Edhe pas 6 vjetësh katër objekte shkollore ende pa përfunduar

Edhe pas 6 vjetësh katër objekte shkollore ende pa përfunduar

Ekonomia nëntor 26, 2019 - 08:44
Detajet
Image

Në Drejtorinë e Arsimit në Skenderaj i kanë thënë “Zërit” se asnjë objekt shkollor, që ka filluar të ndërtohet në gjashtë vjetët e fundit (objekti i gjimnazit, shkolla në Qubrel, ajo në Qirez dhe shkolla në Polac), nuk është i gatshëm për t’i pranuar nxënësit ndonëse pagesat janë kryer, ndërsa edhe Komuna ka kryer obligimet e veta. Latifi: Më së afërti për t’i pranuar nxënësit është shkolla e Qirezit, të tjerat ende larg, shkruan sot gazeta "Zëri".

Katër objekte shkollore në komunën e Skenderajt kanë filluar të ndërtohen para më shumë se 6 vjetësh dhe asnjëri nga ta nuk është i gatshëm për t’i pranuar nxënësit. Përveç objektit të shkollës në Polac, i cili ka filluar të ndërtohet në fillim të vitit 2018, objekti i gjimnazit dhe shkollat në Qubrel e në Qirez kanë filluar të ndërtohen para 6 vjetëve dhe ende nuk janë të gatshme. Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë e Republikës së Kosovës, Ministria e Financave, si dhe Komuna e Skenderajt i kanë kryer të gjitha obligimet e tyre, derisa Ministria e Financave e Republikës së Kosovës, në mesin e vitit 2018, ka ndarë edhe 800 mijë euro për përfundimin e objektit të gjimnazit “Hamzë Jashari” me programin e investimeve kapitale, ndërsa MASHT-i ka ndarë 450 mijë euro për ndërtimin e shkollës fillore në Polac. Mjetet u janë paguar punëkryesve edhe për dy shkollat tjera, në Qubrel dhe në Qirez.

Punëkryesit nuk kanë arsyetim për zvarritje, pagesat ndaj tyre janë kryer

Asnjë punëkryes nuk mund t’i arsyetojë zvarritjet me mungesë të mjeteve financiare, pasi detyrimet financiare ndaj tyre janë kryer. “Në programin ‘Investimet kapitale në arsimin parauniversitar’, me kod 98100, shtohet projekti i ri ‘Ndërtimi i shkollës së mesme ‘Hamzë Jashari’ – Skenderaj’, në shumën prej 400 mijë eurosh në vitin 2018. Në vitin 2019 shtohet shuma prej 400 mijë eurosh”, thuhet në Nenin 3.2 të Ligjit për Buxhetin. Objekti i ri i gjimnazit “Hamzë Jashari” ka filluar të ndërtohet para 6 vjetëve dhe se deri më tani kanë përfunduar pothuajse të gjitha punët. Punëkryerësi, kompania ndërtimore “R & Rukolli”, disa herë kishte paralajmëruar për mungesë të mjeteve, gjë e cila kishte bërë që punët të mos përfundonin në afatin e paraparë. Ai u pati kërkuar autoriteteve komunale të Skenderajt të kërkojnë nga MASHT-i alokimin e mjeteve të premtuara për përfundimin e objektit të gjimnazit, i cili ka filluar të ndërtohet në afërsi të shkollës së mesme teknike “Anton Çetta”, por tani gjithçka është në rregull sa u përket mjeteve për ndërtimin e objektit të ri të gjimnazit, shkruan tutje "Zëri".

Bekim Latifi, drejtor i Arsimit në Komunën e Skenderajt, i tha “Zërit”, të hënën, se vërtet nuk e di për ç’arsye nuk është i gatshëm objekti për t’i pranuar nxënësit, kur gjithçka ka përfunduar. “Nuk e di, vërtet, një komision ka punuar dhe ka konstatuar gjendjen, më duket që ende nuk ka përfunduar salla e edukatës fizike. Ne i kemi kryer obligimet tona si Komunë, pasi e kemi paguar kyçjen e objektit në rrjetin elektrik”, ka thënë Latifi, i cili në pyetjen se kur do të mundë të jetë i gatshëm objekti i gjimnazit për nxënësit është përgjigjur se nuk mund të thotë saktësisht se kur do të fillojë mësimi në këtë objekt. “Nuk mund të them asgjë, ndoshta me fillimin e vitit të ardhshëm shkollor”, është përgjigjur ai. Edhe Qeveria e Kosovës e edhe autoritetet komunale të Skenderajt kishin premtuar se objekti i ri i gjimnazit do të jetë i gatshëm për t’i pranuar nxënësit me fillimin e vitit shkollor 2017/2018.

Vonesat në disa shkolla

Në Komunën e Skenderajt janë edhe dy objekte të tjera shkollore, të cilat nuk kanë përfunduar ende, shkolla në Qirez dhe ajo në Qubrel.

Në Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë së Republikës së Kosovës i patën thënë “Zërit” pak muaj pasi kishte filluar ndërtimi se mjetet për këto shkolla janë siguruar dhe se mësimi në të tria shkollat do të fillojë në shtatorin e vitit 2017, gjë që nuk ka ndodhur, pasi mësimi nuk ka filluar as në vitin 2017, as në vitin 2018 e siç duket as në vitin 2019.

Në anën tjetër, gjithashtu me Ligjin për Buxhet të Republikës së Kosovës Qeveria e vendit kishte ndarë 450 mijë euro për ndërtimin e shkollës së re në Polac. Përfundimi i këtij objekti shkollor është pritur të ndodhë në këtë vit, por gjendja aktuale e objektit tregon se mund të shkojnë edhe dy vjet e objekti të mos kryhet, pasi deri më tani kanë përfunduar vetëm punët e vrazhda. Për këtë objekt shkollor Ministria e Financave ka ndarë 200 mijë euro në vitin 2018 dhe 250 mijë euro për vitin 2019. “Në programin ‘Investimet kapitale në arsimin parauniversitar’, me kod 98100, shtohet projekti i ri ‘Ndërtimi i shkollës fillore dhe sportive ‘Drenica’ në Polac – Skenderaj’, në shumën prej 200 mijë eurosh në vitin 2018. Në vitin 2019 shtohet shuma prej 250 mijë eurosh”, thuhet gjithashtu në Nenin 3.2 të Ligjit për Buxhetin.

Duke folur për rrjedhën e punëve në ndërtimin e shkollës së Qirezit, drejtori i Arsimit Bekim Latifi tha se ky objekt veçse ka përfunduar dhe ndoshta do t’u dorëzohet nxënësve në dhjetor. “Më së afërti është të kryhet shkolla e Qirezit, atje nuk ka më punë për t’u kryer, ndoshta kjo shkollë do të jetë gati dhe do të lëshohet në dhjetor të këtij viti ose më së largu deri me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë”, ka thënë ai. Gjendje e njëjtë sikurse me objektin e gjimnazit “Hamzë Jashari” është edhe me atë të shkollës së Qubrelit.

I pari i Arsimit në Komunën e Skenderajt, Bekim Latifi, tha se për ndërtimin e shkollës së Qubrelit ka pasur vonesa të mëdha, të shumtën për mungesë të mjeteve, por tani situata është më ndryshe, pasi mjetet u janë dhënë punëkryesve dhe se pothuajse të gjitha punët janë kryer. Latifi shtoi se edhe shkolla e Qubrelit do të jetë e gatshme për pranimin e nxënësve me fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021./ZËRI