Për 3 vjet kosovarët importuan speca në vlerë prej 15 milionë eurosh

Për 3 vjet kosovarët importuan speca në vlerë prej 15 milionë eurosh

Ekonomia October 22, 2019 - 17:03
Detajet

Sofrat e familjeve kosovare pothuajse gjithmonë janë të mbushura me speca. “Dashuria” e kosovarëve për këtë lloj perimeje vërehet edhe në shumën e parave që shpenzojnë për furnizim. Vetëm deri në nëntor të këtij viti, familjet kosovare kanë importuar speca në vlerë 6.5 milionë euro, derisa vlera e importit për tri vitet e fundit shkon në rreth 15 milionë euro. Sasia më e madhe e tyre importohet nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Me ardhjen e vjeshtës, janë rritur edhe kërkesat e qytetarëve për blerjen e specave. Shumica e tyre iu janë drejtuar tregjeve në vend për t’u furnizuar, derisa të tjerë i kanë kultivuar vetë. Për blerjen e tyre, ata shpenzojnë me miliona euro çdo vit.

E se kosovarët janë të dhënë pas specave, e dëshmojnë edhe statistikat rreth importit të tyre.

Image

Sipas statistikave të Doganës së Kosovës që ka siguruar Gazeta Express, qytetarët e vendit kanë blerë speca në vlerë prej 14 milionë e 702 mijë e 475 euro në tri vitet e fundit.

Vetëm deri në tetor të këtij viti, ata kanë importuar speca të freskët në vlerë mbi 5 milionë e 200 euro. Shumë të përafërt parash kishin shpenzuar edhe gjatë 2017’ës për këto perime.

E ndonëse një sasi e madhe e tokave bujqësore në vend janë të mbjella me speca, vendi e ka të detyruar importin prej shteteve të tjera.

Më së shumti speca, Kosova importon nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Greqia. Por, jo vetëm.

Sasi e madhe e këtyre specave vijnë edhe nga Egjipti, Spanja, Hungaria, Izreali, Italia, Holanda, Portugalia dhe Afrika Jugore.

Me rritjen e kërkesës për këtë lloj perimje, janë rritur edhe sipërfaqet e mbjella me perime.

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë deklaruar se sipërfaqja e mbjellë me perime në vitin 2018 ishte 17 mijë e 886 hektarë.

“Sipërfaqja e mbjellë me perime në vitin 2018 ishte 17,886 ha. Sipërfaqja e mbjellë me perime në vitin 2018, krahasuar me 3 vitet e kaluara (2015, 2016, 2017) ka shënuar rritje për 14%”, kanë thënë në MBPRZH.

Vetëm me speca dhe domate, vjet janë mbjellë mbi 4 mijë hektarë tokë bujqësore. Ndërkohë, perimet e tjera të cilat kultivohen shumë janë edhe patatja, kungulli, qepa e lakrat.

“Perimet të cilat mbillen në sipërfaqe më të mëdha janë: patatja, speci, kungulli, qepa, lakra, trangulli, etj. Sipërfaqja e mbjellë me speca në vitin 2018 ishte 3,038 ha, ndërsa me domate 757 ha”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Bujqësisë drejtuar Gazetës Express.

Gazeta Express ka raportuar para disa javëve se si banorët e vendit më të varfër në rajon kanë filluar të iu kthehen tokave bujqësore.

Që nga vjeshta e deri tash, ata kanë mbjellë me kultura bujqësore rreth 110 mijë hektarë tokë.

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Ekonomik i kanë thënë Gazetës Express se vetëm gjatë pranverës kulturat bujqësore kanë zënë afër 76 mijë hektarë tokë në gjithë vendin.

Ndryshe, që nga viti i ardhshëm kosovarëve do t’iu duhet të zgjedhin nëse duan t’i punojnë tokat ose të paguajnë për to.

Në Ministrinë e Bujqësisë kanë deklaruar se të gjithë qytetarët të cilët nuk punojnë apo kultivojnë tokat bujqësore, nga fillimi i vitit 2020 do të duhet të paguajnë tatim ekstra në pronë.

Niveli i taksave për çdo kategori të tokës bujqësore do të përcaktohet nëpër komuna veç e veç në bazë të vlerës së tokës dhe lokacionit të saj.

“Tatimi në pronën e paluajtshme nuk vendoset mbi njësitë e kultivuara bujqësore të parcelave. Pra, tatimi vendoset për tokat bujqësore, të cilat nuk kultivohen, respektivisht punohen. Tatimi mbi tokat bujqësore planifikohet të fillojë në  vitin  2020”, thuhej në përgjigjet e Ministrisë.

Kundër këtij projekti kishin dalë në Shoqatën e Bujqëve. Ata kishin deklaruar se projekti i financuar nga Suedia për të vënë tatim mbi tokat bujqësore, për qytetarët e Kosovës, është i gabuar.

Kryetari i Shoqatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri i kishte thënë Gazetës Express se edhe në këtë proces do të ketë dallavere. Sipas Shoqatës së Bujqve mbi 60 për qind e tokave bujqësore nuk punohen edhe për arsye migrimi.

“Suedia e ka financuar një projekt për bujqit që të paguajnë tokën bujqësore. Ky nuk është stimulim për bujqit e Kosovës, unë kam qenë kundër kësaj praktike, pra në një formë ky është një detyrim për të paguar tatim për tokat jo bujqësore. Ne nuk i kemi standardet e Suedisë. Ka toka të cilat nuk punohen e që shumica prej tyre janë privatizuar nga njerëz të fort të cilët nuk e punojnë. Tash qeveria po dëshiron me pranu këtë projekt ku për neve nuk janë pjek kushtet për një projekt të tillë”, kishte thënë Tahiri.