Mbizotërimi enorm i importit mbi eksportin, me pasoja të shumta për Kosovën

Mbizotërimi enorm i importit mbi eksportin, me pasoja të shumta për Kosovën

Ekonomia November 18, 2019 - 12:00
Lexoni detajet!
Image

Importi për vite me radhë është duke e mbizotëruar drastikisht eksportin në Kosovë. Nga njohësit e rrethanave ekonomike vlerësohet se Qeveria e re duhet të krijojë mekanizma për ta zbutur disproporcionin e madh mes importit dhe eksportit, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Kosova për vite me radhë është duke u përballur me një diferencë të madhe në mes të importit dhe eksportit.

Mbizotërimi i importit mbi eksportin nga njohësit e rrethanave po vlerësohet se është rrjedhojë e moszhvillimit ekonomik të Kosovës, teksa nga të dhënat e siguruara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) kjo gjendje nuk ka ndryshuar as muajve të fundit. Në anën tjetër, nga ekspertët është duke u parë e nevojshme ndërmarrja e masave nga Qeveria e ardhshme për ta balancuar eksportin dhe importin.

Importi, drastikisht më i lartë se eksporti

Statistikat e fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës janë për muajin shtator. Duke u bazuar në rezultatet e nxjerra nga ASK-ja vërehet një shifër drastikisht më e lartë e importit në Kosovë, duke e krahasuar me shifrat e eksportit.

Eksporti i mallrave në muajin shtator 2019 kishte vlerën 38.4 milionë euro, ndërsa importi 295.7 milionë euro. Sipas të dhënave të ASK-së, grupet kryesore të eksportit përfshijnë: metalet bazë dhe artikujt e tyre me 35,9%; 13,0% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 12,1% e përbëjnë produktet minerale; 9,8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8,1% e përbëjnë produktet bimore; 5,1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3,3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike.

Ndërsa, sipas të dhënave, importi sipas llojeve të produkteve duket pak a shumë kësisoj: 14,6% e përbëjnë produktet minerale; 11,8% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11,8% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11,5% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8,4% mjetet e transportit; 7,3% e përbëjnë produktet e industrisë kimike dhe 6,5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, shkruan më tutje Gazeta "Zëri".

Rreth 33,5% e eksporteve të përgjithshme të Kosovës janë drejt vendeve të BE-së, me partnerë kryesorë: Gjermania (9,3%), Holanda (4,2%), Danimarka (3,9%), Italia (3,8%), Britania e Madhe (3,6%) etj., kurse importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 142.3 milionë euro, ose 48,1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 14,7%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12,2%), Italia (6,5%), Greqia (5,2%), Sllovenia (3,9%), Bullgaria (3,3%) etj.

Në muajin shtator 2019 eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 16.0 milionë euro, ose 41,8% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 6,3%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (18,0%), Maqedonia (10,3%), Serbia (6,7%), Mali i Zi (4,8%).

Ndërsa importet e Kosovës nga vendet e CEFTA-s në muajin shtator 2019 arritën në 42.5 milionë euro, ose 14,4% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-48,2%)

. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia (6,9%), Shqipëria (6,2%), ndërsa importet nga Serbia kanë rënë në shifrën 0,2%, gjithsesi si rrjedhojë e aplikimit të taksës qind për qind për produktet serbe. 

Moszhvillimi ekonomik, shkaktar i disproporcionit mes eksportit dhe importit

Sipas Musa Limanit, profesor dhe njohës i çështjeve ekonomike, moszhvillimi ekonomik i Kosovës është shkaktari kyç i disproporcionit të madh në mes të eksportit dhe importit.

“Shkaktari kryesor i disproporcionit të madh (enorm) ndërmjet eksportit dhe importit është moszhvillimi ekonomik i Kosovës. Ky disproporcion ndërmjet eksportit dhe importit, me dominim të importit, tregon se ekonomia e Kosovës është në nivel shumë të ulët dhe me një strukturë shumë të pavolitshme, ku dominojnë degët shërbyese në raport me degët prodhuese”, ka thënë ai për “Zërin”.

Limani konsideron se përgjegjësinë për moszhvillimin ekonomik e bart ekzekutivi.

“Përgjegjësinë për moszhvillimin ekonomik të Kosovës e bartin pushtetmbajtësit, përkatësisht Qeveria, e cila nuk harton e as nuk zbaton politika konsekuente zhvillimore makroekonomike. Kjo ka ndikuar që zhvillimi ekonomik i Kosovës të zhvillohet ad hoc, pa strategji zhvillimore afatgjate, pa vizion dhe në mënyrë parciale”, ka pohuar ai.

Hartimi i strategjisë për zhvillim ekonomik, i domosdoshëm

Duke folur për zbutjen e këtij disproporcioni, profesor Limani tha se është e domosdoshme hartimi i strategjisë së zhvillimin ekonomik.

“Për të ndryshuar kahjet negative të rrjedhave ekonomike, në një anë, dhe zhvillimin dinamik ekonomik nevojitet hartimi i strategjisë së zhvillimit ekonomik, pa të cilin dokument nuk ka zhvillim dinamik dhe të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës në anën tjetër. Mirëpo realizimi i këtij qëllimi nuk mund të arrihet me politikat ekonomike zhvillimore makroekonomike, që i zbaton Qeveria e Kosovës dhe me kuadro partiake”, ka thënë më tutje ai.

Mbizotërimi i importit në Kosovë, sipas Limanit, ka efekte negative, sepse paratë e taksapaguesve shkojnë jashtë Kosovës dhe kështu zvogëlohet mundësia e zhvillimit ekonomik.

“Kuptohet, ky deficit aq i madh i bilancit tregtar ka efekte negative, sepse paraja e popullatës dhe subjekteve ekonomike, në vend që të qarkullojnë në Kosovë, ato shkojnë jashtë vendit tonë dhe kanë efekte negative. Andaj, kjo situatë e bilancit të tregtisë së jashtme ndikon në zvogëlim dhe te fuqia blerëse e konsumatorëve, zvogëlon mundësinë për një zhvillim më të hovshëm ekonomik të vendit tonë. Kjo për arsye se burimi i fitimit është në prodhim e jo në qarkullim”, ka thënë ndër të tjera ai.

Si pasojë e kësaj, njohësi Limani thotë se Kosova është shndërruar në një vend konsumues.

“Kosovën e ka shndërruar në vend konsumues. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, pasi Qeveria e Kosovës nuk po zbaton politike të duhura ekonomike, për ta ndihmuar zhvillimin ekonomik porosia ime si ekonomist është: konsumoni produkte vendore ose më mirë të them nëse duhet të blihet ndonjë produkt ai duhet të jetë nga Kosova”, ka potencuar më tutje ai.

Nga Qeveria e re kërkohet zbutja e diferencave enorme eksport-import

Sipas ekonomistit Mustafë Kadrijaj, Kosova që nga paslufta është përballur me një diferencë të lartë në mes të eksportit dhe të importit. “Për fat jo të mirë, që nga paslufta Kosova është përballur me këtë diferencë në mes të importit dhe eksportit si rezultat i shumë faktorëve politikë dhe ekonomikë”.

Sipas tij, Qeveria e re duhet të veprojë me reciprocitet dhe me balancim të eksportit dhe importit duke vendosur kuota doganore.

“Meqë tani pritet mandatimi i Qeverisë së re vlerësoj se duhet të veprohet me masa të reciprocitetit dhe me kuota doganore, duke tentuar të balancohet eksporti me import. Me gjendjen e tanishme Kosova është bërë një vend i importit dhe jo një vend ku mund të investohet”, ka thënë më tutje ai.

Ndërsa lidhur me detyrat e Qeverisë së re në këtë aspekt, Kadrija pohoi se duhet bërë biznes për t’i rikthyer investimet e huaja në vend.

“Detyra e Qeverisë së re është që të krijojë një ambient të të bërit biznes dhe të kthehen investimet e huaj direkte në vend. Kështu stimulohet prodhimi. Kjo do të reflektonte në rritjen e eksportit dhe në rritjen e punësimit, të mirëqenies ekonomike. Ky stabilitet ekonomik do të reflektonte edhe në nivel politik e diplomatik”, potencoi Kadrijaj.