Dëmet nga ambalazhi i parapëlqyer i kosovarëve

Dëmet nga ambalazhi i parapëlqyer i kosovarëve

Ekonomia September 16, 2019 - 08:41
detajet
Image

Për reduktimin dhe për eliminimin e qeseve të plastikës është folur disa herë edhe nga drejtues të institucioneve të Kosovës, por deri më sot nuk është bërë ndonjë zgjidhje konkrete. Ministri në dorëheqje i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë për gazetën se kjo temë është adresuar, megjithatë çështja në fjalë ende nuk ka marrë epilogun e duhur, shkruan sot gazeta "Zëri".

Mëngjes. Ora është nëntë e shtatë minuta. Një grua rreth të 50-ve del nga furra më e afërt e shtëpisë së saj në Prishtinë. Në dorë mban dy bukë, njërën të gjatë, tjetrën të rrumbullakët. Që të dyja i ka të futura në një qese të plastikës. Ashtu ia ka paketuar shitësja e furrës. Ashtu i ka pranuar edhe Sadete Babatinca, e cila është në dijeni për dëmet që i shkakton qesja që e mban herë në dorën e djathtë e herë në të majtën. Por Babatinca thotë se nuk ka zgjidhje tjetër, pasi sikurse dyqanet, ashtu edhe pjesa dërrmuese e furrave bukët t’i mbështjellin në qese të plastikës.

LEXO EDHE: Veteranët dhe ish-luftëtarja e UÇK-së, padi të dyanshme

“E di që qeset e najlonit nuk janë të mira, kështu kam dëgjuar. Por faji nuk është imi pse bukët që kam blerë ndodhen në këtë qese. Unë bukët s’mund t’i mbaj në dorë pa qese dhe ashtu të eci rrugës”, thotë Babatinca, e cila herë lëshon sytë poshtë teksa shikon bukët e blera, herë i ngrit lart dhe sheh kah rruga që ka para vetes.

Por Sadetja pohon se nuk do ta blinte çdo ditë qesen sikur ajo të mos vinte falas. “Sikur të kushtonte? Jo, sigurisht se s’do të blija qese sa herë që do të më duhej të dilja në furrë ose në dyqan. Edhe ashtu çmimet e produkteve janë mjaft të larta”, shton ajo teksa ngrys fytyrën.

Dhënia falas e qeseve mundëson përdorimin e tepruar të tyre

Qeset e plastikës nuk po përdoren vetëm për të marrë diçka në një dyqan dhe për të ikur në shtëpi. Ato po përdoren edhe më gjerë. Fitore Xharra këtë të diel ka dalë nga banesa e saj në Prishtinë dhe me vete ka marrë një qese të plastikës, në të cilën ka futur disa gjëra që do t’i nevojiten më pas. Xharra është në dijeni për dëmin që shkaktojnë qeset në fjalë, megjithatë pohon se nëpër dyqanet në Kosovë edhe ajo merr qesen që i ofrohet falas nga shitësi. Por po të paguhej qesja, 28-vjeçarja thotë se nuk do ta blinte sa herë që do të futej në ndonjë dyqan. Një gjë të tillë ajo nuk e ka bërë sa ka jetuar për disa ditë në Hungari.

"Kur e kam blerë në dyqan qesen e kam marrë e kam palosur, e kam ruajtur dhe kur kam shkuar në atë dyqan e kam përdorur atë të njëjtën, për të mos paguar më. Unë e kam bërë vetë atë. Kam qëndruar 11 ditë në Hungari dhe menjëherë u edukova”, shprehet Xharra teksa qesh ndër vete.

Por Kosova, siç shprehet ajo, është larg sa i përket krijimit të kulturës për ruajtjen e ambientit. “Jemi tepër larg, dje isha në kinema, tmerr e lanë aty, më erdhi turp të them diçka”, shton e indinjuar Fitorja.

Kërkohet vënia e çmimit për qeset e plastikës

Një metodë, e cila mund të çojë deri te reduktimi i qeseve të plastikës sipas ambientalistit Daut Maloku, i cili është kryetar i Partisë së të Gjelbërve të Kosovës (PGJK), është pikërisht caktimi i çmimit për qeset në fjalë.

“Ka shumë mundësi të parandalimit dhe të eliminimit të qeseve të plastikës: sundimi i ligjit, zbatimi i gjobave, qeset biodegraduese që u përfolën nga institucionet dhe u harruan, të detyrohen bizneset të caktojnë çmim të konsiderueshëm, për shembull 5 centë copën dhe qytetari ta ruajë e ta përdorë me javë e muaj atë”, ka deklaruar Maloku.

Qeset e plastikës sipas tij në të shumtën e herëve përdoren pa kurrfarë nevoje. Por qeset në fjalë, të cilat shumë herë pamëshirshëm hidhen në rrugë, dëmtojnë jashtëzakonisht ambientin.

“Paraqesin rrezik për fëmijët, mund t’i hanë kafshët ose të ngulfaten. Ato prishin imazhin e qyteteve dhe të ambienteve të hapura”, ka theksuar Maloku.

Muajt e fundit Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) pati organizuar një tryezë diskutuese me temën “Hartimi i politikave për reduktimin dhe për ndalimin e përdorimit të qeseve e të shisheve të plastike”. Në këtë tryezë u tha se vetëm gjatë vitit 2017 dhe 2018 janë importuar mbi 12 milionë tonë të qeseve dhe të shisheve plastike në Kosovë. Ndërkaq, nëse flitet për nivelin global, vetëm gjatë vitit 2017 ka pasur 328 milionë tonë të prodhimit të qeseve të plastikës.

Nuk ka rezultat konkret nga nismat institucionale

Për reduktimin dhe për eliminimin e qeseve të plastikës është folur disa herë edhe nga drejtues të institucioneve të Kosovës, por deri më sot nuk është bërë ndonjë zgjidhje konkrete. Ministri në dorëheqje i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë për gazetën se kjo temë është adresuar, megjithatë çështja në fjalë ende nuk ka marrë epilogun e duhur.

“Ne e kemi adresuar si temë, e kemi formuar një grup punues, i cili ka mbajtur takime të shumta me rrjetin e shitësve në Kosovë. Ka ekzistuar edhe më herët një vendim, por nuk është zbatuar kurrë, asnjëherë. Ne kemi dashur ta marrim një vendim të përbashkët me rrjetin e shitësve, që të mos i detyrojmë mandej me masa, me inspektorë, të bëhet spektakël”, është shprehur ai.

Por pas kësaj, siç ka thënë Matoshi, është pranuar një ankesë e Rrjetit të Prodhuesve të Qeseve të Plastikës.

“E kemi marrë një ankesë prej Rrjetit të Prodhuesve të Qeseve të Plastikës. I kemi takuar ata, kanë kërkuar pak afat derisa ta ndërrojnë teknologjinë e tyre, por plani ynë ka qenë dhe është për të shkuar në drejtim të ndalimit të përdorimit të qeseve të plastikës”, ka shtuar ai. Kjo sipas tij, paraqet opsionin e parë kundër përdorimit të qeseve të plastikës, derisa opsioni i dytë ka të bëjë me vendosjen e taksës për qeset e plastikës.

“Janë disa grupe punuese që rekomandojnë opsionin e parë ose të dytë. Unë personalisht jam për të parin”, ka potencuar Fatmir Matoshi, i cili ka thënë se në fillim të vitit që vjen këto pika duhet të realizohen.

Pos kësaj, iniciativa për ndalimin e përdorimit të plastikës ka marrë edhe organizata “Let’s Do It Kosova”. Luan Hasanaj. Kryetar i saj thotë se kjo organizatë ka ndërmarrë disa herë aktivitete, nisma, që kanë të bëjnë me adresimin e reduktimit të përdorimit të qeseve të plastikës.

“Vitin e kaluar gjatë fushatës “Ta pastrojmë Kosovën” kemi bërë marrëveshje me disa prej kompanive në Kosovë që gjatë tre muajve të fushatës të reduktohet në masë të madhe përdorimi i qeseve dhe pas një monitorimi që kemi bërë dhe në bazë të statistikave që ata na i kanë dhënë vetë, diku 50 për qind kanë dhënë qese më pak gjatë atyre muajve”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu Hasanaj ka thënë se “Let’s Do It Kosova” është e rregullt me fushatat që promovojnë ndikimin, të cilin e kanë në mjedis qeset plastike.

“Dalim edhe në fushata të ndryshme nëpër sheshe të qyteteve, shpërndajmë qese të tekstilit, mundohemi t’u themi qytetarëve që ata duhet të marrin sa më pak qese të plastikës në dyqanet kur ata shkojnë, duhet t’i marrin qeset me vete”, ka shtuar ai.

Organizata në fjalë, së cilës qeveria tashmë në dorëheqje, ia pati ndarë 815 mijë euro, thotë se në kuadër të projektit “Ta pastrojmë Kosovën”, përgjatë tre muajve ka pastruar 952 deponi ilegale gjithsej. Por pak muaj pasi kishte përfunduar ky projekt, nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) patën thënë se nuk janë në gjendje të konfirmojnë nëse shuma prej 815,035 eurosh, e ndarë nga qeveria, është shpenzuar në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me ligjin. Teksa ka folur rreth kësaj Hasanaj ka thënë se “Let’s Do It Kosova” asnjëherë nuk ka pasur ndonjë problem në këtë drejtim.

“Asnjëherë, në asnjë rast, nuk përmendet organizata jonë që ka pasur ndonjë problem në lidhje me këtë projekt. Të gjitha dokumentet përcjellëse të projektit përmes procedurave janë të kryera dhe të gjitha janë të dorëzuara në Kryeministri, nuk mungon as edhe një dokument i vetëm”, është shprehur ai.

Qeset plastike shkaktojnë dëme të konsiderueshme globale mjedisore. Për shpërbërjen e këtyre qeseve konsiderohet se nevojiten diku rreth 1 mijë vjet/ZERI