Kërcënimi me gjoba bën punë, kosovarët sivjet më shumë i punuan tokat

Kërcënimi me gjoba bën punë, kosovarët sivjet më shumë i punuan tokat

Ekonomia September 19, 2019 - 17:38
Lexon detajet

Tokat që deri dje i lenin djerrinë, kosovarët kanë filluar t’i punojnë. Vetëm gjatë pranverës, ata kanë mbjellë rreth 76 mijë hektarë tokë me kultura bujqësore. Sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë, kulturat që janë mbjellë më shumë janë gruri, misri, fasulja dhe perimet, derisa qytetet në të cilat kultivohen më shumë mbeten Skenderaj, Klina, Vitia, Lipjani e Podujeva. 

Banorët e vendit më të varfër në rajon kanë filluar të iu kthehen tokave bujqësore.

Ndikim në këtë duket se ka pasur paralajmërimi i Ministrisë së Bujqësisë për tatim në tokat bujqësore që nuk punohen. Në vend të gjobës, ata po preferojnë që të marrin rendiment nga to.

Që nga vjeshta e deri tash, ata kanë mbjellë me kultura bujqësore rreth 110 mijë hektarë tokë.

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Ekonomik i kanë thënë Gazetës Express se vetëm gjatë pranverës kulturat bujqësore kanë zënë afër 76 mijë hektarë tokë në gjithë vendin.

Hapësirën më të madhe të tokës së punuar e kanë zënë drithërat. Sipas statistikave të MBPZHR-së, rreth 60 mijë hektarë tokë janë  mbjellë vetëm  me grurë, elb, thekër dhe bimë farogjere për këtë vit.

Përveç drithërave, kosovarët këtë vit kanë ndarë goxha tokë edhe për misër e fasule. Vetëm me këto dy kultura janë mbjellë rreth 45 mijë hektarë tokë.

Pjesa tjetër e tokës është mbjellë edhe me elb pranveror, tërshër, bimë industriale, perime në serra, perime në fusha të hapura dhe patate.

E komunat në të cilat janë realizuar më shumë mbjellje këtë vit janë Klina, Podujeva, Peja, Skenderaj, Mitrovica, Vushtrria, Vitia, Ferizaj, Prizreni e Lipjani. Ndërkohë, më pak interesim për të kultivuar tokën bujqësore kanë shprehur banorët e kryeqytetit, Kaçanikut, Shtimes e Dragashit.

Ndërkohë, në bazë të regjistrimit të bujqësisë të realizuar në 2014-ën, toka më së shumti punohet në Prishtinë, pasuar nga Mitrovica dhe Peja, derisa kulturat bujqësore që kultivohen më së shumti nga kosovarët ishin drithërat, bimët farogjere, perimet e kultura të tjera.

Ndryshe, që nga viti i ardhshëm kosovarëve do t’iu duhet të zgjedhin nëse duan t’i punojnë tokat ose të paguajnë për to.

Në Ministrinë e Bujqësisë kanë deklaruar se të gjithë qytetarët të cilët nuk punojnë apo kultivojnë tokat bujqësore, nga fillimi i vitit 2020 do të duhet të paguajnë tatim ekstra në pronë.

Niveli i taksave për çdo kategori të tokës bujqësore do të përcaktohet nëpër komuna veç e veç në bazë të vlerës së tokës dhe lokacionit të saj.

“Tatimi në pronën e paluajtshme nuk vendoset mbi njësitë e kultivuara bujqësore të parcelave. Pra, tatimi vendoset për tokat bujqësore, të cilat nuk kultivohen, respektivisht punohen. Tatimi mbi tokat bujqësore planifikohet të fillojë në  vitin  2020”, thuhej në përgjigjet e Ministrisë.

Kundër këtij projekti kishin dalë në Shoqatën e Bujqëve. Ata kishin deklaruar se projekti i financuar nga Suedia për të vënë tatim mbi tokat bujqësore, për qytetarët e Kosovës, është i gabuar.

Kryetari i Shoqatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri i kishte  thënë Gazetës Express se edhe në këtë proces do të ketë dallavere. Sipas Shoqatës së Bujqve mbi 60 për qind e tokave bujqësore nuk punohen edhe për arsye migrimi.

“Suedia e ka financuar një projekt për bujqit që të paguajnë tokën bujqësore. Ky nuk është stimulim për bujqit e Kosovës, unë kam qenë kundër kësaj praktike, pra në një formë ky është një detyrim për të paguar tatim për tokat jo bujqësore. Ne nuk i kemi standardet e Suedisë. Ka toka të cilat nuk punohen e që shumica prej tyre janë privatizuar nga njerëz të fort të cilët nuk e punojnë. Tash qeveria po dëshiron me pranu këtë projekt ku për neve nuk janë pjek kushtet për një projekt të tillë”, kishte thënë Tahiri.

Image

Image