Shatri: Shumë probleme esenciale ekonomike të pazgjidhura
Foto: Laura Hasani

Shatri: Shumë probleme esenciale ekonomike të pazgjidhura

Ekonomia February 25, 2020 - 14:22
Vendimi për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit dhe ai për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” janë ndër projektet më të përfolura në vend për sa i përket kostos së lartë të shpenzimit dhe kahjes që u është dhënë këtyre dy projekteve. Të njëjtat vazhdimisht janë kritikuar edhe nga opozitarët, që tanimë janë në ekzekutiv, teksa sipas njohësit të çështjeve ekonomike Haki Shatrit ato duhet të vazhdojnë së realizuari përderisa nuk ekzistojnë shkelje procedurale

Haki Shatri, ish-ministër i Financave, njëherësh edhe ish-këshilltar për çështje ekonomike i ish-kryeministrit Ramush Haradinajt, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë që projekti për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit duhet të vazhdojë. Duke folur mbi shkëputjen e disa vendimeve të marra nga qeveritë paraprake, Shatri ka theksuar se asnjë projekt nuk duhet të ndalet pa u bërë analiza të thella, duke përfshirë kështu edhe projektin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Sipas tij, Qeveria e re në krye me Albin Kurti duhet të fokusohet në luftimin e disa faktorëve, që janë duke ndikuar në moszhvillimin ekonomik të Kosovës e që sipas tij janë duke ndikuar edhe në ikjen e investuesve të huaj nga Kosova. Për sa i përket synimit të ekzekutivit për rritjen e buxhetit në 3 miliardë euro, njohësi i çështjeve ekonomike theksoi se ende nuk është e qartë se për cilën pjesë të buxhetit bëhet fjalë. Sipas tij, nëse ky synim ka të bëjë me të hyrat buxhetore Qeveria do ta korrë këtë sukses qysh në vitin e parë të qeverisjes.

Zëri: Sa janë mundësitë reale të rritjes ekonomike në Kosovë në raport me premtimet e qeverisë “Kurti”?

Shatri: T’jua them të drejtën, kam parë disa premtime, që kanë qenë më shumë një prezantim me rastin e votimit të qeverisë, por program ende nuk kam parë e as shifra konkrete, në bazë të të cilave mund të deklarohem nëse janë të realizueshme ose jo. Janë disa premtime që janë pak më të përgjithësuara. Janë orientime, por programin ende nuk e kemi parë. Unë si qytetar i Kosovës do të isha shumë i lumtur në qoftë se këto synime të Qeverisë aktuale do të realizohen gjatë këtij mandati. Por si njohës i rrethanave ekonomike mund të them se Kosova është një vend që ka dalë nga lufta dhe në këto 20 vjet, pavarësisht rezultateve që i ka arritur në shumë fusha, ka ende shumë probleme esenciale të pazgjidhura e ku ndër to janë edhe shkalla e lartë e papunësisë, varfëria evidente dhe probleme tjera të infrastrukturës, të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, të marrëdhënieve tregtare me jashtë, eksporti i vogël, importi i madh dhe probleme të shumta, me të cilat ballafaqohemi në jetën e përditshme./ZERI

Lexo edhe Shatri: Për teka të ekzekutivit të mos ndërpriten projektet e qeverive të kaluara
Aktuale February 25, 2020