Nis ndërtimi i kompleksit rezidencial në Frashër, investohen 760 mijë euro

Nis ndërtimi i kompleksit rezidencial në Frashër, investohen 760 mijë euro

Ekonomia January 23, 2020 - 10:59
Image

Kompleksi rezidencial në sipërfaqe prej 32.765.66 metrash katrorë, i cili ka nisur të ndërtohet në Frashër të Mitrovicës, përbëhet prej 40 shtëpive për familjet në nevojë, një shkollë, një ambulancë, katër lokale afariste, një xhami, si dhe një objekt për nevojat e investitorit “Qatar Charity”. Projekti është bashkëfinancim i “Qatar Charity”-t dhe i Komunës së Mitrovicës, derisa shuma e projektit është 760.000 euro, shkruan sot gazeta Zëri.

Ka filluar ndërtimi i quajtur “Kompleksi rezidencial”, një projekt që financohet nga organizata “Qatar Charity” dhe nga Komuna e Mitrovicës. Projekti kap shumën prej 760 mijë eurosh, ndërsa në kuadër të këtij kompleksi, i cili ka sipërfaqe prej 32.765,66 metrash katrorë, do të ndërtohen 40 shtëpi për familjet në nevojë, një shkollë, një ambulancë, katër lokale afariste, një xhami, si dhe një objekt për nevojat e investitorit “Qatar Charity”.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe drejtori i organizatës “Qatar Charity”, Muhamoud Abbas Shkaer, të cilin kanë prerë shiritin e fillimit të punimeve e kanë vlerësuar tepër të rëndësishëm këtë projekt, i cili më së shumti u shkon në interes familjeve me probleme të strehimit. “Ky projekt i mbështetur nga organizata ‘Qatar Charity’ është shumë i rëndësishëm si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë social, por mbi të gjitha ka vlera humanitare, sepse u atribuohet qytetarëve të cilët jetojnë në kushte jo të mira ekonomike. Ne ndihemi shumë falënderues për ‘Qatar Charity’-n për mbështetjen e vazhdueshme dhe për realizimin e shumë projekteve në qytetin tonë, kur dihet se aktualisht qyteti i Mitrovicës përballet me vështirësi të mëdha ekonomike”, tha kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri.

Drejtori i organizatës “Qatar Charity”, Muhamoud Abbas Shkaer, theksoi se ata do të vazhdojnë edhe në të ardhmen të ndihmojnë qytetarët e Mitrovicës me projekte të ndryshme, e veçmas ato familje që me të vërtetë kanë nevojë.

Ky projekt, sipas zyrtarëve komunalë të Mitrovicës, realizohet me bashkëfinancim të Komunës së Mitrovicës dhe të organizatës “Qatar Charity”, me ç’rast Komuna e Mitrovicës do të ndihmojë me mjete financiare në shumën totale prej 760.000.00 eurosh, si dhe ka siguruar pronën komunale për ndërtimin e të gjitha shtëpive për familjet në nevojë.

Projekti - donacion i “Qatar Charity”-t

Në Komunën e Mitrovicës i kanë thënë “Zërit” se Komuna e Mitrovicës, në cilësinë e bashkëfinancuesit, ka dhënë në shfrytëzim pronën e paluajtshme me qëllim të ndërtimit të shtëpive për arsye humanitare, si dhe do të marrë përsipër rregullimin e tërë infrastrukturës përcjellëse të kësaj lagjeje. Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, është shprehur shumë i kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm të organizatës bamirëse “Qatar Charity”, e cila ka mbështetur Mitrovicën me projekte madhore e në sektorë të ndryshëm, duke kontribuuar kështu në zhvillimin dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. “Donacioni i ofruar nga ‘Qatar Charity’ për ndërtimin e 40 shtëpive në Mitrovicë është një lehtësim i madh për ne si institucione lokale, sepse në këtë mënyrë po ua kthejmë buzëqeshjen shumë familjeve, të cilat deri më tani kanë jetuar në kushte të rënda ekonomike”, ka thënë ndër të tjera kryetari Bahtiri.

E ndërkaq përfaqësuesit e “Qatar Charity” përsërisin se janë tejet të kënaqur që me shumë projekte ndihmojnë qytetarët e Mitrovicës. “Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen t’i ndihmojmë qytetarët e Mitrovicës me projektet tona, sidomos për t’i ndihmuar familjet të cilat vërtet kanë nevojë”, ka përsëritur drejtori organizatën “Qatar Charity”, Muhamoud Abbas Shkaer.

Projekti i “Kompleksit rezidencial” kur të përfundojë do ta zgjidhë problemin e 40 familjeve mitrovicase, të cilat nuk e kanë zgjidhur çështjen e banimit dhe tani jetojnë nëpër qendra të strehimit, në objekte të ndryshme e që nuk i plotësojnë kushtet elementare për jetesë. Një pjesë e familjeve të kësaj kategorie tashmë kanë zënë vend në objektin e banimit social në Stan Tërg. Në Frashër të Mitrovicës para lufte kanë jetuar edhe shumë familje serbe, mbi 100 familje, të cilat tani jetojnë në veri, në vendin “Mali Zveçan” në Zveçan.

Serbët e Frashërit demoluan dhe i shitën shtëpitë e rindërtuara nga Qeveria e Kosovës

Para luftës në Frashër të Mitrovicës (ish-Svinjari) kanë jetuar shumë familje serbe, të cilët pas përfundimit të luftës nuk janë kthyer për të jetuar në fshat ndonëse Qeveria e Kosovës dhe organizata të ndryshme kanë ndërtuar të gjitha shtëpitë e tyre, të shkatërruara gjatë luftës, madje Qeveria e Kosovës ka investuar dy herë miliona euro, një herë për t’i ndërtuar shtëpitë e serbëve dhe herën tjetër për t’i riparuar ato, pasi serbët qëllimisht i kishin dëmtuar. Moskthimi i serbëve për të jetuar në shtëpitë e rindërtuara nga Qeveria e Kosovës kryekëput lidhet me politikën e Beogradit. Ishte vetë qeveria në Beograd dhe politikanët ekstremistë serbë të veriut, të cilët nuk i lejonin serbët e Frashërit të kthehen, sepse pastaj duhej të ktheheshin edhe shqiptarët e dëbuar në lagjet veriore të Mitrovicës. Arsyetimi i përfaqësuesve të serbëve të Frashërit se nuk po kthehen për shkaqe sigurie ishte vetëm një retorikë, të cilën pothuajse të gjithë serbët, duke përfshirë edhe politikanë në veri dhe në Beograd, e përdorin vazhdimisht. Qeveria e Kosovës gjeti mënyra për të ndarë mjete për herë të dytë për t’i riparuar shtëpitë e posandërtuara, pasi ato ishin dëmtuar, për t’i joshur serbët që të kthehen, por megjithatë serbët nuk u kthyen për të jetuar në fshat. Disa familje u kthyen vetëm sa për t’i demoluar shtëpitë e reja të ndërtuara dhe për t’i vjedhur të gjitha mobilet dhe orenditë, të cilat ishin siguruar me mjetet e Qeverisë së Kosovës. Pasi i dëmtuan rëndë, serbët filluan t’ua shesin shtëpitë dhe pronat e tyre shqiptarëve. Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ishte përpjekur të bisedojë me serbët e Frashërit, duke i lutur që të kthehen në shtëpitë e rindërtuara dhe duke u garantuar siguri, por përfaqësuesit e serbëve të Fraashërit kanë refuzuar kthimin në fshatin e tyre. Ata tani presin që të përfundojë ndërtimi i vendbanimit “Lugina e Diellit” në Zveçan, që financohet nga qeveria e Serbisë, në mënyrë që të vendosen në shtëpitë e ndërtuara aty. /ZERI