KMDLNJ: Pensioni prej 70 eurosh, i pamjaftueshëm

KMDLNJ: Pensioni prej 70 eurosh, i pamjaftueshëm

Ekonomia January 16, 2020 - 13:56

Ndihma sociale nga 60 e deri në 180 euro në muaj po shihet e pamjaftueshme për afro 25 mijë familje në Kosovë, të cilat varen nga ai. Ndonëse nga fillimi i vitit 2019 e deri në fund të vitit ky numër ra për disa qindra familje prapë gjendja po vlerësohet si shqetësuese shkruan sot gazeta Zëri.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, vlerësoi se pensioni prej 70 eurosh për këto familje është i pamjaftueshëm. Sipas tij, familjet që i përkasin kësaj skeme bëjnë jetë të padinjitetshme. “70 euro nuk mund t’i plotësojnë as kushtet minimale për një individ brenda muajit e lëre më për një familje. Kjo është shumë pak dhe thjesht është e pabesueshme se si njerëzit jetojnë në ato kushte të padinjitestshme dhe pa dinjitet. Shteti nuk duhet të mburret se sa familje i ka në skemë sociale, por shteti duhet të mburret me atë se sa familje janë larguar nga skemat sociale”, ka thënë Shala për “Zërin”.

Sipas tij, shteti duhet të krijojë vende të reja të punës dhe politika zhvillimore për ta zbutur këtë gjendje. “Shteti duhet ta bëjë një faturim nga skema sociale në vetëmbajtje. Kjo bëhet me hapjen e vendeve të reja të punës dhe me politika zhvillimore më të mira. Shteti duhet të investojë më tepër në zhvillim, që skemat sociale të jenë diçka e qëlluar. Përndryshe për një familje është më e mirë të mos mbetet peng ose barrë e skemës sociale”, ka thënë tutje ai. /ZERI