Infektuar: 9869
Shëruar: 5480
Vdekur: 303
Ministrat e Haradinajt do të marrin paga edhe për një vit

Ministrat e Haradinajt do të marrin paga edhe për një vit

Ekonomia February 12, 2020 - 17:46

Ndonëse ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shkroi sot pas mbledhjes së Qeverisë se u shfuqizuan “dy vendime të padrejta”, njëri akoma është në fuqi. Ish-ministrat e ish-zëvendësministrat do të vazhdojnë të kenë përfitime edhe pas përfundimit të mandatit.

Ministrat paguhen edhe për një vit, ndërsa zëvendësministrat vazhdojnë të paguhen edhe për gjashtë muaj pas mandatit, sipas një vendim të vitit 2015, i cili është akoma në fuqi.

Kryeministri Kurti sot shfuqizoi vendimin për rritjen e pagave, të cilën e kishte marrë ish-kryeministri Ramush Haradinaj në dhjetor të vitit 2017. Përveç këtij vendimi, Albulena Haxhiu tha se u shfuqizua edhe vendimi për pagat që qeveritë përfitojnë pas mandatit.

“Vendimi i dytë që u shfuqizua, ishte ai për pagat që përfitonin kabinetet e ish Qeverive, pas mandatit”, ka shkruar ministrja e Drejtësisë.

Sekretari i Qeverisë, Fitim Krasniqi, ka sqaruar se nuk është shfuqizuar vendimi për pagat pas mandatit, por vetëm është ndryshuar një pikë e vendimit.

Sipas Krasniqit, ish-ministrat dhe ish-zëvendësministrat nuk do të marrin pagat siç i kanë marrë në mandatin e tyre, me rritjen që u ka bërë Haradinaj, por do të paguhen sipas vendimit të Kurtit prej sot e tuje.

“Nuk është shfuqizuar vendimi i vitit 2015. Është ndryshuar një pikë, aty ku thuhet ‘paga e fundit’ është bërë ‘paga aktuale’”, ka treguar sekretari i Qeverisë. 

“Për ish-ministrat dhe ish-zëvendësministrat, nëse bëjnë kërkesë për të marrë pagën pas mbarimit të mandatit 70 për qind, llogaritet me pagën aktuale të këtij muaji, e jo të pagës së fundit me rritje që ka qenë para se të shfuqizohet vendimi që u miratua sot”, ka thënë ai.

Vendimi për përfitimin pas mandatit thotë se ministrat marrin 70 për qind të pagës një vit pasi ta përfundojnë mandatin, ndërsa zv.ministrat paguhen për gjashtë muaj të tjerë me 70 për qindëshin e pagës së tyre.

Qeveria Haradinaj ka pasur 21 ministra dhe mbi 80 zëvendësministra, të cilët do të mund të paguhen, nëse nuk bartin ndonjë pozitë tjetër ku paguhen nga institucionet e Kosovës.