Lladrovci: Jo vetëm Idrizi, por edhe Nexhat Demaku është përgjegjës për keqpërdorime

Lladrovci: Jo vetëm Idrizi, por edhe Nexhat Demaku është përgjegjës për keqpërdorime

Ekonomia tetor 18, 2019 - 08:07
Detajet
Image

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i ka thënë “Zërit” se për “Keqpërdorime”, “Korrupsion” dhe “Shfrytëzim të paligjshëm të pronave komunale” përveç drejtorit të Infrastrukturës Idriz Hysenajt është përgjegjës edhe ish-kryetari i Drenasit Nexhat Demaku dhe ish-drejtori i Urbanizmit Ajet Demiraj. Lladrovci: Unë i inicioj rastet e jo njerëzit, kushdo që gjendet në to ia paftë hairin, shkruan sot Gazeta 'Zëri'.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i ka thënë “Zërit”, të enjten, se për “Keqpërdorime”, “Korrupsion” dhe “Shfrytëzim të paligjshëm të pronave komunale” përveç drejtorit të Infrastrukturës Idriz Hysenajt, i cili është arrestuar dy ditë më parë, është përgjegjës edhe ish-kryetari i Drenasit Nexhat Demaku dhe ish-drejtori i Urbanizmit Ajet Demiraj.

LEXO EDHE: Rruga e Kosovës drejt INTERPOL-it, arsyet e dështimit

Ai është shprehur me mllef edhe për mediet, të cilat, sipas Lladrovcit, më shumë janë interesuar për Idriz Hysenajn dhe për shkelësit e ligjit sesa për punën që bën ai në krye të Komunës.

Ai ka siguruar se si kryetar i Komunës i ka iniciuar rastet, siç është ky me banesat në pronësi të Komunës, por jo edhe njerëzit.

“Por kushdo që gjendet në to ia paftë hairin”, është shprehur ai, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

E ndërkaq drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës në Komunën e Drenasit, Idriz Hysenaj, i cili ka mbajtur këtë post në tre vjetët e fundit të qeverisjes së Ramiz Lladrovcit, ka përfunduar në pranga para dy ditëve.

Ai dyshohet se për interesa personale dhe të kompanisë së tij (kompani për ndërtimin e objekteve banesore) ka keqpërdorur pozitën ose autoritetin zyrtar.

“Policia e Kosovës me njësitë relevante për hetimin e krimit ekonomik dhe të korrupsionit në rajonin e Prishtinës, me autorizim edhe të Prokurorisë kompetente, duke u bazuar në informacionet e pranuara për keqpërdorime të mundshme në komunën e Drenasit, pas hetimeve disamujore ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe ka rezultuar se i dyshuari Idriz Hysenaj, drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Drenasit, për interesa personale dhe të kompanisë së tij (kompani për ndërtimin e objekteve banesore) ka keqpërdorur pozitën ose autoritetin zyrtar. Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore të nevojshme, siguria e dëshmive, intervistimin e palëve dhe intervistimin e personit të dyshuar ai është arrestuar dhe me vendim të prokurorit kompetent është dërguar në mbajtje për 48 orë, për të vazhduar më pas me procedura të mëtejme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Lladrovci: Nuk kam vepruar kundër njerëzve, por kam iniciuar rastet që bien ndesh me ligjin

E kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, menjëherë pas arrestimit të Hysenajt ka nxituar ta njoftojë opinionin dhe qytetarët e Drenasit se ai vetë e ka iniciuar rastin në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe për Korrupsion në Prishtinë. “Pas njoftimit se drejtori i Infrastrukturës Lokale në Komunën e Drenasit është arrestuar për ‘Keqpërdorim të pozitës zyrtare’, ju informoj si në vijim: Që nga marrja e mandatit të kryetarit të Komunës së Drenasit jam zotuar se zbatimi i ligjit do të jetë prioritet imi. Pas pranimit të shqetësimeve për shfrytëzim të paautorizuar të pronave komunale, rrjedhimisht të banesave pronë të Komunës, për të hequr dyshimet, kam iniciuar rastin në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit në Prishtinë. Ky inicim i rastit që kam adresuar është në mesin e shumë rasteve të tjera, pa paragjykuar fajësinë ose pafajësinë e kurrkujt. Edhe për rastin e Idriz Hysenajt, pas pranimit të informacionit zyrtar për dyshimet për ‘Keqpërdorim të detyrës zyrtare’ do të marrë vendim konform legjislacionit në fuqi, pa paragjykuar fajësinë ose pafajësinë e tij. Po ashtu ju siguroj qytetarë të nderuar se zbatimi i ligjit do të vazhdojë të jetë prioriteti im kryesor”, ka thënë ai.

Ai i tha “Zërit” se nuk ka vepruar kundër njerëzve, por ka iniciuar rastet që bien ndesh me ligjin.

“Ata nuk ka guxu me i dhanë banesat e Komunës, ato janë pronë publike. Nuk ka qenë dasht me i dhënë banesa as Shoqatave të Luftës, as Imer Deliut e as asaj gruas së dëshmorit nga Gradica. Ato janë dhënë në mënyrë të paligjshme, andaj unë krejt i kam dorëzu në gjykatë, le të merret gjykata me ta. Asaj gruas serbe Radmilla Zariqi në vend se ta dërgojnë në ndonjë institucion social e kanë shti në banesë të Komunës. Pse mediet vrapojnë pas atyre që kanë shkelur ligjin e nuk shkruajnë për punët që i bëjmë në interes të qytetarëve?”, ka pyetur ai.

Të kënaqur me arrestimin e Hysenajt është shprehur opozita në Drenas. Sokol Bylykbashi, asamblist i LVV-së në Kuvendin e Drenasit, tha se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë shumë denoncime në Prokurori, si dhe ka pasur shumë kritika në seancat e Kuvendit për dukurinë e shfrytëzimit të paligjshëm të pronës publike.

Hysenaj nuk ka qenë keqpërdoruesi i vetëm

“Pas shumë kritikave dhe denoncimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, të kolegëve tjerë në Kuvendin Komunal dhe në Prokurori, kjo e fundit (Prokuroria) paska filluar të tregojë se nuk është krejt në agoni”, ka shkruar Bylykbashi.

E në Komunën e Drenasit i kanë thënë “Zërit”, të enjten, se Hysenaj nuk ka qenë i vetëm “për punën e tij e kanë ditur edhe njerëz të tjerë në Komunë, madje edhe kryetari Lladrovci, i cili e ka mbajtur drejtor qe 3 vjet”.

Ai ka lëshuar me qira banesa të Komunës, e paret i ka marrë për vete. Ramizi e ka mbajtur drejtor qe 3 vjet, ama qe tre vjet e ka ditur Ramizi, po sigurisht janë prishur diçka”, është shprehur një qytetar, i cili është identifikuar si Qazimi. Sipas tij, tani do të zbulohet shumëçka për këto banesa, ndërsa mund të ketë edhe të implikuar të tjerë për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, për “Korrupsion” dhe për “Krim”.

Në mesin e familjeve, të cilat Lladrovci i ka shpallur uzurpatorë, është edhe familja e dëshmorit Mehmet Saliuku, e cila, siç thotë bashkëshortja e Mehmetit, Minire Saliuku, ka hyrë në këtë banesë me lejen e Komunës para 5 vjetësh, kur me Drenasin ka qeverisur Nexhat Demaku.

Ajo madje thotë se ishte pikërisht Idriz Hysenaj, i cili ia kishte dhënë çelësat e banesës, duke ditur gjendjen e vështirë të familjes së dëshmorit.

“Pata mbetur në rrugë, me dy fëmijët, njëri në gjendje të rëndë shëndetësore. Ishte Idrizi ai që më bëri zgjidhje. Ma ofroi këtë banesë të Komunës edhe me tha rri qitu derisa ta bëjmë një zgjidhje. Por zgjidhje tjetër nuk më bënë, nuk më lanë të ndërtojë shtëpi as në truallin që ma ndanë (Komuna ka ndarë troje për të gjitha familjet e dëshmorëve). Ai këtë e ka bërë nga vullneti i mirë që ka pasur dhe duke ditur se Komuna e Drenasit e ka pasur për obligim që t’ua zgjidhë problemin e banimit familjeve të dëshmorëve. Në asnjë mënyrë, ai njeri, të cilin e falënderoj shumë që më ka ndihmuar t’i shpëtoj fëmijët nga rruga, nuk ka përmendur para asnjëherë”, shprehet Minirja, e cila është detyruar të japë deklaratë në Policinë e Kosovës për Krime të Rënda, siç thotë ajo, “sikur të isha kriminele”. “Unë kam qenë rahat aty derisa ka ardhur Ramizi (Lladrovci), ai me çdo kusht ka qenë për të më larguar prej aty. Ai ma ka shkatërruar të ardhmen e fëmijëve të mi, të cilët qe gati 6 muaj jetojnë nën stres dhe me frikën se Policia do të vijë e do të na dëbojë nga banesa. Unë e kam thënë dhe e përsëris, nëse vërtet kjo ndodh, atëherë nuk më mbetet rrugë tjetër përveç ta vras veten, sepse jam lodhur. Ramizi më ka çuar në gjyq edhe në Polici, më ka bërë kriminele, po unë nuk jam uzurpatore. Banesa është e Komunës, po edhe unë dhe fëmijët e mi jemi të kësaj komune”, shprehet ajo.

Komuna e Drenasit i ka shpallur uzurpatorë 16 familje të Drenasit, të cilat kanë hyrë në banesat që janë pronë e Komunës, në ndërtesën në qendër të Drenasit, përballë ndërtesës së Komunës.

Komuna kishte marrë aksion për largimin e tyre, por vetëm 6 prej tyre i kishin lëshuar banesat. Familjet e tjera janë dërguar në gjykatë dhe kryefamiljarët janë intervistuar nga Policia e Kosovës për Krimet të Rënda dhe tani presin gjykimin.