“BQK-ja po favorizon kompanitë e sigurimeve, Prokuroria t’i nisë hetimet”

“BQK-ja po favorizon kompanitë e sigurimeve, Prokuroria t’i nisë hetimet”

Ekonomia November 21, 2019 - 20:32
Lexoni detajet!

Gjatë ditëve në vijim janë paralajmëruar protesta në lidhje me vendimin e marrë nga Banka Qendrore e Kosovës për rritjen mbi 26 për qind të tarifave për sigurimin e automjeteve. Ekspertë të çështjeve të ekonomisë në vend kanë vlerësuar se ky vendim do t’i dëmtojë qytetarët dhe se Prokuroria duhet të bëjë hetime se si është marrë një vendim i tillë, shkruan "Zëri". 

Për vendimin e marrë nga BQK-ja është kërkuar edhe fillimi i hetimeve nga Prokuroria e Shtetit.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Naim Gashi, ka thënë për “Zërin” se edhe Kuvendi i ri i Kosovës duhet të themelojë një komision hetimor për punën e BQK-së.

“Unë mendoj që Prokuroria e Kosovës duhet të fillojë menjëherë hetimet se si erdhi deri te ky vendim, ndërsa Kuvendi i ri i Kosovës duhet të themelojë një komision hetimor për punën e BQK-së në raport me bankat komerciale dhe me kompanitë e sigurimeve”.

Ai ka thënë më tutje se për marrjen e një vendimi të tillë BQK-ja nuk ka pasur edhe konsultime me publikun, derisa nga ky vendim do të përfitojnë oligarkët e Kosovës.

“Nga ky vendim përfitojnë oligarkët e Kosovës, të cilët janë të lidhur drejtpërdrejt me liderët politikë dhe me familjarët e tyre. Për marrjen e këtij vendimi BQK-ja nuk ka pasur transparencë dhe asnjë konsultim me publikun, madje ishin mediet ato që zbuluan skenarin për rritjen e sigurimit të automjeteve. Autoriteti i Konkurrencës si institucion kompetent ka thënë se nuk është konsultuar asnjëherë nga BQK-ja për marrjen e këtij vendimi skandaloz”, tha Gashi më tutje. /ZERI