SHBA-ja kërcënon me taksa prodhimet franceze

SHBA-ja kërcënon me taksa prodhimet franceze

Ekonomia December 03, 2019 - 09:31
detaje

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatisin tarifa mbi eksportet franceze, në vlerë prej 2.4 miliardë dollarësh, si hakmarrje për taksat që u ka vënë Franca shërbimeve dixhitale.

Përfaqësuesi i Tregtisë Amerikane, Robert Lighthizer, tha se taksat që Franca i ka miratuar në muajin korrik, godasin padrejtësisht gjigantët amerikanë të teknologjisë. Sipas tij, tarifat e mundshme kundër Francës kanë për qëllim t’i pengojnë vendet e tjera të ndërmarrin hapa të ngjashëm.

Artikujt që mund të përballen me tarifa deri në 100 për qind janë djathi, vera, grimi dhe çantat.

Tarifat e mundshme tani do të hyjnë në një periudhë të komentimit publik.

Franca i mbron taksat e veta, duke thënë se ato duhet të bazohen në aktivitetin dixhital dhe jo vetëm atje ku firmat i kanë selitë e tyre.

SHBA reagon ndaj taksës dixhitale të Francës për gjigantët e internetit

Me taksën e re në Francë, çdo kompani dixhitale me të ardhura prej më shumë se 750 milionë eurosh – prej të cilave së paku 25 milionë gjenerojnë në Francë – është subjekt i tatimit.

Kompanitë amerikane të teknologjisë thonë se ligjet e tilla i detyrojnë ato të paguajnë taksë të dyfishtë. /REL/Telegrafi/