Ligji për Paga rrit hendekun mes sektorit privat dhe publik
FOTO: Laura Hasani

Ligji për Paga rrit hendekun mes sektorit privat dhe publik

Ekonomia December 04, 2019 - 15:04
Lexoni detajet
Image

Ligji për paga i cili hyri në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti nuk ka ndikim të mirë në buxhetin e shtetit. Në një tryezë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) me temën “Cilat janë pasojat e Ligjit të ri për Paga për buxhetin e Kosovës, qëndrueshmërinë fiskale, sektorin privat dhe mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë”, u tha se ky ligj e rrit hendekun mes sektorit publik dhe atij privat, raporton “Zëri.info”.

Arbëresha Loxha nga GLSP-ja tha se pakoja e 3 ligjeve për reformën në administratën publike duhet të përfundohet, duke kërkuar kështu edhe garantimin e transparencës.

“Pakoja e 3 ligjeve duhet të jetë e përfunduar dhe të garantohet transparenca, duhet të garantoj që punësimet familjare duhet të përfundojnë njëherë e mirë. Duhet të bëhet një politikë e qartë e Vettingut për punësime të zyrtarëve civil dhe të ndalen punësimet partiake dhe personave militantë”, ka thënë Loxha.

Tutje Loxha ka prezantuat disa nga të gjeturat e hulumtimit të realizuar. Bazuar në hulumtim vetëm paga e presidentit me Ligjin e ri për Pagat në sektorin publik pritet të jetë 6 herë më e madhe se paga minimale në sektorin privat.

“Ligji i ri solli rritje të konsiderueshme në disa sektor, kjo rritje vlerësohet se do të rris faturën e pagave dhe të tejkaloj shumën prej 700 milionë euro që është për 20% më e lart se vitin e kaluar, paga e Presidentit do të jetë mbi 6 herë se paga minimale në sektorin privat. GLPS konsideron se kjo kosto e pagave do të ketë edhe ndikim në sektorin privat dhe do të ketë një hendek në mes të sektorit privat dhe publik”, ka thënë ajo.

Kësisoj ajo i bëri thirrje Qeverisë në largim që të mos emëroj persona në pozita të larta publike pasi kjo është detyrë e Qeverisë së re.

Në anën tjetër ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, tha se Ligji për Paga që ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti, e dobëson sektorin privat. Sipas saj ligji ngrit pagat në sektorin publik dhe interesimi për punësim është më i madh në sektorin publik, raporton “Zëri.info:.

“Më lejoni t’i referohem politikave të publikuara sot, ligji që ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor, është e përcaktuar në paketën ERA-s, ekspertët ndërkombëtarë e lavdërojnë institucionet për punën e bërë pasi kjo paketë garanton një sistem transparent, mirëpo ky dokument i publikuar sot na jep një pasqyrë të qartë të ndikimit që në Kosovë do të ketë Ligj për Paga. Ligji i ngrit pagat në sektorin publik dhe jo në atë privat dhe e ka një rrezik pasi do të mbipopullohet sektori publik dhe do të dobësohet sektori privat”, ka thënë ajo.

Ndërsa Tefik Mahmuti nga Ministria e Administratës Publike, tha se ky ligj e vendos një standard të ri pasi pagat më nuk do të mund të ngritën apo të ulen me vendime, por vetëm përmes ndryshimit të ligjit. Sipas tij pakoja ligjore ka dal si kërkesë e reformës në Administratën Publike, raporton tutje “Zëri.info”.

“Gjatë kësaj kohe ka shumë zhvillime që janë ndërmarrë, jemi në një fazë që po flasim për ligjin që ka hy në fuqi me 1 dhjetor e që është punuar gjatë, pakoja ligjore ka dalë si kërkesë e reformës në Administratën Publike dhe kërkesë ka ardhur në vitin 2016. Ligji e bën një standard të Ligjit të Pagave dhe kjo flet për një ndryshim të pagave dhe jo me vendime dhe nëse ka ndonjë nevojë për ndryshim atëherë ndryshohet ligji”, ka thënë Mahmuti.

E pranishme në tryezë ishte edhe Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje e cila pohoi se në vend është krijuar një situatë ku këto ligje e kanë ç’organizuar punën në Administratën Publike.

“Kjo reformë e nisur në vitin 2015 ndryshoi tërësisht në vitin 2018 dhe gati jemi në një situatë ku këto ligje e kanë ç’organizuar punën në Administratën Publike. Jemi dëshmitarë ku kemi dy palë që kanë paralajmëruar në greva dhe protesta, kjo dëshmon dështimin në miratimi e një Ligji për Pagat dhe na ka sjellë në një situatë jo të mirë”, tha ajo./Zeri