Ligji për Paga përfundon në Gjykatën Kushtetuese

Ligji për Paga përfundon në Gjykatën Kushtetuese

Ekonomia December 06, 2019 - 08:25
Detajet
Image

Gjashtë ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Paga në Sektorin Publik avokati i Popullit ka vendosur ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Shkak u bënë 35 ankesa nga sindikata dhe nga grupe ankuesish, të cilët konsideruan që disa nene të këtij ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Edhe gruaja e Ivanoviqit kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës

Hiç më pak se 35 ankesa nga sindikata dhe nga grupe ankuesish kanë ndikuar që avokati i Popullit ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Paga në Sektorin Publik. Ky institucion dje ka marrë vendim që këto ankesa t’i adresojë në Kushtetuese e ku pritet të konstatohet vlefshmëria e ligjeve dhe e neneve të këtij ligji, ndaj të cilit ka pasur ankesa. “Avokati i Popullit në pajtim me autorizimet e tij kushtetuese dhe ligjore e ka dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese Ligjin Nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën”, ka njoftuar ky institucion.

Më tutje avokati i Popullit ka njoftuar edhe për shkeljet që janë gjetur në këtë ligj. Sipas njoftimit nga avokati i Popullit, konsiderohet që ligji nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit.

Ligji, me shumë mangësi

“Në përgjithësi avokati i Popullit konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Shtojca një (1) e këtij ligji nuk kanë arritur ta bartnin frymën kushtetuese në kuptimin e ndarjes së pushteteve, të barazisë para ligjit dhe as garantimin e së drejtës pronësore. Për më shumë, avokati i Popullit konsideron se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, të saktësisë dhe të parashikueshmërisë së tij”, bëhet e ditur më tutje në njoftim.

Lidhur me këtë ligj tek avokati i Popullit janë dërguar rreth 35 ankesa nga sindikata dhe nga grupe ankuesish. “Për më tepër, avokati i Popullit i ka pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik të parashtruara kundër Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, duke përfshirë këtu ankesat nga të punësuarit në shëndetësi, në arsim, në Polici dhe në shërbimin civil. Ai ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, duke vlerësuar se vendosja e masës së përkohshme është e nevojshme për ta mbrojtur interesin publik dhe për të evituar dëme të pariparueshme, që do të mundë të shkaktoheshin me zbatimin e këtij ligji”, thuhet më tutje në njoftim.

Me hyrjen në fuqi të ligjit kanë filluar të jepen edhe pagat me rritje. “Vlera monetare e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji do të jetë dyqind e tridhjetë e nëntë (239) euro. Për vitet e tjera buxhetore vlera monetare e koeficientit përcaktohet me Ligjin Vjetor të Buxhetit”, thuhet në Nenin 23 të Ligjit, i cili përcakton vlerën e koeficientit dhe fondet për shtesa.

Pagat më të larta sipas ligjit

Në bazë të ligjit, presidenti i Kosovës pritet ta ketë pagën më të lartë dhe do të paguhet sipas koeficientit 10, derisa kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të paguhen sipas koeficientit 9. Sipas koeficientit, presidenti i Republikës do ta ketë pagën 2.390 euro, nga 2.672 euro sa është paguar deri më tani, ndërsa kryetari i Kuvendit do të ketë pagën 2.151 ose 404 euro më pak se paga aktuale.

Të njëjtën pagë prej 2.151 eurosh do ta ketë edhe kryeministri e kryetari i Gjykatës Kushtetuese, nga 2.950 euro, përkatësisht 3.108 euro, sa janë paguar aktualisht. Për sa i përket pagës së zëvendëskryeministrit, ai do të paguhet 2.031 euro, nga 2.500 euro sa është paguar deri më tani. Po ashtu paga e një ministri sipas Ligjit për Pagat do të jetë 1.912 euro, që do të jetë një zbritje page prej 88 eurosh.

Pagë të njëjtë do të marrë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, kryetari i kryeqytetit, kryetari i Gjykatës Supreme, kryeprokurori i Shtetit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kryetari i Akademisë së Shkencave, avokati i Popullit dhe auditori i përgjithshëm i Kosovës. Ligji thotë se shefi i Kuvendit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kryeprokurori dhe kryetari i Gjykatës Supreme do të paguhen edhe pesë vjet pasi të largohen nga pozitat e tyre. Ata do të marrin 70 për qind të pagës së fundit në institucionin ku kanë vepruar dhe veç kësaj ata do të përfitojnë edhe një asistent, vozitës e veturë zyrtare, të cilën do ta përdorin.

Pagë pas përfundimit të mandatit nga buxheti i shtetit do të marrin edhe deputetët. “Deputeti pas përfundimit të mandatit të rregullt ose para kohe, i cili nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit, ka të drejtën e kompensimit kalimtar prej një viti në vlerë 70 për qind të pagës së fundit që e kanë marrë”, thuhet në Ligjin për Paga.

Ministrat dhe kryetarët e komunës do të marrin 70 për qind të pagës edhe pas përfundimit të mandatit.

Zhurma më e madhe në lidhje me përfitimet pas largimit nga detyra ishte bërë për zëvendësministrat dhe ata do të paguhen gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit e të gjitha këto përfitime nuk do të bëhen në disa raste, që janë të specifikuara në ligj.