Mbyllja e 'Z-Mobile'-it mund ta shpëtojë Telekomin nga falimentimi

Mbyllja e 'Z-Mobile'-it mund ta shpëtojë Telekomin nga falimentimi

Ekonomia November 29, 2019 - 08:16
Detajet
Image

Të mërkurën pasmesnate operatori kosovar i telefonisë mobile “Z-Mobile” është mbyllur dhe 220 mijë numrat e saj i kanë kaluar kompanisë amë - “Valës”. Kthimi i këtyre numrave po shihet si mundësi e mirë për ta rritur stabilitetin financiar në Telekomin e Kosovës dhe daljen nga kriza, përderisa ekspertët e ekonomisë theksojnë se për të arritur një gjë të tillë duhet të ndërrohet menaxhmenti i Telekomit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në pasmesnatën e së mërkurës 220 mijë numrat e telefonisë mobile “Z-Mobile” kanë kaluar zyrtarisht në platformën amë – “Vala”. Kompania “Z-Mobile” nisi të funksionojë si operator virtual i telefonisë mobile nga viti 2009 kur kishte lidhur kontratë me Telekomin e Kosovës, në të cilën parashihej që kjo kompani të ketë të drejtë ta shfrytëzojë gjithë infrastrukturën e Telekomit për të nisur biznesin e ri brenda tij. Madje në kontratën, në të cilën Telekomi kishte vendosur t’ia krijonte vetes një konkurrent, parashihej që 78 për qind e fitimeve të shkonin për “Z-Mobile”-in, ndërsa 22 për qind për kompaninë amë. Kjo kontratë 10-vjeçare ka rezultuar të jetë e dëmshme për Telekomin, që dikur ka qenë kompania më fitimprurëse në vend. Ndonëse kalimi i numrave nga “Z-Mobile” në “Vala” po shihet si mundësi për rritjen e stabilitetit financiar të Telekomit, njohësit e çështjeve ekonomike vlerësojnë se kjo nuk do të ndihmojë në rast se nuk ndërrohet menaxhmenti i Telekomit. Ata theksojnë se pas kalimit të 220 mijë numrave në “Vala” Telekomi mund të dalë përfundimisht nga kriza vetëm nëse në krye ka një menaxhment më profesionist.

“Z-Mobile”-i do të kërkojë drejtësi ndërkombëtare për mbylljen e brendit të tyre

Kompania telefonike “Z-Mobile” përmes një reagimi është shprehur se ajo u mbyll dhunshëm duke ia dhënë pasuritë e saj një ndërmarrjeje publike siç është Telekomi i Kosovës. Sipas “Z-Mobile”-it, grupe të ndryshme të interesit politik dhe ekonomik ia kanë uzurpuar kapitalin investues kësaj kompanie, e cila ka theksuar se pas mbylljes së brendit të tyre në Kosovë nuk ka më siguri për investime as vendore e as të huaja. “Sot është dita kur klima linçuese, e ndërhyrë nga grupe të ndryshme të interesit politik dhe ekonomik, arriti një qëllim të turpshëm, duke uzurpuar asetet e një investimi të ligjshëm dhe legjitim në Republikën e Kosovës. Brendi ‘Z-Mobile’ u mbyll dhunshëm, duke iu dhënë asetet e tij një ndërmarrje publike, Telekomit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e “Z-Mobile”-it.

Sipas tyre, “Z-Mobile” e ka fituar çdo kontest ligjor duke dalë gjithmonë e pafajshme para gjykatave. “Nuk ka ndonjë biznes tjetër në Kosovë, i cili i është nënshtruar më shumë trajtimeve gjyqësore, parlamentare e të tjera që në të gjitha pa përjashtim ka dalë jo e fajshme. ‘Z-Mobile’ është hetuar dy herë nga gjykatat e EULEX-it dhe ka dalë e pafajshme, ‘Z-Mobile’ ka ngritur raste ligjore në Arbitrazh Ndërkombëtar dhe ka dalë se ka të drejtë, ‘Z-Mobile’ është dërguar sërish të gjykatat vendore pas Arbitrazhit dhe përsëri ka dalë fituese”, thuhet tutje në reagim.

Ata kanë shtuar se do të kërkojnë edhe një herë tjetër drejtësi ndërkombëtare për mbylljen e kompanisë së tyre. “Patjetër se edhe kësaj here ne nuk e kemi ulur kokën para kësaj padrejtësie të madhe dhe pavarësisht vullnetit jemi detyruar ta kërkojmë drejtësinë edhe një herë në Gjykatën e Arbitrazhit. Por ne jemi të bindur, ashtu siç kemi qenë edhe deri më tani, se drejtësia ndërkombëtare do të na japë sërish të drejtë”, bëhet e ditur në reagimin e “Z-Mobile”-it.

Mbyllja e “Z-Mobile”-it rrit stabilitetin financiar të Telekomit

Kthimi i numrave të kompanisë “Z-Mobile” në “Vala” po konsiderohet arritje nga drejtuesit e Telekomit të Kosovës. Kthimi i këtyre numrave është një e hyrë shtesë, e cila do të ketë ndikim në stabilitetin financiar të Telekomit. Kështu ka deklaruar kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Bedri Istrefi, i cili ka shtuar se do të ketë oferta të mira për konsumatorët. “Ashtu siç u kemi premtuar konsumatorëve, ata nuk do të mbesin pa shërbime dhe do të vazhdojnë të kenë shërbime të Telekomit të Kosovës. Këtë kthim të numrave ne e vlerësojmë si një e hyrë shtesë, e cila do të krijojë mundësi të stabilitetit tekniko-financiar dhe në të njëjtën kohë kemi përgatitur paketa jashtëzakonisht atraktive për konsumatorët që tash e tutje janë pjesë e Telekomit të Kosovës”, ka pohuar ai.

Edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, u shpreh se kthimi i numrave të “Valës” është një arritje e madhe për Telekomin, duke theksuar se këta numra janë kthyer në vendin e tyre. “Është një proces i cili ka qenë i pritshëm, një punë e mirë që është duke u bërë. Këta numra kanë qenë të ‘Valës’ dhe janë prapë në ‘Valë’ dhe është një arritje e madhe që ne kemi arritur t’i kthejmë këta numra aty ku e kanë vendin”, u shpreh ai.

Telekomit i duhet një menaxhment i ri për ta nxjerrë nga kriza

Naim Gashi, ekspert i ekonomisë, është shprehur për "Zërin" se kalimi i numrave të kompanisë “Z-Mobile” te “Vala” është diçka normale që është dashur të ndodhte më parë, sepse siç thekson ai personat që kanë poseduar këta numra kanë qenë konsumatorë të “Valës” vetëm dallimi ka qenë që paratë e tyre i ka marrë një operator privat përmes një kontrate korruptive. "Kalimi i numrave të ‘Z-Mobile’-it te ‘Vala’ është kthim i konsumatorëve në shtëpinë e tyre, për faktin se ‘Z-Mobile’ është krijuar nëpërmjet një kontrate të dyshimtë të aferës korruptive dhe në fakt vetë ‘Z-Mobile’-i si telefoni virtuale ka qenë një kontratë korruptive që i ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme jo vetëm Telekomit, por edhe shtetit të Kosovës në përgjithësi", ka deklaruar Gashi.

Ai ka theksuar se pas transferimit të këtyre numrave duhet një menaxhment i ri në Telekomin e Kosovës, i cili do ta menaxhonte më mirë situatën dhe ta nxjerrë atë nga kriza. "Mendoj se menaxhmenti aktual i Telekomit të Kosovës nuk është në krye të detyrës për ta ringjallur ose për ta ristrukturuar kompaninë aktuale. Nevojitet një menaxhment i ri për faktin se nuk mund të nxirret Telekomi nga kriza nga ata të cilët ia kanë shkaktuar atë", ka potencuar ai.

Gashi ka shtuar se Telekomi i Kosovës duhet të shpëtohet nga qeveria e ardhshme dhe të thirren në llogaridhënie të gjithë ata, të cilët i kanë shkaktuar dëme kaq të mëdha Telekomit dhe sektorit të telekomunikimeve në përgjithësi. "Fatkeqësisht kjo kontratë është hetuar nga institucionet e drejtësisë dhe është mbyllur. Unë mendoj se kjo kontratë duhet edhe një herë të hapet dhe të shihet se si ka ardhur deri te nënshkrimi i saj dhe cili ka qenë përfitimi i Telekomit të Kosovës, në fakt sa janë humbjet të cilat ia ka shkaktuar ky operator për kaq vite", ka përfunduar ai. //ZERI