Lufthansa hap linjë ajrore Prishtinë-Beograd

Lufthansa hap linjë ajrore Prishtinë-Beograd

Ekonomia January 20, 2020 - 13:58
Hapet linja ajrore Prishtinë - Beograd

Aviokompania Lufthansa ka njoftuar autoritetet e Kosovës se do të hap linjën ajrore Prishtinë - Beograd në një të ardhme shumë të afërt.

Kjo është bërë e ditur në një ceremoni në Ambasadën Amerikane në Berlin, e ku prezent ishte edhe ambasadori Richard Grenell. në këtë ceremoni përfaqësuesit e kompanisë Lufthansa i kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës letrën me të cilën i njoftojnë autoritetet e Kosovës për këtë synim dhe kërkojnë që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet tjera.

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, është shprehur thënë se kjo letër është një hap tjetër përpara në angazhimin e institucioneve të Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore në Kosovë.

“Me këtë vihet kontakti në mes dy autoriteteve të aviacionit civil, në mes të Kosovës dhe Serbisë, si partnerë të barabartë. Por, ky është hap i parë drejt normalizimit të plotë të hapësirës ajrore të Kosovës dhe hapjen e korridoreve ajrore me gjitha shtetet përreth saj. Nga kjo do të përfitojnë më së shumti qytetarët e Kosovës që shfrytëzojnë shërbimet e Aeroportit të Prishtinës”, pohoi Berisha.

Ai u shpreh mirënjohës për Ambasadorin Grenell, për administratën amerikane, për NATO-n dhe për KFOR-in për mbështetjen e tyre në përpjekjet e Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore dhe të trafikut ajror në Kosovë.

"Fillimi i linjës ajrore Prishtinë - Beograd mund të bëhet pas aranzhimeve mes autoriteteve të aviacionit dhe NATO-s në kuadër të mekanizmit për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit Perëndimorë. Ky është një hap për hapjen e korridoreve të reja nga hapësira ajrore në drejtim të shteteve fqinje.  Deri më tani nuk ka ekzistuar asnjë kontakt mes autoriteteve të aviacionit civil të të dy vendeve", ka thënë ndër të tjera ai.

Prezent në konferencën për media në Berlin, ku i njoftua publiku për këtë çështje, ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit Trump, Robert O’Brien.