Infektuar: 18148
Shëruar: 15150
Vdekur: 666
Qeveria s’pajtohet me vendimin e Avokatit të Popullit për ta çuar ligjin për pagat në Gjykatë

Qeveria s’pajtohet me vendimin e Avokatit të Popullit për ta çuar ligjin për pagat në Gjykatë

Ekonomia December 06, 2019 - 18:07
Detajet

Pas vendimit të Avokatit të Popullit që ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Paga, janë deklaruar edhe nga Zyra e Kryeministrit. Nga kjo zyrë thonë se Qeveria e Kosovës qëndron fuqishëm pas këtij ligji, shkruan Express.

Punëtorët e sektorit publik me gjasë nuk do të mund t’i marrin pagat me rritje as gjatë muajit dhjetor. Arsye për këtë është vendimi i Avokatit të Popullit, që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar përputhshmërinë e këtij ligji me Kushtetutën e Kosovës.  

Madje, ky institucion ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të këtij Ligji deri në një vendim përfundimtar nga Kushtetuesja.

E ndaj këtij vendimi të Ombuspersonit, janë deklaruar sot edhe nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Në një përgjigje për Gazetën Express, në ZKM thonë se Qeveria e Kosovës qëndron fuqishëm pas këtij ligji.

Deklarojnë se në këtë ligj kanë qenë të përfshira të gjitha institucionet, ekspert dhe organizata e sindikata.

“Zyra e Kryeministrit nuk i komenton proceset gjyqësore. Siç e dini është bërë një punë e madhe, nga i gjithë ky proces për ta bërë Kosovën për herë të parë me ligj të pagave, aspekt ky që ka qenë totalisht i pakontrolluar dhe pa kordinuar me mbi 100 vendime ad hoce për vendosje të pagave. Në ligjin për pagat, kanë qenë të përfshira të gjitha institucionet, ekspert dhe organizata e sindikata”, kanë thënë nga kjo zyrë.

Nga ZKM’ja thonë se me këtë Ligj pothuajse të gjithë punonjësit kanë pasur rritje të rrogës bazë, dhe se janë evituar vendimet jo të drejta me të cilat kanë përfituar pa meritë grupe të caktuara të interesit.

“Një punë voluminoze me një vit angazhim, që për gjykimim tonë ka qenë e drejtë. Pothuajse të gjithë punonjësit në sektorin publik kanë pasur rritje të rrogës bazë, derisa kujdesshëm janë trajtuar dhe evituar vendimet jo të drejta me të cilat kanë përfituar pa meritë grupe të caktuara të interesit. Prandaj, Qeveria e Kosovës qëndron fuqishëm pas këtij ligji”, thuhet në përgjigjet e ZKM’së drejtuar Gazetës Express.

Ndryshe, se Avokati i Popullit ka dërguar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për këtë ligj, e ka konfirmuar për Express, zëdhënësi i kësaj gjykate, Veton Dula.

“Në Gjykatën Kushtetuese sapo është parashtruar kërkesa përkitazi me Ligjin për pagat nga Avokati i Popullit”, ka thënë Dula.

E dërgimi në Gjykatën Kushtetuese për ta pezulluar këtë ligj, sipas Institucionit të Avokatit të Popullit, vjen pas pranimit të 35 ankesave nga sindikata të ndryshme, duke përfshirë këtu ankesat nga të punësuarit në shëndetësi, në arsim, në polici dhe në shërbimin civil.

“Në përgjithësi, Avokati i Popullit konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Shtojca një (1) e këtij ligji nuk kanë arritur ta bartnin frymën kushtetuese në kuptimin e ndarjes së pushteteve, të barazisë para ligjit dhe as garantimin e së drejtës pronësore. Për më shumë, Avokati i Popullit konsideron se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij”, thuhet në komunikatë.

Ky institucion ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, raporton Express.

“Avokati i Popullit ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, duke vlerësuar se vendosja e masës të përkohshme është e nevojshme për ta mbrojtur interesin publik dhe për të evituar dëme të pariparueshme që do të mund të shkaktoheshin me zbatimin e këtij ligji”, thuhet tutje në komunikatë.

Ndërkohë, në Ministrinë e Financave kanë treguar se tash për tash Ligji është në dorë të Kushtetuese.

“ Tash në si ministri nuk mund të marrim asnjë vendim për pagat. Tash duhet të presim vendimin përfundimtar nga Gjykata Kushtuese. Nëse pezullohet Ligji, atëherë pagat dalin pa rritje, nëse nuk pezullohet atëherë pagat dalin me rritje, siç janë paraparë në Ligj”, kanë thënë në këtë ministri.

Ndryshe, Ligji i ri për Paga pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.