Mbi 55 për qind e serbëve nuk e shohin veten në Kosovë gjatë 5 vjetëve të ardhshëm
Foto: Laura Hasani

Mbi 55 për qind e serbëve nuk e shohin veten në Kosovë gjatë 5 vjetëve të ardhshëm

Ekonomia November 22, 2019 - 08:20
Detajet
Image

Sipas një hulumtimi të organizatës “Aktiv” në veri të Mitrovicës, rezultatet e të cilit janë prezantuar të enjten, 73 për qind e serbëve të anketuar në 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë janë deklaruar kundër idesë për korrigjimin e kufirit, ndërsa 50 për qind e të anketuarve mendojnë se kërcënimi më i madh për sigurinë në Kosovë janë proceset aktuale politike. Veber: Emigrimi nuk ndodh për shkaqe socio-ekonomike, por sepse qytetarët kanë humbur besimin për jetë normale, shkruan sot gazeta "Zëri".

Mbi 50 për qind e serbëve të Kosovës nuk e shohin veten në shtetin më të ri (Kosovë) në 5 vjetët e ardhshëm, kanë treguar rezultatet e një analize të realizuar në vitin 2019. Në hulumtim janë përfshirë kryesisht qëndrimet e bashkësisë serbe në Kosovë lidhur me çështjet më të rëndësishme politike, të sigurisë dhe ato socio-ekonomike. Rezultatet e hulumtimit dhe analizën e rezultateve e ka paraqitur organizata “Aktiv” në veri të Mitrovicës, të enjten.

Çka tregon hulumtimi në 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë?

Hulumtimi është kryer në 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë, duke shfrytëzuar anketa, intervistat dhe fokus grupet si instrumente për mbledhjen e të dhënave. Sipas rezultateve të këtyre analizave e të hulumtimeve që janë bërë për vitin 2019, 92 për qind e serbëve mendojnë se trendet e përgjithshme në Kosovë nuk janë inkurajuese për bashkësinë serbe. Kjo e dhënë sqarohet tutje si konotacion i keq, me të cilin karakterizohen të gjitha proceset kryesore politiko-shoqërore në terren e të cilat qytetarët tashmë i njohin. “Në këtë mënyrë, madje 41,6 për qind e qytetarëve mendojnë se papunësia dhe gjendja ekonomiko-sociale janë problemet kryesore me të cilat ata përballen dhe kjo është për herë të parë që ky problem identifikohet si kryesori. Deri më tani në katër vjetët e kaluara, për sa janë bërë hulumtime, pasiguria dhe gjendja shumë e keqe e sigurisë vlerësohen si çështje që nuk janë përmirësuar. Ndërkaq 60,2 për qind e qytetarëve të anketuar mendojnë se nuk ekziston asnjë politikan, të cilit ata i besojnë. Këtë e shpjegon hapi tjetër, sipas të cilit rreziku më i madh për sigurinë në Kosovë, sipas 50 për qind të të anketuarve, janë efektet e proceseve politike”, ka shpjeguar Miodrag Miliçeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës “Aktiv”. Sipas tij, nga numri i atë anketuarve, 75,6 për qind mendojnë se nuk janë të lirë t’i shprehin mendimet e tyre dhe qëndrimet politike, ndërsa 46,9 për qind janë shprehur se qëndrimet kritike dhe mendimet e pavarura nuk janë përfshirë në masë të mjaftueshme në medie.

73,3 për qind e serbëve të Kosovës nuk pajtohen me idenë e korrigjimit të kufijve

“Për herë të parë të anketuarit janë pyetur edhe për korrigjimin e kufijve dhe sipas rezultatit, gjithsej 73,3 për qind e tyre nuk pajtohen me këtë ide, 80 për qind në jug, respektivisht 66 për qind në veri të Kosovës. E dhëna më e rëndësishme është se madje 55,3 për qind e të anketuarve në 5 vjetët e ardhshëm nuk e shohin veten në Kosovë. Ky trend është në rritje, në këtë trend negativ për herë të parë i kemi treguar opinionit para katër vjetësh, kur kjo përqindje ishte 46. Në katër vjetët e kaluara ky hulumtim është kryer vetëm në veri të Kosovës, ndërkaq tani kemi në kontest të gjerë. Kjo është e dhënë alarmante dhe bëhet fjalë për një problem shumë serioz për bashkësinë serbe në Kosovë”, ka vijuar Miliçeviq.

Duke komentuar faktin se 92 për qind e qytetarëve serb trendet në Kosovë i shohin dekurajuese, Miliçeviqi tha se në vazhdimësi njerëzit janë të kënaqur me përparimet, porse është befasues fakti se pikërisht 50 për qind e të anketuarve e shohin politikën si rrezikun më të madh për siguri. “Është e habitshme që njerëzit politikën në vend si mekanizëm për ndryshime dhe për të mirë e përjetojnë si kërcënim e pengesë për jetë normale”, shprehet ai.

Gjatë prezantimit të rezultateve të hulumtimit ka marrë pjesë edhe këshilltari i lartë i Këshillit të Berlinit për Demokratizime Politike, Bodo Veber, i cili ka thënë se gjithmonë në serbët e Kosovës është shikuar sikur në një objekt dhe mjet politik, që udhëhiqet në relacionin Beograd - Prishtinë, andaj shikuar nga ky kënd është menduar zgjidhja e problemit dhe e dialogu “dhe nga gjendje objekti, populli serb është bërë subjekt i fatit të vet”. “Rezultatet e kësaj analize janë të qarta, qytetarët në asnjë mënyrë nuk janë të kënaqur. Një gjendje e njëjtë është në gjithë rajonin, veçanërisht kur bëhet fjalë për emigrimet, populli largohet më së paku për shkak të gjendjes socio-ekonomike, ata largohen sepse kanë humbur shpresën për një jetë më të mirë dhe nga dëshira për jetë normale. Emigrimet kanë marrë aq shumë hov, sa mund të them se bëhet fjalë për eksod në gjithë rajonin. Përveç Kosovës, situatë e njëjtë është edhe në Bosnjç e Hercegovinë dhe kjo nuk është e rastësishme. Arsyeja është moszgjidhja e çështjes së statusit”, ka thënë Veber, duke shtuar se shkaqet e të gjitha problemeve janë mosndarja e politikes nacionale nga tregimi për jetë reale.

Për Nenad Radosavleviqin dhe Zhelko Tverdishiqin, të cilët kanë thënë se nga aspekti i të shprehurit kritik dhe qasjes së situatës, në Kosovë është më mirë se në Serbi. “Është normale se qytetarët nuk u besojnë politikanëve, pasi për 20 vjet nuk është asgjë më mirë. Këto rezultate duhet të jenë sinjal për kompetentët që në pozitat me përgjegjësi duhet të vijnë kuadrot më të mira që të çinstalohen të gjitha të këqijat, të cilat janë mbledhur në dy dekadat e kaluara në institucione”, kanë thënë ata.

Siç përcjell radio “Kontakt Plus”, rezultatet e analizës do të prezantohen më 26 nëntor në Prishtinë e në Beograd në muajin dhjetor. Hulumtimi është kryer në kuadër të projektit “Analiza e trendeve – hulumtimi i opinionit në bashkësinë serbe në Kosovë”, që mbështetet nga Fondi Kosovar për Shoqëri të Hapur – KFOS./ZËRI