Qytetarët e ndërtimet e reja në qytete, faktorë kryesorë të ndotjes
FOTO: Zëri

Qytetarët e ndërtimet e reja në qytete, faktorë kryesorë të ndotjes

Ekonomia September 09, 2019 - 08:13
Lexoni detajet
Image

Medina Braha, drejtoreshë e Shërbimeve Publike, e Mbrojtjes dhe e Shpëtimit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se qytetarët duhet të jenë më të ndërgjegjshëm për mbajtjen e pastërtisë së mjedisit. Sipas saj, në ndotjen e ambientit po ndikojnë edhe ndërtimet që po realizohen në këtë komunë. Deri në shkurt të këtij viti Komuna e Prizrenit ka pasur të kontraktuar tri kompani për pastrim të qytetit, ndërsa që nga muaji shkurt ka mbetur pa kontratë të pastrimit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Qytetarët e Kosovës edhe më tej vlerësohet të jenë faktori kryesorë i ndotjes së ambientit në vend, pavarësisht gjobave që kanë filluar të shqiptohen për të gjithë ata që hedhin mbeturina jashtë kontejnerëve

Po ashtu edhe ndërtimet që bëhen në qytete dhe problemet me kontraktimin e kompanive të pastrimeve po ndikojnë negativisht në ndotjen e ambientit.

LEXO EDHE: Diaspora kërkon rrugë më të lehtë për të votuar

Medina Braha, drejtoreshë e Shërbimeve Publike, e Mbrojtjes dhe e Shpëtimit në Komunën e Prishtinës, ka thënë për “Zërin” se janë duke punuar që ta mbajnë të pastër kryeqytetin. Ajo ka thënë se qytetarët duhet të jenë më të vetëdijshëm për mbajtjen e pastërtisë së mjedisit, derisa në ndotjen e ambientit po ndikojnë edhe ndërtimet që po realizohen në këtë komunë.

“Kemi qytetarë që janë shumë të vetëdijshëm, kemi edhe qytetarë të cilëve u nevojitet një nivel më i lartë i vetëdijes mbi domosdoshmërinë e mbajtjes pastër të mjedisit. Pra, ndonjëherë për shkak të shprehive, ndonjëherë për shkak të mungesës së informimit adekuat e ndonjëherë për ta zvogëluar minimalisht koston, numri i deponive të cilat po krijohen është shumë i madh. Një faktor tjetër i cili ka ndikuar në nivelin e lartë të ndotjes është edhe numri i madh i ndërtimeve që realizohen në komunën e Prishtinës. Mjafton një përqindje shumë e ulët e qytetarëve të pandërgjegjshëm që të krijohen shpejt deponi ilegale ose edhe mbeturina në rrugë në mes të orareve të pastrimit”, ka thënë ajo.

Braha ka treguar se si Komunë kanë marrë masa drejt mbrojtjes së ambientit, kështu duke ofruar shërbime edhe në ato fshatra ku numri i shtëpive është shumë i vogël.

“Ne jemi duke realizuar aksione të mbledhjes së mbeturinave të vëllimshme në lagjet brenda territorit të komunës së Prishtinës. Është e rëndësishme të theksohet se këtë shërbimin e fundit e kemi trefishuar nga korriku i këtij viti, nga dy herë në vit, me kontratën e re që e kemi nënshkruar me ‘Pastrimin’ në korrik të 2019-s, mbledhja e mbeturinave të vëllimshme tani bëhet çdo dy muaj. Në anën tjetër, largimi i deponive ilegale të evidentuara është duke vazhduar. Duhet theksuar se në këtë drejtim është bërë një punë e jashtëzakonshme nga prilli i 2019-s, kur filluam me një gjendje ku kishte mbi 140 deponi ilegale të identifikuara”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Komuna e Prishtinës organizon edhe aksione në çdo datë të shënuar që ka të bëjë me mjedisin, por edhe në ditët tjera.

Aksionet për pastrimin e vendit, të nevojshme për ngritjen e vetëdijes qytetare

Drejtoresha ekzekutive e “Green Art Center”, Merlina Beu-Muçaj, i ka vlerësuar si të domosdoshme aksionet për pastrimin e mjedisit për ngritjen e vetëdijes qytetare për rëndësinë e mjedisit të pastër. Ajo ka thënë se momentalisht janë të nevojshme intervenimet në mënyrë që të reduktohet ndotja e tokës, e ajrit e po ashtu edhe e ujit.

“Nëse flasim për gjendjen aktuale mjedisore mund të themi se ka nevojë për intervenime emergjente konkrete me qëllim që të reduktohet ndotja e tokës, e ujërave dhe e ajrit. Është shqetësues fakti që ne si popullatë ballafaqohemi me ndotje të lartë të ajrit, me rrezik të kontaminimit të ujërave si pasojë e ndotjes prej deponive, mungesës së sistemit të kanalizimit ose derdhjen e papërgjegjshme të mbeturinave në to, andaj duhen më shumë investime konkrete prej nivelit qendror në këtë sektor duke ndihmuar institucionet lokale për zgjidhje e sfidave”, ka thënë ajo.

Beu-Muçaj ka bërë të ditur se si organizatë zhvillojnë aksione të ndryshme me qëllim ngritjen e vetëdijes për ndryshimin e sjelljeve mjedisore. “GAC-i si organizatë në vazhdimësi bashkë me vullnetarët tanë dhe me klubet e gjelbra anembanë nëpër komuna, zhvillojmë ose i bashkëngjitemi të gjitha aksioneve që ndërmerren për qëllim të mirë për komunitetin e mjedisin ku jetojmë dhe ku veprojmë. Megjithatë krahas saj, fokusi i veprimtarisë se GAC-it mbetet në ngritjen e vetëdijes përmes edukimit të gjeneratës së re dhe komunitetit me qëllim ndryshimin e sjelljeve mjedisore. Njëherësh bashkërisht dhe në partneritet me donatorë dhe me institucione jemi duke ndarë implementimin e planeve konkrete në nivel lokal, kryesisht në sektorin e menaxhimit të mbeturinave”, ka shtuar ajo.

Ajo është shprehur se shpreson që institucionet në vend të punojnë më shumë rreth përmirësimit të gjendjes së mjedisit.

Problemet e kontraktimit të kompanive të pastrimit

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Levent Kasemi, ka thënë për gazetën “Zëri” se problemet me mbeturina në këtë komunë rrjedhin si pasojë e pamundësisë së kontraktimit të kompanive të pastrimit. Ai ka bërë të ditur se deri në shkurt të vitit 2019 kjo Komunë ka pasur të kontraktuar tri kompani për pastrim të qytetit, ndërsa që nga muaji shkurt e gjer më tani ka mbetur pa kontratë të pastrimit.

“Problemet me mbeturina ose mirëmbajtja e hapësirave publike në përgjithësi rrjedhin si pasojë e pamundësisë së kontraktimit të kompanive për pastrim, për shkak të bllokimit të procesit të prokurimit nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit. Komuna e Prizrenit deri në shkurt të vitit 2019 ka pasur të kontraktuara tri kompani për pastrim të qytetit, ndërsa që nga muaji shkurt e gjer më tani ka mbetur pa kontratë të pastrimit shkaku i ankesës nga një OE-ja të papërgjegjshme, e cila ka tejkaluar parashikimet buxhetore në secilin lot në vlerë mbi 1.500.000 dhe lënda është në OSHP”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se gjatë kësaj kohe sa ka qenë Komuna pa kontratë, mirëmbajtja e qytetit është bërë nëpërmjet kompanisë regjionale të mbeturinave "Ekoregjioni", e cila përveç zonës që i takon për pastrim dhe mirëmbajtje, në mënyrë vullnetare është angazhuar edhe në zonat e tjera duke e mbuluar tërë qytetin.

E po ashtu, siç ka thënë ai, gjatë kësaj kohe edhe Drejtoria e Shërbimeve Publike ka organizuar aktivitete të ndryshme për mbrojtjen e ambientit.

“Një prej aksioneve më të mëdha për pastrim me pjesëmarrje vullnetare është aksioni 3-ditor i organizuar më 8-10 gusht, ku është bërë largimi i pikave ilegale, pastrimi, fshirja dhe kositja në 20 lokacione të ndryshme, duke përfshirë lagjet e ndryshme dhe zonat periferike të qytetit. Përveç qytetarëve vullnetarë, në këtë aksion kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, të institucioneve të ndryshme dhe të kompanive që operojnë në komunën tonë”, ka deklaruar ai./ZERI