Kërkohet vënia e çmimit për qeset e plastikës

Kërkohet vënia e çmimit për qeset e plastikës

Ekonomia September 16, 2019 - 13:05
detajet

Për reduktimin dhe për eliminimin e qeseve të plastikës është folur disa herë edhe nga drejtues të institucioneve të Kosovës, por deri më sot nuk është bërë ndonjë zgjidhje konkrete. Ministri në dorëheqje i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë për gazetën se kjo temë është adresuar, megjithatë çështja në fjalë ende nuk ka marrë epilogun e duhur, shkruan sot gazeta "Zëri".

Një metodë, e cila mund të çojë deri te reduktimi i qeseve të plastikës sipas ambientalistit Daut Maloku, i cili është kryetar i Partisë së të Gjelbërve të Kosovës (PGJK), është pikërisht caktimi i çmimit për qeset në fjalë.

“Ka shumë mundësi të parandalimit dhe të eliminimit të qeseve të plastikës: sundimi i ligjit, zbatimi i gjobave, qeset biodegraduese që u përfolën nga institucionet dhe u harruan, të detyrohen bizneset të caktojnë çmim të konsiderueshëm, për shembull 5 centë copën dhe qytetari ta ruajë e ta përdorë me javë e muaj atë”, ka deklaruar Maloku.

Qeset e plastikës sipas tij në të shumtën e herëve përdoren pa kurrfarë nevoje. Por qeset në fjalë, të cilat shumë herë pamëshirshëm hidhen në rrugë, dëmtojnë jashtëzakonisht ambientin.

“Paraqesin rrezik për fëmijët, mund t’i hanë kafshët ose të ngulfaten. Ato prishin imazhin e qyteteve dhe të ambienteve të hapura”, ka theksuar Maloku.

Muajt e fundit Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) pati organizuar një tryezë diskutuese me temën “Hartimi i politikave për reduktimin dhe për ndalimin e përdorimit të qeseve e të shisheve të plastike”. Në këtë tryezë u tha se vetëm gjatë vitit 2017 dhe 2018 janë importuar mbi 12 milionë tonë të qeseve dhe të shisheve plastike në Kosovë. Ndërkaq, nëse flitet për nivelin global, vetëm gjatë vitit 2017 ka pasur 328 milionë tonë të prodhimit të qeseve të plastikës./ZERI