Shoqëria civile: Marrëveshja me Contour Clobal nuk do të kalojë në Kuvend

Shoqëria civile: Marrëveshja me Contour Clobal nuk do të kalojë në Kuvend

Ekonomia October 05, 2019 - 18:49
Detajet

Marrëveshja me Contour Global për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”, e nënshkruar me 20 dhjetor të vitit 2017, nuk do të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Kështu kanë vlerësuar përfaqësues të shoqërisë civile të cilët në vazhdimësi e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje, shkruan Gazeta "Zëri". 

Sipas tyre nëse nuk arrihen 81 votat për ta kaluar këtë marrëveshje Kosova i detyrohet kompanisë Contour Global 19 milion euro.

Mirëpo, ata kanë konsideruar se për Kosovën ky dëm është më i pranueshëm sesa dëmi që do të shkaktohej me ndërtimin e termocentralit.

Grupi i organizatave të shoqërisë civile të përbërë nga Balkan Green Foundation, Instituti GAP, INDEP dhe GLPS, kanë qenë shumë të zëshëm dhe aktiv kundër projektit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”.

Ata e kanë konsideruar kundërthënës dhe të dëmshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës dhe stabilitetetin e saj makroekonomik e integrimeve rajonale.

Rinora Gojani përfaqësuese e rrjetit të këtyre organizatave ka thënë se nuk u është lejuar qasja në dokumentet publike të kësaj marrëveshje.

“Ne kemi kërkuar qasje në dokumente publike disa herë dhe jo gjithnjë kemi marrë përgjigje në kërkesat e dërguara. Arsyetimet e tyre kanë qenë nga më të ndryshmet, se disa nga pjesët e kontratës dhe dokumentet janë të rezervuara për shkak se nuk dihen saktë të dhënat dhe disa nga to do të përcaktoheshin më vonë në bazë të arritjes së marrëveshjeve teknike dhe financiare për vazhdimin e projektit, apo se janë sekrete komerciale etj”, ka thënë ajo për "Zërin".

Gojani tutje për gazetën “Zëri”, ka treguar se sa i dëmshëm mund të jetë ndërtimi i termocentralit “Kosova e re”.

“Do të shtrenjtonte në mënyrë të dukshme çmimin e energjisë elektrike. Do të destabilizonte liberalizimin e tregut energjetik, do të ndikonte negativisht në integrimin e tregut rajonal dhe atij evropian dhe do të paraqiste pengesa të mëdha e të dukshme juridike për shkak të favorizimit edhe me ndihmë shtetërore të këtij projekti dhe që shkon ndesh me ligjin e prokurimit publik të vendit, ky projekt do të ndikonte në uljen e fuqisë blerëse të popullatës, do të ndikonte në rritje të inflacionit, në rritje të varfërisë energjetike dhe do të shkonte në të kundërtën e trendeve të dekarbonizimit siç kërkohet nga BE-ja”, ka shpjeguar ajo.

Ndërkaq ky rrjet i organizatave të shoqërisë civile konsideron që marrëveshja me Contour Global do të dështojë pasi nuk do të arrijë të kalojë në Kuvend duke qenë se shumica e partive po e kundërshtojnë.

“Ne kemi parë edhe në deklarimet e shumicës së partive politike se janë kundër këtij projekti dhe prandaj gjykojmë se edhe nëse do të hyjë për votim në rast të gjetjes së mjeteve financiare nga ContourGlobal, kjo marrëveshje nuk do të kalonte dhe projekti do të dështonte. Nëse mjetet gjinden Kosova do të duhej të garantoj për marrëveshjen financiare dhe jo kompania private, që ne e konsiderojmë si skandaloze sepse në këtë mënyrë do të bllokohej mundësia edhe e kredive dhe huamarrjes nga ana e shtetit për investime në të ardhmen”, ka thënë ajo për "Zërin".

Afati i fundit për përmbylljen e financimit është 25 maji i vitit 2020, pas kësaj date, ContourGlobal do i detyrohet Kosovës 7.5 milion euro ashtu sikurse është arritur marrëveshja paraprakisht. Ndërkaq nëse Kosova njëanshëm do të anulonte këtë projekt do të detyrohej të paguante 19 milion euro.

Gojani tutje tha se edhe nëse arrinë të paraqitet për votim, 81 votat e nevojshme për këtë marrëveshje nuk do të arrihen, dhe për pasojë Kosova do të duhej të paguante 19 milion euro ndaj kësaj kompanie private. Mirëpo ajo tha se ky dëm është më i pranueshëm sesa dëmi që do të shkaktohej me ndërtimin e termocentralit.

“Kështu që edhe nëse arrinë të paraqitet për votim, 81 votat e nevojshme për këtë marrëveshje nuk do të arrihen, dhe për pasojë Kosova do të duhej të paguante 19 milion euro ndaj kësaj kompanie private. Kur konsiderohet dëmi që ky projekt i sjellë vendit në një mënyrë është më e pranueshme kjo shumë sesa miliardat e ndërlidhura me këtë projekt dëm që i shkakton ekonomisë e gjeneratave të ardhshme”, ka thënë ajo. /ZERI