Infektuar: 4512
Shëruar: 2156
Vdekur: 97
“Ferronikeli” rrit prodhimin, 25 milionë euro kredi nga BERZH-i

“Ferronikeli” rrit prodhimin, 25 milionë euro kredi nga BERZH-i

Ekonomia September 19, 2019 - 08:24
Detajet
Image

Samir Mane, një prej njerëzve më të pasur në Shqipëri, pronar i kompanisë “Balfin Group” që e ka privatizuar “Ferronikelin”, tha se investimet në “Ferronikel” do të sigurojnë prodhim konkurrent të nikelit në ekonominë globale, i cili do të vazhdojë të hapë vende të punës në Kosovë. Punëtorët: Prodhimi, asnjëherë më mirë, shkruan gazeta "Zëri".

Drenas. Gjiganti i dytë kosovar pas “Trepçës” - “Ferronikeli”, i cili është privatizuar nga kompania shqiptare “Balfin Group” në korrikun e vitit 2018, një vit pas rifillimit të prodhimit ka vazhduar t’i rrisë kapacitetet prodhuese. Punëtorët e “Ferronikelit” i kanë thënë “Zërit”, të mërkurën, se prodhimi dhe puna në “Ferronikel” nuk kanë shkuar asnjëherë më mirë se tani.

Ata thonë se pagat u jepen me kohë, ndonëse për një vit sa “Ferronikeli” është bërë pjesë e “Balvin Group”-it pagat nuk janë rritur. Pronari i “Balfin Group”-it, një prej njerëzve më të pasur në Shqipëri, Samir Mane, me ta blerë “Ferronikelin” pati siguruar mjetet për pagat e punëtorëve, të cilat u kishte mbetur borxh menaxhmenti, për çka edhe ishte ndërprerë prodhimi. Ai kishte premtuar investime të mëdha në NewCo “Ferronikeli” për ta rritur prodhimin. “Grupi Balfin” ka planifikuar të kryejë investime shtesë në NewCo “Ferronikeli”, në mënyrë që potenciali i fabrikës të arrihet në mënyrë të plotë dhe për ta rritur prodhimin e nikelit nga 7200 tonë në vit në mbi 10.000 tonë në vit.

Kompania NewCo “Ferronikeli”, punëdhënësi më i madh në Kosovë

“Kompania NewCo ‘Ferronikeli’, me mbi 800 punëtorë përfaqëson punëdhënësin më të madh në Kosovë dhe është përgjegjës për të paktën 1000 vende të tjera pune që kanë të bëjnë me furnizimin e fabrikës me lëndë të para dhe shërbime tjera në logjistikë si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri”, ka thënë Mane.

Në anën tjetër Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka dhënë 25 milionë euro kredi për investime në kompaninë NewCo “Ferronikeli” që është një nga operatorët më të mëdhenj në fushën minerare dhe metalurgjike në Ballkan. Samir Mane, themelues dhe pronar i kompanisë “Balfin Group”, që ka privatizuar “Ferronikelin”, ka thënë se është krenar për ta vazhduar historinë e bashkëpunimit me BERZH-in. “Investimet që do t’i bëjmë te ‘Ferronikeli’ do të sigurojnë se ai mbetet një prodhues konkurrent i nikelit në ekonominë globale dhe vazhdon të hapë vende të punës në Kosovë”, ka thënë ai, ndërkaq Eric Rasmussen, drejtori i BERZH-it për Burime Natyrore, ka konstatuar se “BERZH-i është i kënaqur që do të bashkëpunojë me kompaninë ‘Balfin Group’ për rimëkëmbjen e ‘Ferronikelit’ dhe për përmirësimin e standardit ekologjik dhe efikasitetit energjetik. Grupi ‘Balfin’ është grupi më i madh i investimeve private në Evropën Juglindore, me veprimtari në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bosnjë, Austri, dhe Holandë, si dhe veprimtari në sektorin e zhvillimit të pronave të patundshme, si qendrat tregtare në Shqipëri dhe në Maqedoni, veprimtaritë e shitjes me pakicë përmes markave të tij kryesore, si: ‘Neptun’, ‘Jumbo’, ‘Spar’, etj, në zhvillimin e resorteve turistike si ‘Green Coast’ dhe ‘Vala Mar’, si dhe në sektorin e minierave me ‘AlbChrome’ në Shqipëri dhe NewCo ‘Ferronikelin’ në Kosovë”.

Paralajmërohet shtimi i numrit të punëtorëve

“Ferronikelin” e kanë përcjellë vështirësi të mëdha gjatë prodhimit, sidomos ato të natyrës financiare. Në vitin 2016 prodhimi në “Ferronikel” ishte ndërprerë përreth 6 muaj. Prodhimi ishte ndërprerë edhe në vitin 2017, ndërsa në marsin e vitit 2018 rreth 820 punëtorë dhe 200 kontraktues kishin ndalur punën për shkak të mospagesë së pagave nga menaxhmenti i “Ferronikelit”. Pas ndërprerjes menaxhmenti kishte sqaruar se fabrika është duke u përballur me vështirësi të mëdha dhe për këtë arsye ka reduktuar kapacitetin e fabrikës. Në korrikun e vitit 2018 Autoriteti Kosovar i Konkurrencës pati njoftuar se është marrë vendimi që kompanisë “NKL Limitet”, me bazë në Londër, i është lejuar përqendrimi përmes përfitimit 100 për qind të kontrollit në “Ferronikel” pas blerjes së aksioneve. Drejtor i “NKL Limited” është Samir Mane, njeriu më i pasur në Shqipëri, president dhe pronar i grupit “Balfin”, i cili është grupi më i madh i investimeve private në Shqipëri dhe në Evropën Juglindore. Dhe meqenëse prodhimi është rritur, NewCo “Ferronikeli” ka paralajmëruar shtimin e numrit të punëtorëve. Në “Ferronikel” është hapur një konkurs për vende pune, që është publikuar në gjuhën angleze, ndërsa nuk dihet as numri i punëtorëve që do të pranohen në punë, ndonëse “Zëri” ka kërkuar përgjigje nga menaxhmenti. Në anën tjetër, menaxhmenti i “Ferronikelit” është duke u përballur me problemin e një sipërfaqeje të tokës që ishte planifikuar të eksploatohej e që menaxhmenti i “Ferronikelit” kishte menduar se është prone e saj. Banorët e lagjes “Morina” të Çikatovës së Vjetër, para 4 muajsh patën ndaluar ekskavatorët e “Ferronikelit” që kishin shkuar për t’i prerë drunjtë në mënyrë që ta lirojë sipërfaqen për të gjurmuar për xehe, duke pretenduar se prona nuk u është kompensuar. Situata kishte shkuar deri në atë masë, saqë ishte kërkuar edhe asistimi i Policisë, por banorët nuk ishin lëkundur. Me këtë punë ishte marrë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili kishte kërkuar që prona t’u kompensohet banorëve, pasi ajo u ishte marrë dhe nuk u ishte kompensuar. “Nuk ka më asnjë risi, qe 4 muaj më nuk ka pasur përpjekje që me forcë të hyjnë në pronat tona. Puna ka shkuar deri në Parlament, ndërsa kryeministri Haradinaj pati urdhëruar që neve të na kompensohet prona e pastaj kompania ‘Ferronikeli’ të eksploatojë për xehe. Por tani kryeministri Haradinaj është dorëhequr, kështu që nuk dihet se çfarë do të ndodhë”, i tha “Zërit” një prej banorëve të Çikatovës së Vjetër, Artan Morina, duke siguruar se çikatovasit nuk do të lejojnë të shfrytëzohet prona e tyre pa u kompensuar./ZERI