Infektuar: 9869
Shëruar: 5480
Vdekur: 303
Java vendimtare për grevat e protestat në arsim, shëndetësi e polici
FOTO: Zëri

Java vendimtare për grevat e protestat në arsim, shëndetësi e polici

Ekonomia December 09, 2019 - 15:47
Pritet të fillojnë grevat dhe protestat
Image

Sindikata e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (SBASHK), Sindikata e Shëndetësisë e Kosovës (FSHK) dhe Sindikata e Policisë e Kosovës kanë paralajmëruar hapa sindikalë, duke përfshirë kështu grevat dhe protestat në rast se Gjykata Kushtetuese merr vendim për pezullimin e Ligjit për Paga në Sektorin Publik ashtu siç thuhet në kërkesën e Avokatit të Popullit, shkruan "Zëri.info".

Rrahman Jashari, nga SBASHK-u, ka bërë të ditur për “Zërin” se në rast se pezullohet Ligji për Paga në Sektorin Publik nga kjo javë të gjithë punëtorët e arsimit në Kosovë do të marrin hapa sindikalë. Ai nuk i përjashtoi as protestat, por as grevat.

“Do ta thërras Këshillin Drejtues të SBASHK-ut, kryetarët e niveleve komunale dhe të universiteteve që janë përfaqësues të tërë sektorit të arsimit nga çerdhet, arsimi parauniversitar e deri tek arsimi universitar. Ashtu siç vendos Këshilli Drejtues dhe kryetarët unë jam i obliguar me statut ta zbatojë atë vendim. Kam frikë se do të ketë bojkot pune, gjegjësisht grevë në shëndetësi dhe në arsim. Edhe Policia do t’i ketë reagimet e veta edhe pse në Ligjin për Grevat nuk ka të drejtë”, ka thënë ai.

Edhe kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, pohoi se kjo javë është vendimtare për sa i përket hyrjes në grevë ose organizimit të protestave nga kjo Sindikatë.

“Të mërkurën do të mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues dhe merret vendimi përfundimtar se çfarë do të ndodhë më tutje. A do të shkojmë në grevë, bojkot ose protesta, varet prej Këshillit Drejtues”, ka thënë Syla.

Në anën tjetër nënkryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli, tha për “Zërin” se në rast se nuk ndërmerret asnjë hap  edhe kjo Sindikatë do të marrë hapa sindikalë.

“Sindikata e Arsimit, ajo e Shëndetësisë dhe ajo e Policisë kanë arritur në përfundim të kërkojnë një takim të hënën më së largu deri të martën me presidentin, me kryeministrin në detyrë dhe me liderët partiakë. Në rast se ata nuk marrin asnjë hap, atëherë ne të martën ose të mërkurën do t’i marrim hapat sindikalë”, ka thënë Tasholli./ZERI