Hapet Konventa e Bizneseve, synohet lidhja e bizneseve kosovare me ato të huaja

Hapet Konventa e Bizneseve, synohet lidhja e bizneseve kosovare me ato të huaja

Ekonomia nëntor 26, 2019 - 08:34
Detajet
Image

Udhëheqësi i degëve të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Evropë, Yll Blakaj, potencoi se qëllimi i kësaj konvente është krijimi i klimës për rritjen e investimeve në Kosovë. Ndërsa Lazim Destani, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, e sheh të nevojshëm krijimin e vendeve të punës në Kosovë. Sipas tij, kjo mund të arrihet përmes rritjes së bashkëpunimit në mes të bizneseve vendore dhe atyre të huaja, shkruan sot gazeta "Zëri".

Për dy ditë radhazi në Kosovë do të jetë e hapur Konventa e Bizneseve të Diasporës dhe të huaja. Qëllimi i kësaj Konvente është rrjetëzimi dhe bashkëpunimi në mes të bizneseve të Kosovës dhe atyre të huaja. Nga pjesëmarrësit vlerësohet se mbajtja e konventave të tilla mundëson përafrimin e bizneseve të Kosovës me ato të huaja.

Joshua Mike, drejtor i Zyrës së USAID-it në Kosovë, ka përgëzuar bizneset nga diaspora për lidhjen që po ua bëjnë bizneseve kosovare me tregjet e reja drejt Bashkimit Evropian. Ai po ashtu përgëzoi edhe mbajtjen e kësaj Konvente, pasi kjo mundëson rritjen ekonomike në Kosovë. “Përmes vizitave në terren, duke biseduar për konventa të ndryshme, duke u takuar me udhëheqësit e bizneseve, është një optimizëm i shëndetshëm për një të ardhme më të ndritur ekonomike”, ka thënë Mike.

Ndër të tjera, ai u shpreh i impresionuar me sofistikimin e bizneseve, me përparimin dhe me përfshirjen e teknologjisë në biznese.

Qëllimi i Konventës, krijimi i klimës për rritjen e investimeve në Kosovë

Udhëheqësi i degëve të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Evropë, Yll Blakaj, potencoi se qëllimi i kësaj konvente është krijimi i klimës për rritjen e investimeve në Kosovë. Kështu Blakaj u bëri thirrje bizneseve vendore dhe atyre të huaja t’i shfrytëzojnë këto takime për të rritur më tutje bashkëpunimin. Si kërkesë të veçantë për kryetarët e komunave ai pati shpalosjen e programeve të tyre lidhur me diasporën. “Prodhuesit tanë, të cilët tashmë prodhojnë edhe në Kosovë, hapësirën e tregut evropian e gjejnë shumë më lehtë nëpërmjet këtyre evenimenteve, që kanë për qëllim edhe krijimin e besueshmërisë në mes të bizneseve të diasporës dhe bizneseve vendore. Për të arritur sukses na duhet punë dhe përkushtim, na duhet besueshmëria. Të fillojmë t’i besojmë njëri-tjetrit, si partnerë dhe biznese shqiptare tjetër zgjedhje nuk kemi”, theksoi Blakaj.

Ndërsa Lazim Destani, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, e sheh të nevojshëm krijimin e vendeve të punës në Kosovë. Sipas tij, kjo mund të arrihet përmes rritjes së bashkëpunimit në mes të bizneseve vendore dhe atyre të huaja. Si kryetar nderi pati edhe një kërkesë karshi bizneseve vendore dhe atyre të diasporës shqiptare. “Dëshiroj të keni biseda këto dy ditë që jemi bashkë, mos përtoni ju kompanitë vendore, por edhe të diasporës, të komunikoni, të bisedoni, që sa më shumë të ofroheni njëri me tjetrin, sepse kështu jemi gjithmonë më të fortë. Unë jam më se i bindur që kompanitë nga diaspora kanë ardhur këtu me vetiniciativë, me harxhime personale dhe për faktin se e duan Kosovën, e duan vendin dhe duan t’i ndihmojnë Kosovës”, ka thënë Lazim Destani.

Përkushtim të afarizmit kosovar për zhvillim ekonomik i ka parë këto forume nënkryetari i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, Bekim Borovci.

Përmes këtyre takimeve rritet bashkëpunimi në mes të bizneseve në Kosovë dhe në diasporë

“Një forum i tillë ekonomik në vazhdimësi dëshmon përkushtimin e afarizmit kosovar dhe të diasporës së saj në ndezjen e impulseve të reja për një vazhdim të implementimit të platformës intensive dhe zhvillimore të filluar nga themelimi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës. Si energji e re e ndërtuar nga mundësia e ofruar e të bërit biznes në Kosovë, kapitali së bashku me përvojën nga diaspora mund të hapë një zhvillim për Kosovën. Janë aset i ri i kalitur në vendet më të zhvilluara të botës, me resurse të pashfrytëzuara të Kosovës”, tha Borovci, shkruan tutje "Zëri".

Përfaqësuesja nga Ministria e Diasporës, Shqipe Krasniqi, pohoi se përmes këtyre takimeve rritet bashkëpunimi në mes të bizneseve në Kosovë dhe të atyre në diasporë. Ajo theksoi se Ministria ka hartuar dokumente strategjike, që ndihmojnë këtë lidhje.

“Përmes këtyre takimeve forcohet dhe zgjerohet bashkëpunimi në mes të bizneseve të diasporës, atyre të huaja me ato kosovare, duke promovuar qasjen e bizneseve të vendit në tregjet ndërkombëtare. Në strategjinë tonë kemi paraparë disa objektiva se si do t‘i realizojnë qëllimet tona. Kjo do të bëhet përmes fuqizimit të bashkëpunimit me diasporën për zhvillimin ekonomik, promovim të aseteve investive e promovim të turizmit përmes diasporës”, u shpreh Krasniqi.

Konventa e Bizneseve të Diasporës dhe të huaja organizohet nga Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare nga Evropa, në bashkëpunim me USAID-in. Këto konventa gjatë viteve të kaluara kanë zhvilluar 542 takime B2B mes 401 bizneseve të diasporës dhe 132 bizneseve të Kosovës, duke rezultuar me nënshkrimin e 12 kontratave, 42 marrëveshjeve, oferta të reja të iniciuara, si dhe kontrata të reja të shitjes me vlerë 1.1 milion euro./ZËRI