Premtimet për investime të huaja, mashtrim i qytetarëve

Premtimet për investime të huaja, mashtrim i qytetarëve

Ekonomia February 19, 2020 - 09:25
Image

Sikur të përmbusheshin premtimet e kryetarëve, Agim Bahtiri (Mitrovicë), Bekim Jashari (Skenderaj) dhe Xhafer Tahiri (Vushtrri), investimet e huaja në këto tri komuna do të arrinin në të paktën 152 milionë euro, si dhe do të punësoheshin mbi 4.500 punëtorë. Dy vjet pas premtimet mbetën vetëm në letër, ndërsa qytetarët e zhgënjyer mendojnë se premtimet ishin mashtrim, shkruan sot gazeta Zëri.

Mitrovica dhe dy komunat e rajonit, Skenderaj dhe Vushtrria, nuk kanë arritur ta realizojnë asnjë investim të huaj, ndonëse premtimet e kryetarëve gjatë fushatës zgjedhore dhe posaçërisht pas marrjes së pushtetit ishin të mëdha. Kryetarët, Agim Bahtiri (Mitrovicë), Bekim Jashari (Skenderaj) dhe Xhafer Tahiri (Vushtrri), madje edhe paraardhësit e tyre, do të mundë të mbaheshin në mend gjatë sikur premtimet për ndërtimin e disa fabrikave nga investitorë të huaj të realizoheshin. Nëse gjithçka do të shkonte sipas fjalëve që kishin dhënë në këto tri komuna do të kishte të paktën 152 milionë euro investime të huaja, si dhe do të punësoheshin 4.500 punëtorë.

Dështimi i Bahtirit: Fabrika për riciklimin e mbeturinave – 100 milionë dollarë investime

Për dallim nga Xhafer Tahiri i Vushtrrisë, i cili ka arritur ta realizojë një projekt 100-milionësh me kompaninë franceze “Akou Energy” për prodhimin e 100 MW/h energji elektrike nga era me vendosjen e 17 turbinave në Qyqavicë, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri dhe ai i Skenderajt Bekim Jashari nuk kanë arritur ta thithin asnjë investim të huaj në dy vjetët e fundit. Premtimet e tyre ishin tejet të mëdha, ndonëse edhe vetë nuk besonin se do të mundë të realizoheshin. Siç duket dhe siç tregojnë rezultatet, gjithçka që ata kishin premtuar e kishin bërë për spektakël medial, ndërkaq vetë qytetarët e zhgënjyer nuk hezitojnë të thonë se premtimet e tyre janë bërë për vota. E sikur premtimet e tyre të realizoheshin, atëherë në Mitrovicë, në Skenderajt e në Vushtrri do të investoheshin të paktën, siç thoshin ata, 152 milionë euro dhe do të punësoheshin mbi 4.500 punëtorë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, premtimin e tij më të madh, krahas ndërtimit të fabrikës së kërpudhave në Gushavc, e kishte dhënë për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e 12 megavateve energji elektrike. Bahtiri kishte gjetur një kompani suedezo-amerikane “Green 3Power”, me të cilën kishte lidhur kontratë, sipas së cilës Komuna i kishte ndarë 10 hektarë tokë në shfrytëzim për 99 vjet në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër. Kjo kompani do të investonte, sipas Bahtirit, 100 milionë dollarë, ndonëse fillimisht ishte thënë 43 milionë euro. Në këtë fabrikë do të punësoheshin 600 punëtorë, si dhe do të përfshiheshin edhe 220 punëtorët e kompanisë për menaxhimin e mbeturinave “Uniteti”. Kompania “Green 3Power” ishte pajisur edhe me pëlqim mjedisor nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, por punën nuk e kishte filluar kurrë. Në këtë mënyrë premtimi i kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, i dhënë më 15 prill 2014, kur ishte nënshkruar kontrata, se “në vitin 2016 Mitrovica do të ketë rrymë të mjaftueshme dhe se nuk do të ketë nevojë për import”, ra në ujë.

Dështimi i Bekim Jasharit: “Penda e Kuçicës”, fabrika e duhanit – 37 milionë euro investime

E ndërkaq premtimet më të mëdha i ka dhënë kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, që në ditët e parë të mandatit të tij. Ai pati premtuar ndërtimin e Pendës në Kuçicë, si dhe ndërtimin e fabrikës së duhanit në Kryshevc, ndërsa qeveria e Sami Lushtakut pati premtuar ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Dashevc. Ndonëse pothuajse gjithë mandatin e fundit Lushtaku e kishte kaluar në paraburgim, projekti i fabrikës së sheqerit në Dashevc dukej si i kryer, pasi që kumbara i kontratës së nënshkruar në mes të Komunës së Skenderajt (nënkryetari Fadil Nura) dhe përfaqësuesit të kompanisë britanike “DarkStar” ishte pikërisht ish-ambasadori britanik në Prishtinë, Ruari O’Conel.

Me ta marrë pushtetin në janar të vitit 2018 Bekim Jashari kishte premtuar ndërtimin e Pendës në Kuçicë, nga e cila do të sigurohet ujë i pijshëm dhe për ujitje jo vetëm të komunës së Skenderajt, por edhe të Drenasit dhe të disa fshatrave të Istogut. Gjithashtu pjesë e këtij projektit, siç kishte shpjeguar Jashari, ishin edhe qendrat rekreativo-sportive, si dhe një hidrocentral, që do të prodhojë 4 megavate energji elektrike. “Është një projekt që ka një kosto prej rreth 30 milionë eurosh, ashtu siç më ka dalë mua, ndonëse këta që e kanë kryer studimin e fizibilitetit kanë shkuar në vlerësim deri në 60 milionë euro. Projekti ka hyrë tashmë në mesin e projekteve që Qeveria e Kosovës synon t’i realizojë, ndërsa presim me shumë shpresë se do të ketë edhe donatorë të tjerë, që do të mundë të investojmë në këtë projekt madhor dhe shumë të rëndësishëm për qytetarët e komunës sonë”, pati thënë Jashari.

“Penda e Kuçicës” do të ndërtohej në vendin e quajtur “Kërshi i Dubeçakut” dhe shtrihet në komunën e Skenderajt dhe të Zubin Potokut, ndërsa parashihej që gjerësia e pendës (liqenit) të jetë 200 metra, gjatësia 5 kilometra dhe thellësia 3 metra. Në liqenin që do të krijohej në Kuçicë do të mblidheshin 25 milionë metra kub ujë, ndërsa mbushja e tij do të zgjaste të paktën 3 deri në 4 vjet. Përveç fjalëve, projekti jo që nuk ka filluar të realizohet, por as nuk është biseduar më, ndonëse Bekim Jashari kishte thënë se për “Pendën e Kuçicës” janë të interesuar edhe amerikanët.

Një premtim tjetër i madh i Bekim Jasharit, që ka mbetur vetëm premtim, është ai i ndërtimit të fabrikës së duhanit në Kryshevc. Jashari kishte zhvilluar një takim me dy biznesmenë danezë, Bjerne Christensen dhe Klaus Jakobsen, si dhe me një shqiptar, Naim Kadishani, të cilët e kishin siguruar Jasharin se do të investojnë 7 milionë euro për ndërtimin e fabrikës së duhanit, por që Komuna e Skenderajt duhet ta sigurojë tokën për ndërtimin e fabrikës.

Kryetari Jashari i kishte dërguar ata në Kryshefc, ku ndodhen 3.5 hektarë tokë komunale, e cila do t’u jepet atyre në shfrytëzim. Vetë Jashari kishte thënë se projekti ka koston prej 7 milionë eurosh dhe se në fabrikë do të punësohen prej 2500 deri 3000 punëtorë. Jashari kishte thënë t’ua ndajë 3.5 hektarë tokë komunale në Kryshevc, të cilat janë pronë e Komunës, për ndërtimin e fabrikës. Siç kishte thënë i pari i Skenderajt, fabrika do të ketë edhe tokë për kultivimin e duhanit për nevojat e fabrikës, ndërsa i kishte siguruar investitorët danezë se do të kenë siguri të plotë dhe mbështetje në investim për realizimin e këtij projekti milionësh. “Është interes i qytetarëve të Skenderajt ndërtimi i fabrikës, me çka do të punësohej një numër i konsiderueshëm i punëtorëve. Ne ofrojmë mbështetje të plotë dhe siguri të investimit”, ka thënë Jashari.

E biznesmenët danezë nuk kishin dhënë fjalë të mëdha, ata ishin ndarë të kënaqur me kushtet që kishte ofruar Komuna e Skenderajt, sidomos për tokën që do t’u jepet në shfrytëzim nëse ata vendosin ta realizojnë projektin. Por sikurse edhe në rastet tjera, investitorët danezë nuk ishin dukur më në Skenderaj.

Dështimi i qeverisë “Lushtaku”: Fabrika e sheqerit, parku teknologjik – 27 milionë euro investime

Projekti tjetër me investitorë të huaj i dështuar është ai për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Dashevc të Skenderaj, që vlerësohej si njëra prej investimeve më të mëdha të huaja në Kosovë. Kjo fabrikë ishte planifikuar të ndërtohej për 8 muaj, ndërsa në aktin e nënshkrimit të marrëveshjes në mes të kompanisë britanike “Darkstar” dhe Komunës së Skenderajt merrte pjesë edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Conel. Sikur të realizohej marrëveshja e nënshkruar, atëherë hairin do t’ia shihnin mbi 400 të rinj të rajonit të Drenicës, të cilët aty do të gjenin punë, por edhe mbi 4500 kultivues të panxharsheqerit, jo vetëm të komunës së Skenderajt, por edhe të rajoneve të tjera, të cilëve kompania do t’ua merrte prodhimet. Me kontratë britanikët do të investonin 27 milionë euro për ndërtimin e fabrikës në Dashevc, ku Komuna e Skenderajt ua kishte dhënë në shfrytëzim 11 hektarë tokë. “Nënshkruam një marrëveshje shumë të rëndësishme për komunën dhe për qytetarët e Skenderajt për ndërtimin e një fabrike për përpunimin e panxharit të sheqerit me një vlerë fillestare prej 27 milionë eurove dhe e cila do të krijojë 400 vende të reja direkte të punës, si dhe në mënyrë indirekte do të punësohen edhe deri në 4500 veta, bujq të kësaj ane. Komuna e Skenderajt në vazhdimësi ka punuar për angazhimin e investimeve të huaja, kemi ofruar të gjitha mundësitë dhe Komuna si partnere ka ofruar pronën e vet prej rreth 11 hektarësh. Ky investim do të jetë model i një angazhimi të përbashkët për investime të huaja edhe për komunat tjera”, pati thënë atëherë nënkryetari i Skenderajt Fadil Nura, ndërkaq shumë të kënaqur ishin treguar edhe përfaqësuesit e kompanisë. “Ne po shpresojmë që shumë shpejt të fillojmë ndërtimin e fabrikës. Ndërtimi do të fillojë në momentin që të përgatitet dokumentacioni nga ana e Komunës së Skenderajt. Panxharsheqeri do të kultivohet në sipërfaqe prej 40 mijë hektarësh të tokave të komunës së rajonit të Drenicës, por edhe të Kosovës”, thoshin ata. I lumtur dukej edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Conell. “Gëzohem që jam këtu sot, është ditë e mirë për Kosovën, është ditë e mirë për Britaninë e Madhe. Gëzohem gjithashtu që kanë ardhur investitorë britanikë dhe që kanë vendosur të investojnë në Kosovë. Jam i bindur se duke pasur investitorë Kosova do ta ketë një të ardhme më të ndritshme. Në jemi të gatshëm për t’i përkrahur, për t’i mbrojtur dhe për t’i inkurajuar investitorët nga të gjitha vendet e botës, në këtë rast të Britanisë së Madhe. Kemi kërkuar përkrahje prej Komunës së Skenderajt e prej Qeverisë dhe kemi gjetur përkrahjen, edhe kemi bërë një punë të mirë. Shpresoj se do të vazhdojmë me angazhimet për të përkrahur investimet këtu”, ishte shprehur ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Conell.

Edhe premtimet e ambasadorit britanik në Prishtinë Ruari O’Conell, të përfaqësuesve të kompanisë “DarkStar” dhe të përfaqësuesve të Komunës së Skenderajt gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në qershorin e vitit 2015 nuk u realizuan kurrë. E përpara se të dështojë realizimi i fabrikës së sheqerit pati dështuar edhe projekti i parkut teknologjik, ndonëse Komuna kishte nënshkruar kontratë me “Tehnopolis”-in slloven

Dështimi i Xhafer Tahirit: Miniera e magnezitit në Dubovc – 5 milionë euro investime

Në anën tjetër, në Dubovc të Vushtrrisë, sipas premtimeve të udhëheqësve komunalë, tani do të duhej të vihej në funksion miniera e magnezitit.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kishte takuar investitorët e kompanisë polake “Bisek” dhe me banorët e Galicës e të Dubovcit kishte biseduar lidhur me rifunksinalizimin e minierës, me ç’rast brenda 7 vjetësh kompania “Bisek” do të investonte 5 milionë euro, ndërsa nga ky investim do të krijohen 150 vende pune, kryesisht për banorët lokalë. “Vlera e investimit është 5 milionë euro brenda 7 vjetëve të para. Nga ky investim pritet të krijohen mbi 100 vende te reja të punës. Qeveria ka aprovuar shpronësimin e pronave të banorëve”, kishte thënë Tahiri, i cili kishte siguruar se Komuna e Vushtrrisë është e përkushtuar për të krijuar ambient të sigurt për investime të huaja. Përfaqësuesit e kompanisë polake “Bisek” interesimin për riaktivizimin e minierës në Dubovc të Vushtrrisë e kishin shprehur për herë të parë në dhjetorin e vitit 2016, derisa kryetari i Komunës së Vushtrrisë ishte Bajram Mulaku. Përfaqësuesit e kësaj kompanie kishin thënë se paraprakisht është bërë një hulumtim në atë pjesë dhe se është konstatuar se ka rezerva të mëdha të kësaj xeheje, që janë të koncentruar kryesisht në Galicë dhe në Dubovc.

Zëvendësi i drejtorit të përgjithshëm i kompanisë së njohur “Bisek” nga Polonia, Zbigniew Rynski, i pati thënë “Zërit” derisa ndodhej në Vushtrri për të biseduar për arritjen e marrëveshjes me autoritetet komunale dhe me banorët se interesimi i kësaj kompanie është që ta rifunksionalizojnë minierën e magnezitit në Duboc. Siç kishte thënë ai, kompania, pas hulumtimeve që kishte bërë, ka konstatuar se xehja e magnezitit është shumë e koncentruar në fshatrat Dubovc dhe Galicë dhe se është në interes të banorëve të Vushtrrisë, por edhe të gjithë Kosovës që miniera të rifillojë me prodhimin kësaj xeheje. “Ne jemi të interesuar që këto resurse të pasura, që shtrihen në mbi 50 hektarë, t’i shfrytëzojmë, ku do të përfitojnë materialisht pronarët e tokave, por edhe përmes punësimit”, pati thënë Rynski, duke shtuar se nëse arrihet ujdia me pronarët për shpronësimin e tokave të tyre fillimisht do të punësohen rreth 150 punëtorë, kryesisht familjarë të pronarëve të tokave që do të shpronësohen. Por as ky premtim i investitorëve polakë dhe i kryetarit të Vushtrrisë nuk është realizuar deri më tani. /ZERI