Sekuestrohen asete në vlerë 4 milionë euro

Sekuestrohen asete në vlerë 4 milionë euro

Ekonomia shtator 03, 2019 - 16:57
Detajet

Përkundër sekuestrimit të rreth 100 aseteve në vlerë prej rreth 4 milionë euro, ende vazhdon të mbetet sfiduese çështja e konfiskimit me vendime përfundimtare të gjykatave.

Kështu bëri të ditur drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, në mbledhjen e mbajtur të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ku është prezantuar raporti tremujor (prill-qershor 2019) për aktivitetet dhe rekomandimet e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.

Krasniqi tha se gjatë kësaj periudhe është vazhduar me ngrirje dhe sekuestrim të pasurisë, ndonëse e pranoi se mbetet sfidë konfiskimi.

Sipas tij, është pozitive që ngrirjet dhe sekuestrimet të pasurisë kanë ndodhur për vepra të ndryshme penale, porse mbeten shqetësuese vendimet e papërfunduara të gjykatave që kanë të bëjnë me konfiskimin e thjeshtë.

Lidhur me veprat penale, Krasniqi tha se kërkojnë që të unifikohen procedurat e veprimit në rastet e kontrabandimit të mallrave dhe shpëlarjes së parave etj.

Kurse në anën tjetër kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se për këtë mund të ketë një udhëzim të detyrueshëm nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nëse nuk ka unifikim në zbatimin e procedurave.

I një mendimit ishte edhe kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, për çka tha se nuk duhet të ekzistojë si rekomandim.

Sa i përket çështjes së konfiskimit, Hyeseni tha se mbetet ende problem, teksa shtroi se sekuestrimi ka rezultate të mira ku të gjitha prokuroritë kanë vepruar.

Krahas sekuestrimit që po arrihet me sukses, ai tha se po mungon konfiskimi, për çka shtoi se duhet të ketë një mekanizëm brenda gjykatave.

I pakënaqur me perfomancën e prokurorëve ishte zëvendëskryesuesi i KPK-së, Arben Ismajli, i cili vlerësoi se numri i lëndëve të kryera është shumë i vogël. Ai tha se korrupsioni është i njëjtë gjithandej, porse prokurorë në qytete të ndryshme nuk po i kryejnë lëndët.

Ndërsa kryeprokurori Lumezi tha se Prokuroria Themelore në Prishtinë i trajton rastet më të ndërlikuara, porse kjo nuk arsyeton numrin e vogël të lëndëve të zgjidhura.