Rritja e çmimit të sigurimit të veturave, kërkohet që Prokuroria të nisë hetime ndaj BQK-së

Rritja e çmimit të sigurimit të veturave, kërkohet që Prokuroria të nisë hetime ndaj BQK-së

Ekonomia November 19, 2019 - 21:14
Detajet

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka marrë vendim që të rrisë çmimet për sigurimin e detyrueshëm për automjetet për pasagjerë, e kjo rritje do të jetë mbi 26 për qind, shkruan GazetaBlic.

Vendim për rritjen e çmimeve për sigurimin e automjeteve i marrë nga BQK ka hyrë në fuqi më 15 nëntor të këtij viti, por ky vendim nuk është mirëpritur nga të gjithë, e sidomos nga qytetarët të cilët do ta pësojnë më së shumti, e më pas edhe bizneset e ndryshme.

Ekonomisti i njohur, Naim Gashi në një prononcim përcim për GazetaBlic tha se vendimi i BQK-së është skandaloz në dëm të qytetarëve dhe të bizneseve, e nga ky vendim po përfitojnë oligarkët e Kosovës që janë të lidhur me liderët politik.

“Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për pranimin e rritjes e çmimit të sigurimit të automjeteve është një vendim skandaloz në dëm të qytetarëve dhe bizneseve. Nga ky vendim përfitojnë oligarkët e Kosovës, të cilët janë të lidhur drejtpërdrejt me liderët politikë dhe familjarët e tyre”, tha ai.

Gashi tha se BQK nuk ka qenë transparente për këtë vendim, por falë medieve u bë e ditur, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës kishte thënë që nuk kishte pasur asnjëherë ndonjë konsultim me BQK-në në lidhje me këtë vendim.

“Për marrjen e këtij vendimi, BQK nuk ka pasur transparencë dhe asnjë konsultim me publikun, madje ishin mediat ato që zbuluan skenarin për rritjen e sigurimit të automjeteve. Autoriteti i Konkurrencës si institucion kompetent ka thënë se nuk është konsultuar asnjëherë nga BQK për marrjen e këtij vendimi skandaloz”, tha ai.

Gashi tha se BQK po favorizon bankat dhe kompanitë e sigurimeve me këtë vendim që mori për rritjen e tarifave për të siguruar automjetet.

“BQK ngjashëm me sistemin bankar, është shndërruar në institucion që po favorizon bankat dhe kompanitë e sigurimeve në kurriz të qytetarëve dhe bizneseve”, shtoi Gashi për GazetaBlic.

Ai ka thënë se Prokuroria duhet të zhvilloj hetime në lidhje me këtë vendim, e ndërsa legjislatura e re e Kuvendit të themeloj Komision hetimor për BQK-në.

“Unë mendoj që Prokuroria e Kosovës duhet të fillojë menjëherë hetimet se si erdhi deri te ky vendim, ndërsa Kuvendi i ri i Kosovës duhet të themelojë një Komision hetimor për punën e BQK-së në raport me bankat komerciale dhe kompanitë e sigurimeve”, tha Gashi.