Sindikalistët kërcënojnë me protesta e greva, duan paga me rritje

Sindikalistët kërcënojnë me protesta e greva, duan paga me rritje

Ekonomia nëntor 26, 2019 - 08:48
Detajet
Image

SBASHK-u, Federata e Shëndetësisë e Kosovës (FSSHK), si dhe Sindikata e Policisë e Kosovës (SPK) kanë paralajmëruar greva dhe protesta në rast se pagat nuk do të dalin me rritje gjatë muajit dhjetor, ashtu siç është paraparë me Ligjin e Ri për Pagat, shkruan sot gazeta "Zëri".

Javë më parë Institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë të ditur për “Zërin” se 17 sindikata, ndër to edhe grupe ankuesish të tjerë, kanë dërguar ankesë lidhur me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Këto ankesa kanë shtyrë tri sindikata, që po presin pagat me rritje në dhjetor, të paralajmërojnë greva e protesta. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (SBASHK-u), Federata e Shëndetësisë e Kosovës (FSSHK), si dhe Sindikata e Policisë e Kosovës (SPK) dje gjatë një takimi me Avokatin e Popullit, Hilmi Jasharin, kanë konfirmuar se janë të kënaqur me rritjen e pagës që u është bërë me këtë ligj dhe se presin që këto paga t’i marrin me rritje gjatë fundvitit. Në të kundërtën, ata kanë paralajmëruar pasoja për vendin në rast se i njëjti ligj pezullohet në rast se Avokati i Popullit e dërgon në Gjykatën Kushtetuese.

Pakënaqësitë e SBASHKU-t rreth Ligjit për Paga

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (SBASHK-u) ka paralajmëruar greva në rast se Ligji për Paga pezullohet dhe pagat nuk do të merren me rritje gjatë muajit dhjetor ashtu siç ishte paralajmëruar. Rrahman Jashari, kryetar i kësaj Sindikate, ka bërë të ditur për “Zërin” se mosmarrja e pagave në bazë të Ligjit të Ri do të krijojë pakënaqësi dhe telashe në vend. “Ne i treguam Avokatit të Popullit që Ligji për Paga duhet të zbatohet. Nga këto sindikata është bërë goxha përpjekje për këtë ligj. Ne ia kujtuam atij edhe grevën që e kemi bërë pikërisht për këtë. Ne i thamë që mosmarrja e pagave sipas Ligjit për Paga do të krijojë telashe dhe pakënaqësi të mëdha te këta tre sektorët më të rëndësishëm për Kosovën dhe apeluam tek ai që të ketë kujdes tek angazhimet e tij, në mënyrë që ligji të fillojë së zbatuari”, ka thënë Jashari për “Zërin”.

Sindikata e Policisë: Do t’i ndërmarrim hapat që na takojnë me ligj

Në anën tjetër Shaban Tasholli, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ka konfirmuar për “Zërin” se edhe kjo Sindikatë do të bashkëngjitet në greva e në protesta në rast se pagat nuk dalin me rritje gjatë muajit dhjetor. “Sindikata do t’i ndërmarrë hapat e duhur, që i takojnë me ligj. Kuptohet arsimi dhe shëndetësia kanë grevat, ndërsa Policia e Kosovës ka të drejtë protestën. Nëse nuk ndodh marrja e pagave me rritje, ne do t’i ndërmarrim hapat sindikalë”, ka thënë Tasholli.

Tutje ai pohoi se shkak për këto reagime është bërë pakënaqësia e disa sindikatave e shprehur tek Avokati i Popullit lidhur me Ligjin për Pagat. “Në Institucionin e Avokatit të Popullit ka pasur ankesa nga disa sindikata dhe në bazë të tyre duhet të anulohet ligji. Ne kemi një vit e gjysmë që kemi punuar në këtë projekt dhe e ka aprovuar Qeveria. Tash del dikush i pakënaqur. Për kërkesat e këtyre të pakënaqurve Avokati dëshiron ta dërgojë ligjin në Gjykatë Kushtetuese dhe ta anulojë në tërësi atë”, ka thënë tutje ai.

Sindikata e Shëndetësisë: Kemi respektuar çdo afat ligjor

Blerim Shala, nga Federata e Shëndetësisë e Kosovës, pohoi se Ligji për Paga qysh nga fillimi ka kaluar me protesta e me greva. Sipas tij, nga Sindikatat është respektuar çdo afat ligjor dhe kohor lidhur me këtë ligj. “Me greva e protesta ka kaluar ky Ligj i Pagave. Janë bërë 9 muaj prejse ligji ka kaluar. Kemi respektuar çdo afat ligjor dhe të dalë dikush e të thotë ta dërgojmë në Kushtetuese, me të vërtetë kjo është skandaloze. Me siguri se vendimi do të jetë shumë i rreptë, unë po flas për të tri sindikatat që kemi qenë në takim. Kemi shkuar që të jemi korrektë me kohën, që t’ua bëjmë me dije se është duke u luajtur me 60 mijë punëtorë të sistemit publik, i kemi treguar se kanë pasur kohë 2 vjet të punohet. Kjo nuk është fontanë dëshirash”, ka thënë Shala për “Zërin”.

Kërcënimet e sindikatave

Dje Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e Shkencës dhe e Kulturës ka zhvilluar një takim me Avokatin e Popullit, Hilmi Jasharin. Pas këtij takimi ata kanë paralajmëruar pasoja të mëdha në rast se në dhjetor nuk i marrin me rritje pagat, ashtu siç parashihet me Ligjin e Ri për Paga. Sipas SBASHK-ut, nëse ky ligj i ri nuk hyn në fuqi për 60 mijë të punësuar në sektorin publik do të ketë pasoja ekonomike. Këtij reagimi i janë bashkangjitur edhe Federata e Shëndetësisë e Kosovës (FSSHK), si dhe Sindikata e Policisë e Kosovës (SPK).

“Pas takimit të zhvilluar me Avokatin e Popullit z. Hilmi Jasharin, njoftojmë opinionin e gjerë të Republikës së Kosovës se kryetarët e të tri sindikatave, SBASHK-u, FSSHK-ja dhe SPK-ja, kanë zhvilluar takim me Avokatin e Popullit. Ky takim është realizuar me qëllim të qartësimit të situatës në lidhje me Ligjin e Pagave. Duke mos dashur të ndikojmë në punën e Avokatit të Popullit, atij ia kemi bërë me dije se nëse pagat e muajit dhjetor nuk dalin me ligj të ri, atëherë pasojat janë të paparashikueshme, gjë të cilën nuk e dëshirojmë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga këto sindikata./ZËRI