KDI: Ministria e Infrastrukturës qe 12 vjet nuk i përfundoi dy rrugë nacionale

KDI: Ministria e Infrastrukturës qe 12 vjet nuk i përfundoi dy rrugë nacionale

Ekonomia November 14, 2019 - 10:26
Lexoni detajet
Image

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar hulumtimin “Rrugë pa fund”, në të cilin shpërfaqet dështimi i Ministrisë së Infrastrukturës për realizimin e dy projekteve të mëdha, atë të zgjerimit të rrugës Prishtinë - Pejë dhe të rrugës Prishtinë – Mitrovicë, të cilat i kanë mbushur 12 vjet qëkur kanë nisur punimet, shkruan gazeta "Zëri".

Ministria e Infrastrukturës dhe e Telekomunikacionit ka dështuar për 12 vjet radhazi t’i përfundojë dy projekte madhore infrastrukturore në Kosovë. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dje në një tryezë diskutimi ka publikuar hulumtimin “Rrugë pa fund”, në të cilin u shpërfaqën gjetjet e këtij Instituti nga monitorimi i prokurimit publik. Ky hulumtim zbuloi dështimin e MIT-it për realizimin e dy projekteve të mëdha, atë të zgjerimit të rrugës Prishtinë - Pejë dhe të rrugës Prishtinë - Mitrovicë.

Duke folur mbi gjetjet e hulumtimit Fjolla Uka-Haxhaj, nga KDI-ja, ka theksuar se janë analizuar arsyet që kanë ndikuar në vonesat e përfundimit të këtyre dy projekteve, të cilat tashmë i kanë bërë 12 vjet qysh nga fillimi i punimeve.

“Këto dy projekte kanë filluar në vitin 2007, respektivisht në vitin 2009. Tashmë janë bërë 12 vjet që nuk kanë përfunduar, ndërsa qytetarët nuk kanë informacion se kur pritet të finalizohen edhe mbi 50 kilometra rrugë të papërfunduara nga të dyja projektet”, ka thënë ajo.

Si shkakun kryesor për stërzgjatjen e punimeve në këto dy rrugë nacionale ajo i sheh problemet rreth shpronësimit. Në këtë rast MIT-i ka filluar procedurat ndërtimore pa u përfunduar ende shpronësimi në këto pjesë e si rrjedhojë e gjithë kësaj edhe përfundimi i punimeve nuk ka ndodhur në kohën e paraparë.

Duke u bazuar në të dhënat e publikuara dje nga KDI, MIT-i vetëm në një rast ia ka shkëputur kontratën një kompanie punëkryerëse, për shkak të vonesës në kryerjen e punimeve. Po ashtu KDI-ja gjeti një rast ku një kompani ka paditur Ministrinë për shkak të shpenzimeve shtesë si pasojë e mossigurimit të kushteve të punës.

Hulumtuesja e KDI-së duke folur për gjetjet e tjera tha se gjatë hulumtimit nuk ka hasur në një plan të projektuar nga Ministria e Infrastrukturës, i cili do t’i parashihte detajet e realizimit të projektit në tërësi, për asnjërën nga këto dy projekte. Ajo shtoi se edhe fenomeni i aneks-kontratave ka qenë shumë i shprehur gjatë zhvillimit të këtyre projekteve.

“Kjo ka ndodhur si rrjedhojë e mangësive në hartimin e projekteve, por edhe si rrjedhojë e kërkesave të ndryshme të banorëve të zonave rreth rrugëve për kyçje në rrugë, mbikalime, nënkalime etj.”, ka thënë ajo.

Ndërsa lidhur me vonesat në fillim të punimeve në dy segmente konkrete të këtyre rrugëve (Lum i Madh - Mitrovicë dhe Kijevë - Zahaç) ajo tha se kanë ndodhur si pasojë e vonesës në sigurim të huave të huaja nga ana e Qeverisë për të mbuluar koston financiare, shkruan tutje gazeta "Zëri".

Pas publikimit të këtij hulumtimi KDI-ja doli me një rekomandim për Ministrinë e Infrastrukturës që para fillimit të projekteve infrastrukturore, nëse aplikohet shpronësimi, të presë përfundimin e procesit të shpronësimit për të filluar pastaj me realizimin e projektit. “Meqë hartimi i projekteve dhe i elaborateve të shpronësimit është proces i rëndësishëm për fillimin e një projekti, Ministria e Infrastrukturës duhet të përzgjedhë kompani sa më të kualifikuara për t’i kryer këto punë dhe t’i mbajë ato përgjegjëse në raste të mangësive në produktet e dorëzuara nga to.

Në mënyrë që projektet të realizohen sipas planifikimeve, Ministria e Infrastrukturës duhet t’i kushtojë shumë rëndësi procesit të menaxhimit të kontratave dhe të veprojë kur ka ngecje në projekte. Mbi të gjitha, Ministria e Infrastrukturës duhet të rrisë transparencën dhe të jenë sa më llogaridhënës për punën e vet karshi publikut.

Ky raport është produkt i projektit për monitorimin e prokurimit publik në institucionet publike: MI, MSH, AQP dhe KEK, që financohet nga Ambasada Britanike në Prishtinë”, thuhet në rekomandimin e KDI-së./ZERI