Industria 'e plasaritur' e ndërtimit
Foto: Laura Hasani

Industria 'e plasaritur' e ndërtimit

Ekonomia October 08, 2019 - 08:09
Detajet
Image

Krahas stihisë në sektorin e ndërtimit, objektet ndërtimore, konkretisht ndërtesat e banimit të lartë në Kosovë, janë ballafaquar me një problem edhe më të madh - sigurinë e tyre. Profesori universitar Zekë Islamaj vlerëson se në Kosovë në 95% të rasteve nuk respektohen rregullat, në mënyrë që objektet pas ndërtimit të jenë të mbrojtura nga tërmetet. Vlerësime trimëruese për materialet. Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve dhe i Prodhuesve të Materialit Ndërtimor, Faton Hoxha, thotë se hekuri dhe betoni, që përdoren për ndërtime në vendin tonë, u nënshtrohen testeve e kontrolleve, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Industria e ndërtimeve në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të mbetet sektor, në të cilin është drejtuar gishti nga akterë të shumtë.

LEXO EDHE: Opozita, drejt pozitës

Qytetet, sidomos ato të mëdhatë, shpeshherë janë cilësuar edhe si kaose urbanistike, për shkak të ndërtimeve pa kriter dhe në të shumtën pa plane urbanistike. Krahas stihisë në sektorin e ndërtimit, objektet ndërtimore, më saktësisht ndërtesat e banimit të lartë në Kosovë, janë ballafaquar me një problem edhe më të madh - sigurinë e tyre.

Nga cilësia e dobët e ndërtimit jorrallëherë kanë pësuar edhe punëtorët, banuesit, kalimtarë në rrugë etj.

E për këtë cilësi të keqe të tyre faji po i vihet dhe i është vënë punës së dobët nga faktori njeri, moszbatimit të rregulloreve, materialeve të përdorura në ndërtim etj.

Sidomos punës së dobët, por edhe mungesës së analizës së tokave po i vihet faji edhe nga profesori universitar Zekë Islamaj. Këtyre u është varur edhe një problem tjetër nga i cili së fundmi pësoi jo pak Shqipëria - tërmetet.

Kosova është cilësuar si zonë mesatare sizmike dhe nga njohësit është futur në vendet me aktivitet sizmik relativisht të lartë, me tri zona sizmike: Istog – Pejë - Prizren, Ferizaj – Gjilan - Viti dhe në zonën e Leposaviqit. E goditur disa herë nga to, por të cilat nuk shkaktuan dëme të theksuara, me përjashtim të 24 prillit 2002 kur vdiq një person, institucionet kompetente nuk e përjashtojnë mundësinë e goditjes së Kosovës në të ardhmen nga dridhjet e tokës.

Puna nga ndërtuesit dhe analizat e rralla të tokës, kërcënuesit kryesorë

Për profesorin e arkitekturës Zekë Islamajn në Kosovë në shumë raste ndodh që niveli i punimeve nuk është në rregull dhe kjo përbën kërcënimin kryesor për sigurinë e objekteve.

Ai për vlerësimet e tij përmend si shembull se ndonjëherë në vend të traut vendosen fije hekuri. Po ashtu, ai thotë se në shumë raste përdoren edhe tulla të fasadës pa rregull e pa koncept.

“P.sh. ku duhet të vendoset trau nuk bëhet, por vendosen dy fije hekuri mbi dyer e dritare. Të rrezikuara janë edhe fasadat prej tullave që po i bëjnë pa rregull e pa koncept, po i prenë në gjysmë e nuk i lidhin. Një dridhje e vogël ato i gjuan jashtë dhe kështu bëhet dëmtimi”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas tij, dëmtimet janë të mundshme të vijnë edhe nga ballkoni i pasiguruar, çatia, konzolat e ndryshme etj. Ai thekson se nga ato që i ka vërejtur materialet e përdorura për punë janë relativisht sipas standardeve, megjithëse ka lëshime në raste të caktuara.

Islamaj sa u përket tërmeteve mendon se rregullat e duhura për t’u mbrojtur nuk zbatohen në 95% të rasteve. Ai po ashtu e përmend një gabim, i cili bëhet shpesh nga ndërtuesit te dera.

“Në Kosovë 95% të rasteve nuk respektohen rregullat në mënyrë që objektet pas ndërtimit të jenë të mbrojtura nga tërmetet. Rregullat thonë që pika më e sigurt kur bëhet tërmeti është në hapësirën e derës, ta hapësh atë dhe të qëndrosh nën të. Te ndërtesat e reja ajo është pika më e dobët e pikërisht aty është ndërtimi më i dobët: janë dy shufra hekuri, që d.m.th. edhe kur nuk ka tërmet plasaritet muri ose lëvizin materialet. Kjo mund të vërehet në shumë ndërtime edhe në komunën e Prishtinës”, ka treguar Islamaj, i cili shprehet i shqetësuar me ndërtimet pa kriter e me udhëheqjen e punimeve nga njerëz që i konsideron joadekuatë.

Hoxha: Hekuri e betoni, sipas standardeve

Për kryetarin e Shoqatës së Ndërtimtarëve dhe të Prodhuesve të Materialit Ndërtimor, Faton Hoxha, hekuri dhe betoni që përdoren në ndërtime në vendin tonë u nënshtrohen testeve dhe kontrolleve para se të futen në punë. Megjithatë, ai thotë se mund të ketë përjashtime, p.sh. ndonjë mostër e betonit që nuk i plotëson kriteret.

“Së pari betoni kontrollohet dhe pa dyshim që ndonjë mostër ndonjëherë nuk kalon, por në përgjithësi është në rregull, është bërë përparim, bëhen recepturat, kontrollohet niveli. Sa i përket hekurit, janë edhe laboratorët që kontrollojnë cilësinë e tij. Mund të them me plot besim se bëhet edhe beton i mirë, edhe hekur i mirë”, ka deklaruar Hoxha për “Zërin”.

Vetëm tre inspektorë të Ndërtimit dhe të Planifikimit

Inspektorët e ndërtimit në Kosovë punojnë në kuadër të komunës përkatëse dhe të Inspektoratit të Ndërtimit, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor.

Detyra e një inspektori ndërtimor është verifikimi i përputhjes së punëve të përfunduara me dokumentacionin ndërtimor dhe prodhimi i protokollit mbi përfundimin e fazës gjegjëse të ndërtimit, i cili nënshkruhet nga poseduesi i lejes, kontraktuesi dhe inspektori.

Po ashtu brenda kompetencave të një inspektori hyjnë edhe ndalimi i përdorimit të produkteve ndërtimore nëse bëhet në kundërshtim me rregulloren, ndalimi i ndërtimit të objektit nëse bëhet në kundërshtim me lejen e ndërtimit e deri tek urdhri për rrënimin e objektit nëse janë bërë dëme të riparueshme.

Por inspektorë që punojnë në fushën e ndërtimit dhe planifikimit janë vetëm tre.

“Sipas Ligjit për Ndërtimin, Inspektorati i MMPH-së është përgjegjës për mbikëqyrje inspektuese për ndërtimet e kategorisë së III. Inspektorati i MMPH-së ka tre inspektorë të ndërtimit dhe të planifikimit. Ata e kryejnë punën gjatë gjithë vitit, natyrisht duke vënë edhe prioritetet e sezonit. Kompetencat janë të definuara me Ligjin për Ndërtimin dhe UA-në, që dalin nga ky ligj dhe legjislacioni tjetër në fuqi”, thuhet në përgjigjen e tyre të shkurtër për “Zërin”.

Kosova bën pjesë në zonat me aktivitet sizmik të lartë

Dhjetëra herë u lëkund Shqipëria nga dridhjet e forta të tokës mes datave 21 dhe 22 të muajit të kaluar. Njëri prej tyre ishte i magnitudës 5.8 ballë të shkallës Rihter, më i forti në tri dekadat e fundit në vendin fqinj. Afër 100 persona u lënduan dhe u dëmtuan jo pak ndërtesa e pallate.

Ky bilanc aktualizoi edhe në vendin tonë çështjen e tërmeteve dhe shqetësimin e kahershëm: Sa është e rrezikuar Kosova nga tërmetet, sa janë të sigurta objektet nga to? Nga Shërbimi Gjeologjik i Kosovës i kanë thënë gazetës “Zëri” se Kosova bën pjesë në zonat me aktivitet sizmik të lartë.

Sipas hartës së rrezikut sizmik, Kosova në të ardhmen e afërt nuk ka rrezik që të përballet me dridhje të tokës, kurse vetëm në 50 vjetët e ardhshëm mund të goditet nga një i tillë me magnitudë 6 ballë të shkallës Rihter dhe vetëm në 100 - 150 vjetët e ardhshëm ai mund të jetë vdekjeprurës, të arrijë në 6.5 ballë.

“Territori i Kosovës në aspektin sizmo-tektonik përfaqëson një terren aktiv. Kosova zë vend në zonën me aktivitet sizmik relativisht të lartë. Duke u bazuar në hartën e rrezikut sizmik për Kosovë, që jep disa të dhëna për tërmetet për periudha kthyese, në Kosovë nuk priten tërmete katastrofike. Sipas hartës se rrezikut sizmik për një periudhë kthyese në 50 vjet mund të ndodhë një tërmet me magnitudë deri 6.0 shkallë te Rihterit. Kurse për një periudhë kthyese 100 - 150 vjet mund të ndodhë një tërmet me magnitudë deri 6.1-6.5 shkallë te Rihterit, kështu që në këtë fuqi të këtij lloji të tërmetit e quajmë si tërmet i fuqishëm”, thuhet në përgjigjen e tyre për “Zërin”.

Sipas këtij institucioni, efekti i tërmetit në objekt dhe mënyra se si reagon objekti nën ndikimin e forcës sizmike varen nga themeli, trualli e faktorë të tjerë.

“Dallimi në mes të objekteve në aspektin sizmik ka rëndësi shumë. Efekti i tërmetit në objekte dhe mënyra se si reagojnë objektet nën veprimin e forcës sizmike varen nga shumë faktorë: Zona sizmogjene, trualli se ku ndërtohet, themelet e përshtatshme, natyra e lëkundjeve të tokës, lartësia e objektit, konfiguracioni i objektit, vjetërsia e objektit, sistemi strukturor mbajtës, materialet e përdorura, mënyra e ndërtimit, thjeshtësia strukturore, uniformiteti, simetria, rezistenca, ngurtësia sipas të dy drejtimeve, rezistenca dhe ngurtësia përdredhëse”, thuhet në përgjigje.

Shërbimi Gjeologjik për institucionet rekomandon që të bëjnë studime gjeologo-inxhinierike për çdo objekt, konkretisht për të parë në çfarë trualli do të ndërtohet.

Të nevojshme i shohin edhe studimet inxhinieriko-sizmologjike që japin parametrat që duhet të kihen parasysh në projektin antisizmik e tek kur të kryhen këto, ky institucion rekomandon të fillojë ndërtimi. Ndërkohë për popullatën civile rekomandohet të kenë rezerva të ujit e të ushqimit për 2-3 ditë, së bashku me ndriçim dhe broshura që rekomandojnë se si të mbrohen.

Po ashtu e nevojshme, thonë ata, është të mos bëhet panik.

Të mos rrihet afër objekteve të varura në mure, zjarreve e ashensorëve. Largimi rekomandohet të bëhet kur të qetësohet situata e kthimi tek kur të vlerësohet se nuk ka rrezik.

Cili është roli i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent për mbrojtjen nga tërmetet?

Agjencia për Menaxhimin Emergjent në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka bërë të ditur se detyrë e tyre është caktimi dhe zbatimi i masave për t’u mbrojtur nga dridhjet e tokës.

“Agjencia e Menaxhimit Emergjent në parandalimin e tërmeteve ka për detyrë të caktojë dhe të zbatojë masa për zvogëlimin e pasojave nga tërmeti përmes edukimit, sensibilizimit dhe trajnimit të njësive reaguese e të qytetarëve. Kurse koordinon reagimin për mbrojtje, shpëtim dhe rimëkëmbje nga tërmetet”.

Sa u përket kapaciteteve njerëzore që i kanë në dispozicion për mbrojtje nga këto fatkeqësi, ata kanë thënë se koordinojnë dhe shfrytëzojnë të gjitha kapacitetet e Qeverisë, të cilat përdorin edhe në raste të fatkeqësive të tjera natyrore.