Infektuar: 18148
Shëruar: 15150
Vdekur: 666
Avokati i Popullit nuk tregon nëse ligji do të përfundojë në Kushtetuese

Avokati i Popullit nuk tregon nëse ligji do të përfundojë në Kushtetuese

Ekonomia December 05, 2019 - 13:57
Detajet

Ligji për Paga, i cili hyri në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti, mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Deri më tani në institucionin e Avokatit të Popullit janë dërguar 30 ankesa për këtë ligj nga Sindikata e Shërbimit Civil dhe nga grupe ankuesish. Pas shqyrtimit të këtyre ankesave, Avokati i Popullit në një afat kohor prej 60 ditësh qysh nga hyrja në fuqi e ligjit ka të drejtë ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Përfaqësues të Sindikatës së Shërbimit Civil në Kosovë i kanë thënë “Zërit” se ligji ka pasur nevojë të ndryshohet më parë. Sipas tyre, tani ndryshimet mund të bëhen me amendamente që mund t’i bashkëngjiten ligjit, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: S’ndalen ankesat ndaj Ligjit për Paga

Të pyetur se a ka gjasë të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese Ligji për Paga për Zyrtarët Publikë, ata pohuan se me kohë publiku do të njoftohet se çfarë vendimi do të merret lidhur me këtë ligj. “Avokati i Popullit do ta njoftojë publikun me kohë për çfarëdo veprimi që do ta ndërmarrë lidhur me Ligjin Nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik”, thuhet në përgjigjen dhënë gazetës.

Ditë më parë i njëjti institucion pohoi për “Zërin” se në afat kohor prej 60 ditësh, pasi të hyjë në fuqi Ligji për Pagat për Zyrtarët Publikë, mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. “Ligji Nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor 2019. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Avokati i Popullit mund të ngrejë çështjen e përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën brenda afatit prej gjashtë (6) muajve pas hyrjes në fuqi të ligjit. Afati ligjor për ngritjen e çështjes në fjalë fillon të rrjedhë nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat”, thuhej në përgjigje. //ZERI