“Termokosi” zgjeron rrjetin e ngrohjes në 50% të lagjeve në Prishtinë

“Termokosi” zgjeron rrjetin e ngrohjes në 50% të lagjeve në Prishtinë

Ekonomia January 24, 2020 - 09:52
Ndërmarrja publike “Termokos” ka publikuar dje rezultatet e projekteve që janë realizuar gjatë vitit 2019 dhe ka bërë të ditura projektet, të cilat do të realizohen gjatë këtij viti. Kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje tha se “Termokosi” ka mbyllur vitin 2019 me rritje të prodhimit të energjisë termike. Më tutje u tha se gjatë këtij viti do të ketë zgjerim të rrjetit të ngrohjes në 50% të lagjeve në Prishtinë, nga 28% sa ishte
Image

Viti 2019 ka qenë i suksesshëm për ndërmarrjen publike “Termokos”. Kështu ka pohuar kryeshefi ekzekutiv Arsim Fetahu në një konferencë për medie, në të cilën ka thënë se nga shërbimet e “Termokosit” më të kënaqurit kanë qenë qytetarët. “Viti 2019 ka qenë viti më i suksesshëm i ‘Termokosit’, duke pasur parasysh të arriturat që do t’i shpalosim. Gjatë vitit 2019 furnizimi me ngrohje ka qenë shumë i mirë dhe pothuajse pjesa dërrmuese e konsumatorëve tanë kanë qenë të kënaqur me shërbimet e ngrohjes”, shkruan gazeta "Zëri".

Sipas Fetahut, gjatë vitit paraprak është veçuar furnizimi me ngrohje kualitative për lagjen “Kodra e Diellit”. “Gjithashtu dallime këtë vit ka bërë edhe furnizimi më kualitativ i ngrohjes për ‘Kodrën e Diellit’, e cila deri më tani ka pasur probleme të theksuara, mirëpo për fat të mirë gjatë këtij sezoni furnizimi është rregulluar”.

Fetahu më tej ka bërë të ditur se vlera e prodhimit të energjisë ka arritur në mbi 221 mijë megavate.

“Prodhimi i energjisë termike ka qenë në vlerë 221 mijë e 246 megavate ose me rritje 5 për qind më shumë sesa në vitin 2018 e që ka qenë prodhimi më i madh i energjisë, i cili ka ndodhur ndonjëherë në ‘Termokos’. Gjithashtu edhe liferomi i energjisë termike ka pasur rritje për 9,6% në raport me vitin 2018”, ka shtuar ai.

Kryeshefi i “Termokosit” e ka vlerësuar pozitive edhe zbritjen e humbjes së energjisë, e që sipas tij ka shënuar ulje prej 2%, duke e krahasuar me vitin 2018.

“Humbjet e energjisë për fat të mirë kanë zbritje. Kanë qenë 10 për qind dhe kanë rënë në 8 për qind e që është një vlerë shumë e rëndësishme për përmbushjen e nevojave në aspektin teknik”, ka thënë ai, përcjell "Zëri.info".

Gjatë vitit që lamë pas në rrjetin e “Termokosit”, sipas Fetahut, janë kyçur 15 për qind e konsumatorëve. Vetëm në lagjen “Kalabria” ngrohja qendrore u zgjerua në 2 mijë e 500 banesa.

“Zgjerimi i rrjetit të ‘Termokosit’ ka arritur diku 15 për qind të konsumatorëve ose më saktë rreth 200 mijë metra katrorë. Zgjerimi më i madh në këtë projekt ka ndodhur në lagjen ‘Kalabria’, ku për herë të parë rreth 7 mijë e 500 banorë, ose rreth 2 mijë e 500 banesa, kanë filluar të furnizohen me ngrohje dhe të gjithë ata konsumatorë janë të kënaqur dhe janë shumë falënderues për shërbimet, të cilat jemi duke i ofruar”, ka bërë të ditur Fetahu.

Sa u përket lagjeve, ato që do të jenë prioritet për vitin 2020 janë fillimisht lagjet e vjetra, si “Ulpiana”, “Dardania” etj./ZERI