Porti i Durrësit, janar – shtator, përpunohen 404 mijë tonë mallra më shumë se sa vjet

Porti i Durrësit, janar – shtator, përpunohen 404 mijë tonë mallra më shumë se sa vjet

Ekonomia October 11, 2019 - 11:39
Detajet

Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 3.12 milionë tonë mallra, ose 15 përqind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Ndërkaq, eksportet nga Durrësi me afro 903 mijë tonë kanë pasur një rritje prej 4 përqind krahasuar me vjet, ndërsa rritja e volumit të mallrave të importit arrin në 20 përqind.

Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në Autoritetin portual, mësohet se volumi i mallrave të përpunuar gjatë këtij 9 mujori e ka tejkaluar me rreth 404 mijë tonë volumin e mallrave që u përpunuan në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Anijet tregtare që përpunohen në tre prej terminaleve të portit më të madh të Shqipërisë kanë arritur shifrën prej 2.44 milionë tonë mallra me një rritje prej 18 përqind më shumë se sa vitin e kaluar, ndërsa nga tragetet janë përpunuar në terminalin përkatës afro 680 mijë tonë mallra, ose 5 përqind më shumë se sa në përiudhën janar – shtator gjatë vitit 2018./ATSH/