat dhe statistikat prodhimi është diku afër 7 miliardë, ndërsa konsumi pak më shumë. Ne nuk kemi mundësi të ndajmë nga prodhimi ynë një pjesë tepricë për ta investuar në të ardhmen. Kjo nënkupton se duhet të punojmë që të sigurojmë të hyra shumë nga investimet e jashtme ose nga donacionet, në mënyrë që ta zbusim këtë problem dhe të krijojmë kushte për një dinamikë të zhvillimit çfarë na duhet neve./ZERI

Lexo edhe Shatri: Për teka të ekzekutivit të mos ndërpriten projektet e qeverive të kaluara
Aktuale February 25, 2020