Rruga që u asfaltua vjet, vështirë e kalueshme sivjet

Rruga që u asfaltua vjet, vështirë e kalueshme sivjet

Ekonomia October 11, 2019 - 08:16
Detajet
Image

Një projekt i Ministrisë së Infrastrukturës për ndërtimin e një rruge të re 1.5-kilometërshe, që lidh Mikushnicën me rrugën Skenderaj – Vushtrri, në Gofile, ka dështuar plotësisht pasi vetëm një vit pas asfaltimit është bërë vështirë e kalueshme. Drejtoresha Sanie Ahmeti: Punëkryesi është urdhëruar ta riparojë rrugën, por nuk ka bërë asgjë, duhet të punohet nga fillimi, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Skenderaj. Një rrugë e re nëpër arat e ish-ndërmarrjes bujqësore “Produkti”, e cila lidh Mikushnicën me rrugën Skenderaj – Vushtrri, në Gofile, është asfaltuar në fillim të vitit 2018, por vetëm pas një viti asfalti është “zhdukur” e traseja është shndërruar në gropa, për shkak të cilësisë së dobët të punimeve, të cilat i ka kryer kompania vendore “Kalaja”.

LEXO EDHE: Pasojat e përjashtimit nga ENQA, sfidat e studentëve me diploma

Zyrtarët e kësaj kompanie vazhdimisht përpiqen t’i mbulojnë pjesët e dëmtuara (gropat) me asfalt të ri, por arnimi nuk ka bërë punë, pasi shtresa e asfaltit sakaq çahet dhe plasaritet në të gjitha anët.

Vetëm para pak ditëve punëkryesi ka mbyllur të gjitha gropat dhe i ka shtruar me asfalt të ri pjesët e dëmtuara pothuajse përgjatë gjithë rrugës, por këto punë nuk kanë dhënë asnjë rezultat, shkruan më tutje "Zëri". 

Me fillimin e dëmtimit të rrugës, që ka nisur vetëm rreth 3 muaj pas asfaltimit, Komuna e Skenderajt nëpërmes Drejtorisë së Urbanizmit ka kërkuar zyrtarisht nga kompania të ndërhyjë për t’i riparuar dëmtimet.

Punëkryesi nuk i merr seriozisht vërejtjet e Komunës

Drejtoresha e Urbanizmit dhe e Ambientit në Komunën e Skenderajt, Sanie Ahmeti, i tha “Zërit” të mërkurën se zyrtarët e Drejtorisë kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar dëmtime të mëdha të kësaj rruge.

Merret vesh se projektin e kësaj rruge e ka realizuar kompania “Kalaja”. Këtë e ka pohuar edhe drejtoresha Ahmeti.

“Ajo rrugë është dëmtuar tej mase. Ne kemi kërkuar nga kompania të ndërhyjë për t’i riparuar pjesët e dëmtuara të rrugës, gjë që zyrtarët e kompanisë edhe e kanë pranuar, por pas riparimeve kemi dalë dhe kemi parë se asgjë nuk është bërë. Sërish i kemi kërkuar kompanisë t’i marrë seriozisht vërejtjet e Komunës dhe ta sanojë gjendjen në mënyrë që rruga të jetë e përdorshme për qarkullim të automjeteve”, ka thënë drejtoresha Ahmeti.

Ajo ka shtuar se ndonëse projekti është i Ministrisë së Infrastrukturës, Drejtoria e Urbanizmit vazhdimisht e ka alarmuar gjendjen te punëkryesi.

Ajo shton se banorët e asaj ane janë ankuar për shkak të dëmtimeve të mëdha, por përveçqë i është tërhequr vërejtja kompanisë “Kalaja”, Komuna nuk ka mundur të bëjë më shumë.

“Ne i kuptojmë banorët për shqetësimet e tyre. Ajo rrugë është shumë e rëndësishme për ta, sepse shkurton për disa kilometra distancën me Mitrovicën, sepse banorët e kësaj ane, sidomos ata të bashkësisë lokale të Qirezit, Qirez, Prellovc, Kozhicë, Krasaliq, Baks, e kanë shumë më afër për të kaluar nëpër këtë rrugë. Nga Gofilet kjo rrugë lidh Mikushnicën e Prekazin me rrugën Mitrovicë – Skenderaj, në Tërnavc”, vijon ajo.

Traseja e rrugës duhet bërë nga fillimi

Drejtoresha Ahmeti tha se edhe të mërkurën zyrtarët e Drejtorisë së Urbanizmit dhe e Ambientit kanë shkuar për të parë nëse kompania “Kalaja” ka filluar t’i sanojë pjesët e rrugës që janë dëmtuar, nëpër të cilët me vështirësi kalohen.

Ahmeti sugjeron që traseja e kësaj rruge të bëhet edhe një herë, pasi arnimet nuk bëjnë punë.

“Kjo rrugë mund të rregullohet vetëm nëse punohet nga fillimi”, është shprehur drejtoresha e Drejtorisë së Urbanizmit dhe e Ambientit në Komunën e Skenderaj.

Gazeta “Zëri” ka përcjellë gjithë dëmtimet e kësaj rruge dhe ka biseduar me banorët e asaj ane, të cilët shprehen të zhgënjyer, por edhe të pezmatuar për faktin se i është lejuar një kompanie që duke kryer punët shkel e shko të përfitojë e gjitha në kurriz të qytetarëve.

Nga ajo që shihet, shtresa e asfaltit të vendosur në rrugë është shumë e hollë dhe duke pasur parasysh se edhe trasesë së rrugës nuk i është bërë bazë e fortë, atëherë dëmtimi i rrugës në shumë pjesë të saj ka qenë i pashmangshëm.

Gjithashtu vërehet se edhe asfalti i vendosur para pak javëve në pjesët e dëmtuara është plasaritur, është çarë e madje edhe është larguar krejtësisht për të dalë në rërë.

Kompania “Kalaja” është përpjekur t’i riparojë pjesët e dëmtuara të rrugës, duke vendosur asfalt të ri, por megjithatë vetëm pas pak kohësh sërish shihen të çara, plasaritje dhe gropa në rrugë.

Në anën tjetër ndonëse drejtoresha e Urbanizmit dhe e Ambientit në Komunën e Skenderajt, Sanie Ahmeti, nuk ka treguar për investimet e Ministrisë së Infrastrukturës në këtë projekt, burime të “Zërit” thonë se kostoja e projektit ka qenë rreth 800 mijë euro.

“Zëri” është përpjekur të kontaktojë nëpërmes telefonit me zyrtarë të kompanisë që kanë kryer punët në këtë rrugë, por asnjëri nga ata nuk kanë qenë i qasshëm.

Banorët e asaj ane kanë përvojë të keqe me projektet infrastrukturore të realizuara në bashkësinë lokale të Qirezit.

Një rrugë e ndërtuar nga Gofilet deri në Qirez, në kohën kur me Ministrinë e Transportit dhe të Telekomunikacionit (Ministria e Infrastrukturës) ka udhëhequr Fatmir Limaj, gjithashtu e financuar nga kjo Ministri, ishte dëmtuar e tëra vetëm 6 muaj pasi ishte bërë pranimi teknik i saj.