Rifillojnë punimet në Zonën Ekonomike në Lumëmadh të Vushtrrisë

Rifillojnë punimet në Zonën Ekonomike në Lumëmadh të Vushtrrisë

Ekonomia October 16, 2019 - 08:02
Detajet
Image

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se kanë rifilluar punimet në projektin më të madh që është realizuar deri më tash, Zona Ekonomike në Lumëmadh. Projekti ka filluar të realizohet në marsin e këtij viti, ndërsa vendimi për Zonën Ekonomike është marrë nga ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, në prillin e vitit 2018. Projekti është paraparë të realizohet për 3 vjet, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Zona e Lirë Ekonomike në Lumëmadh të Vushtrrisë është projekti më i madh për përkrahje të biznesit dhe zhvillimin ekonomik të Vushtrrisë.

LEXO EDHE: Kosova po ua mbyll dyert stomatologëve

Zona Ekonomike në Lumëmadh po merr formë, punimet kanë rifilluar aty dhe po zhvillohen sipas planit dinamik”, ka deklaruar Xhafer Tahiri, kryetar i Vushtrrisë, i cili ka vizituar zonën ku janë duke u kryer punët.

Krijohen kushte ideale për bizneset e Vushtrrisë

Tahiri, i cili kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës që edhe Zona Ekonomike Amerikane të ndërtohej në Banjskë të Vushtrrisë, tha se bizneset e Vushtrrisë dhe të gjitha ato kompani që duan të investojnë në këtë komunë do të kenë kushte ideale për të vepruar.

“Qeveria e Kosovës ka lejuar krijimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumëmadh të Vushtrrisë në një sipërfaqe të mjaftueshme për vendosjen e shumë bizneseve, ku do të krijohen vende pune për të rinjtë e vendit”, tha ai.

Në këtë hapësirë, siç ka deklaruar i pari i Vushtrrisë, synohet vendosja e bizneseve, të cilat do t’i zhvillojnë veprimtaritë e tyre, ku do të krijonin vende të punës për të rinjtë e Vushtrrisë.

Lumëmadhi është fshati që shtrihet buzë rrugës rajonale Mitrovicë – Prishtinë, ndërsa hapësira për vendosjen e bizneseve është e mjaftueshme dhe shumë e përshtatshme për kompanitë prodhuese dhe bizneset e interesuara që t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre ekonomike në këtë hapësirë.

Përpara se të merrte lejen për ndërtimin e Zonës Ekonomike, kryetari i Vushtrrisë kishte zhvilluar një debat publik me banorët e Lumëmadhit dhe të dy fshatrave të zonës, Stanovc i Epërm dhe Stanovc i Poshtëm, të cilëve u kishte premtuar se me funksionalizimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Lumëmadh do të punësohen 1 mijë të rinj vushtrrias, ndërsa përparësi në punësim do të kenë banorët e këtyre fshatrave.

Zona Ekonomike shtrihet në një sipërfaqe prej 14 hektarësh, buzë rrugës rajonale Vushtrri – Prishtinë. Siç pati thënë Tahiri, nga buxheti i shtetit janë siguruar 1.2 milion euro për investime në periudhën 3-vjeçare në Zonën e Lirë Ekonomike në Lumëmadh, ndërkaq Komuna është e gatshme të investojë në ndërtimin e infrastrukturës së Zonës Ekonomike.

Por përfundimi i këtij projekti vështirë se do të përfundojë brenda afatit të paraparë, pasi që ka kaluar gati një vit e gjysmë që nuk është punuar fare.

E pas kërkesave të shumta për leje, në prillin e vitit 2018 ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, kishte marrë vendim për themelimin e Zonës Ekonomike (Parkun Industrial) në Lumëmadh, pasi që, siç pati thënë ai, “janë plotësuar të gjitha kriteret e parapara me legjislacionin në fuqi”.

Kriteret e parapara me legjislacionin në fuqi janë plotësuar

“Krijimi i zonave ekonomike ka për qëllim nxitjen dhe inkurajimin e investimeve në Kosovë, duke u ofruar investitorëve infrastrukturë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive afariste. Në mënyrë që t’u krijojmë kushte sa më të mira investitorëve potencialë, kam vendosur për themelimin e Zonës Ekonomike, respektivisht Parkut Industrial, në Lumëmadh, Komuna e Vushtrrisë, duke u bazuar në faktin se kriteret e parapara me legjislacionin në fuqi janë plotësuar. Prona e paluajtshme në të cilën themelohet kjo Zonë Ekonomike është e regjistruar në emër të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë dhe është në sipërfaqe prej 14.86.00 hektarësh. Besoj se me hapjen e kësaj zone do të mundësohet krijimi i vendeve të reja të punës, të cilat do të ndikonin në zbutjen e varfërisë në këtë komunë”, pati thënë Hasani.

Por përurimi i fillimit të punimeve në këtë zonë është bërë në marsin e këtij viti nga ministri tjetër i Industrisë dhe Tregtisë, Endrit Shala, i cili pati deklaruar se fillimisht janë ndarë për fillimin e këtij projekti 400 mijë euro.

“Arsyeja pse kjo Ministri mbështet investimet në Zonën Ekonomike, si ajo e Vushtrrisë, po bëhen me qëllim që të tërheqin bizneset të investojnë në to”, pati thënë Shala, ndërkohë që punimet tek tani kanë rifilluar.

Vushtrriasit kërkojnë edhe komplekse të tjera zhvillimore

Në anën tjetër, kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri i kishte kërkuar kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt që Zona Ekonomike për bizneset amerikane të themelohet në Banjskë të Vushtrrisë, në një sipërfaqe prej 238 hektarësh.

Kjo sipërfaqe e tokës i ishte dhënë në shfrytëzim Burgut të Smrekovnicës në vitin 1984 për kullota të bagëtive, por ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka vendosur që pronën t’ia kthejë Komunës.

Kryetari i Vushtrrisë, në letrën që i kishte dërguar kryeministrit Haradinaj, me propozimin që Zona Ekonomike për investime të jashtme amerikane të vendoset në Banjskë të Vushtrrisë, ka sqaruar se në Banjskë ekziston parcela në sipërfaqe prej 76.86.65 hektarësh, është e bonitetit të ulët dhe gjendet në një vend shumë të përshtatshëm për themelimin e zonës ekonomike.

“Krahas kësaj, në zonën kadastrale Smrekovnicë është një parcelë prej 138.40 hektarësh, si dhe në zonën kadastrale në Pasomë një parcelë prej 23.27 hektarësh, gjithsej 238.54 hektarë. Kjo parcelë është në afërsi të rrugës nacionale Prishtinë – Mitrovicë, më saktësisht në pjesën në mes të komunës së Vushtrrisë dhe asaj të Mitrovicës. Gjithashtu ky lokacion është jo larg hekurudhës Mitrovicë – Vushtrri – Shkup e që ka qasje në korridorin e 6-të, hekurudhë e cila kalon nëpër qytetin e Vushtrrisë. Themelimi i kësaj zone ka rëndësi në dy aspekte: në aspektin ekonomik (sepse synohet sjellja e bizneseve nga Amerika, të cilët kanë treg në Evropë dhe që ndihmon zhvillimin e rajonit verior të Kosovës, si një rajon me ngecje ekonomike) dhe në aspektin politik (sepse themelimi i kësaj zone do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin politik, jo vetëm për pjesën e veriut të Mitrovicës, por edhe për gjithë pjesën veriore të Republikës së Kosovës)”, kishte shkruar Tahiri.

Por Zona Ekonomike për bizneset amerikane ishte “dërguar’ në Gjakovë, prej nga është ministri në detyrë, Valdrin Lluka, të cilin kryetari Tahiri e ka bërë fajtorin kryesor pse Zona Ekonomike Amerikane është themeluar në Gjakovë.