ATK-ja inkason mbi 102 milionë euro nga borxhet e trashëguara
FOTO: Laura Hasani

ATK-ja inkason mbi 102 milionë euro nga borxhet e trashëguara

Ekonomia December 11, 2019 - 17:25
Sipas drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, Ilir Murtezaj, gjatë këtij viti ATK-ja deri më tani nga borxhi i trajtuar ka inkasuar 102 milionë euro, që në krahasim me vitin e kaluar ka rritje të inkasimit të borxhit për 30 milionë euro ose 42 për qind, shkruan gazeta "Zëri". 
Image

Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur që nga janari i këtij viti të inkasojë 102 milionë euro borxhe, të cilat u grumbulluan në këtë institucion ndër vite, përkatësisht borxhe të trashëguara. Sipas drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, Ilir Murtezaj, gjatë këtij vitit ATK-ja ka pasur një efikasitetet të kthimit të borxheve deri në 42%, shkruan gazeta "Zëri".

Këto të dhëna janë bërë publike në një konferencë për medie, në të cilën janë prezantuar rezultatet e aktiviteteve për mbledhjen e borxheve, me theks të veçantë aktivitetet për konfiskimin e pasurisë së tatimpaguesve borxhlinj.

Murtezaj tha se në janar kanë pasur një stok të borxhit prej 376 milionë eurosh dhe sot është rreth 355 milionë euro ose 21 milionë euro borxhe më pak.

“Deri më tani nga borxhi i trajtuar janë inkasuar 101 milionë euro, që në krahasim me vitin e kaluar kemi rritje të inkasimit të borxhit për 30 milionë eurosh ose 42 për qind. ATK-ja do të vazhdojë me mbledhjen e borxheve të reja dhe të borxheve tjera të papaguara, me theks të veçantë mbledhjen e gjobave mandatare dhe konfiskimin e pasurisë për tatimpaguesit që kanë borxhe të pashlyera. Me këtë ATK-ja është duke përmbushur edhe rekomandimin e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar”, tha Murtezaj, përcjell gazeta "Zëri".

Duke folur mbi të hyrat e përgjithshme të ATK-së, i pari i saj pohoi se nga janari gjithsej një inkasuar 44 milionë euro më shumë sesa në vitin e kaluar.

“Gjatë periudhës janar - nëntor 2019 ATK-ja ka inkasuar para në vlerë 465.7 milionë euro, shumë kjo që në periudhën e njëjtët kohore të vitit të kaluar është rreth 44 milionë euro më tepër. Këto rezultate janë arritur si pasojë e një pune të madhe që është bërë në ATK”, ka thënë tutje ai.

Drejtori i ATK-së deklaroi se kanë paraparë të realizohen mbi 27 reforma në 10 fusha të ndryshme. Sipas tij, reforma kryesore ka të bëjë me konsolidimin e mbledhjes së detyrueshme.

“Në kuadër të këtij plani është paraparë të realizohen mbi 27 reforma në 10 fusha, ku një ndër fushat kyçe e që është reforma më e thellë në ATK është konsolidimi i mbledhjes së detyrueshme. Përmes kësaj reforme synohet të arrihen tri qëllime, e para të bëhet shpërndarja e barabartë e punëve te zyrtarët tatimorë, e dyta të arrihet efikasiteti i mbledhjes së borxheve dhe e treta është zvogëlimi i diskrecionit të zyrtarëve tatimorë ose zvogëlimi i mundësisë së zyrtarëve tatimorë në keqpërdorime në detyrës zyrtare”, tha ai.

Funksioni i mbledhjes së detyrueshme do të jetë i ndarë në katër faza, ku Murtezaj tha se faza e parë do të jetë trajtimi i hershëm i borxhit, e dyta pjesa e fillimit të bllokimit të llogarive bankare, doganës së saj dhe procedura të saj, faza e tretë përmes së cilës zyrtarët tatimorë fillojnë procedurën e konfiskimit dhe faza e katërt është faza e fillimit të procesit të falimentimit të kompanisë, shkruan tutje gazeta "Zëri".

Në anën tjetër zëvendësdrejtori i ATK-së, Nijazi Asllani, ka njoftuar se gjatë periudhës janar - nëntor nga ATK-ja janë zhvilluar mbi 250 procese të konfiskimit. Sipas tij, ky numër paraqet rekord nëse krahasohet me periudhën paraprake.

“Janë mbi 250 raste, kurse me veprime konkrete duke vendosur edhe shiritat për konfiskim janë diku 136 raste, që në krahasim me vitet e kaluara kemi një rritje të jashtëzakonshme. Mirëpo pavarësisht kësaj rritjeje, ne pretendojmë që rezultatet në të ardhmen me konsolidimin e mbledhjes së detyrueshme, që parashihet të startojë në vitin 2020, me konsolidimin e mbledhjes së detyrueshme veprimet tona do të jenë edhe më të konsoliduara dhe do të jenë edhe më të drejtpërdrejta”, tha ai./Zëri