Gjatë 2019-s komunat paguan mbi 12 milionë euro për vendimet gjyqësore

Gjatë 2019-s komunat paguan mbi 12 milionë euro për vendimet gjyqësore

Ekonomia January 17, 2020 - 17:00
Mbi 12 milionë euro janë shpenzuar nga komunat e Kosovës për vendimet gjyqësore. Monitorimi, i cili u realizua gjatë periudhës janar – tetor 2019, e nxori Leposaviqin si komunën me më së shumti shpenzime për vendimet gjyqësore përgjatë kësaj periudhe, teksa komuna me më së paku shpenzime po rezulton të jetë Shtërpca
Image

Komunat e Kosovës gjatë vitit 2019 kanë paguar mbi 12 milionë euro për vendimet gjyqësore. Në periudhën kohore janar – tetor të vitit paraprak, sipas Elbasan Racajt 32 komuna në vend vetëm për vendime gjyqësore kanë paguar në total 12 milionë e 458 mijë e 861 euro, shkruan "Zëri.info".

“Komunat gjatë periudhës janar - tetor 2019 kanë paguar në total shumën prej 12 milionë e 458 mijë e 861 eurosh, gjegjësisht mesataren prej 2,22% të buxheteve të tyre”, tha Racaj.

Sipas tij, në këtë periudhë gjashtë komuna kanë prirë me më së shumti pagesa, duke krahasuar më buxhetet e tyre fillestare.

“Leposaviqi me 1 milion e 334 mijë e 356 euro, ose 28,74% të buxhetit komunal; Ferizaj 3 milionë e 726 mijë e 38 euro, ose 10,08%; Mitrovica e Jugut 1 milion e 254 mijë e 422 euro, ose 6,33%; Deçani 401 mijë e 069 euro, ose 4,48%; Gllogoci 550 mijë e 829 euro, ose 3,63%; dhe Kllokoti 40 mijë e 421 euro, ose 3,26%”, prezantoi Racaj, përcjell "Zëri.info".

Sa i përket vitit 2018 shuma e paguar nga komunat për vendimet gjyqësore, sipas Racajt, ka qenë rreth 16 milionë e 360 mijë e 705 euro ose 3,28% të buxheteve të tyre. Ndërkaq Racaj theksoi se për vitin 2017 komunat kanë paguar shumën prej rreth 8 mijë e 142 eurosh ose mesataren prej 1,81% të buxheteve.

Në anën tjetër, komuna me më së paku pagesa për vendimet gjyqësore gjatë periudhës janar – tetor 2019 po rezulton të jetë Shtërpca.

“Shtërpca 1 mijë e 490 euro ose 0,04% e buxhetit komunal; Ranillugu me 879 euro ose 0,05%; Obiliqi me 12 mijë e 309 euro ose 0,10%; Dragashi me 8 mijë e 886 euro ose 0,11%; Hani i Elezit me 4 mijë e 611 euro ose 0,15% dhe Graçanica me 23 mijë e 235 euro ose 0,18%”, ka prezantuar Racaj.

Sipas Racajt, sfida kryesore në mbledhjen e këtyre të dhënave ka qenë gjetja e të njëjtave në raportet financiare të komunave, pasi një pjesë e komunave nuk publikojnë raporte financiare, kurse një pjesë tjetër e komunave raportet financiare i publikojnë në formate të ndryshme dhe vështirë të lexueshme nga publiku. Në këto gjetje nuk janë komunat më të mëdha të vendit, siç janë Prishtinë, Prizreni, Peja etj. e që sipas Racajt, edhe këto komuna kanë shpenzuar jo pak për vendime gjyqësore, raporton tutje "Zëri.info".

Gjatë prezantimit të këtyre të dhënave, lëvizja “Fol” theksoi se në kuadër të mbledhjes së këtyre të dhënave,ka shfrytëzuar raportet financiare të komunave, të dhënat e ofruara nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, si dhe të dhënat e publikuara nga Zyra Kombëtare e Auditimi. Ky hulumtim nga lëvizja “Fol” është realizuar në kuadër të projektit “Transparencë dhe llogaridhënie komunale për taksapaguesit”, të mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë./ZERI