Murtezaj: ATK-ja për 20 vjet mblodhi mbi 4 miliardë euro

Murtezaj: ATK-ja për 20 vjet mblodhi mbi 4 miliardë euro

Ekonomia January 17, 2020 - 16:56
Detajet
Image

Administrata Tatimore e Kosovës ka shënuar 20–vjetorin e themelimit. Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, theksoi se përgjatë këtyre dy dekadave nga ky institucion janë mbledhur 4 miliardë euro tatime dhe mbi 1 miliard euro kontribute pensionale, shkruan "Zëri.info".

“Si rezultat i punës profesionale me integritet e me ndershmëri, efektivitet e transparencë, ATK-ja për këta 20 vjet ka arritur të mbledhë 4 miliardë e 707 milionë euro tatime dhe një 1 miliard e 797 milionë euro kontribute pensionale. Gjithsej të hyra të mbledhura janë 6 miliardë e 504 milionë euro”, ka thënë ai.

Një e arritur e madhe për ATK-në, sipas Murtezajt, ishte sistemit elektronik i cili ndihmoi pagesat e tatimeve dhe kontributeve pensionale.

“ATK-ja ka zhvilluar një strukturë organizative funksionale. ATK-ja ka krijuar sistemin elektronik përmes të cilit është mundësuar deklarimi dhe pagesat e tatimeve e i kontributeve pensionale. Për ATK-në ky sistem ka reduktuar grumbullimin e dokumenteve, të kostos operative, koston për procedimin dhe ruajtjen e kontratave tatimore. Ndërsa në të njëjtën kohë për tatimpaguesit ky sistem ka kursyer kohën, ka reduktuar gabimet në deklarimin e tatimeve dhe kontributeve pensionale dhe ka bërë më të lehtë deklarimin dhe pagesën e tyre”, ka thënë Murtezaj.

Në anë tjetër presidenti i vendit Hashim Thaçi i cilësoi si kolosale sukseset e arritura sot nga ATK-ja, raporton tutje "Zëri.info".

“Sot është një ditë e veçantë që shënon 20-vjetorin e themelimit të ATK-së dhe ky vendim vuri themelet e strukturës që mundëson mbledhjen e tatimeve nga të gjithë në Kosovë. ATK-ja është ndërtuar nga zeroja, kurse kanë arritur suksese kolosale sot. Fillimisht bashkë me partnerët ndërkombëtarë është dashur të ndërtohet korniza ligjore, më e rëndësishme është se dashur të ndërtohet besimi i qytetarëve duke pasur parasysh përvojën e hidhur me shtetin e kaluar serb”, ka thënë presidenti.

Sipas tij, qytetarët kanë arsye që të ndihen mirë me punën që është arritur nga ky institucion.

“Në këto dy dekada është arritur shumë dhe të gjithë kemi një arsye të ndihemi mirë dhe krenarë. ATK-ja sot funksion në përputhje me praktikat më të mira perëndimore dhe ndërkombëtare, duke ofruar shërbime për tatimpaguesit dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë tutje ai, transmeton "Zëri.info". 

Në anën tjetër Hilel Trand, nga Zyra e BE-së në Kosovë, potencoi se ATK-ja është në rrugë të mbarë për t’u modernizuar.

“ATK-ja është në rrugën e duhur për t’u bërë një ATK moderne, është një prej shtyllave kryesore në menaxhimin e të hyrave, kjo luan një rol shumë të rëndësishëm për qytetarët. Ka ende shumë punë për t’u bërë. Dua të them se BE-ja do të jetë pranë jush dhe do të bashkëpunojë ngushtë me ne”, tha ai

Edhe Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, i cilësoi mbresëlënëse rezultatet e ATK-së për këta 20 vjet. Ai u zotua që ne mes të ATK-së dhe Odës Amerikane do të vazhdojë bashkëpunimi.

“Janë mbresëlënëse rezultatet e ATK-së për 20 vjet për mbushjen e thesarit të vendit dhe për avancimin e partneritetit publiko-privat. Janë të shumta të arriturat që ky institucion ka për 20 vjet për përmirësimin e legjislacionit dhe të arritura të tjera. Ka ende shumë punë për t’u bërë, sidomos në luftimin e ekonomisë joformale. Si drejtor i OEAK-ut do të shpreh zotimin për partneritet të sinqertë”, ka thënë Zeka./ZERI