Kadrijaj: Fajdexhinjtë legjitimë po e bëjnë të pamundur jetën biznesore në Kosovë

Kadrijaj: Fajdexhinjtë legjitimë po e bëjnë të pamundur jetën biznesore në Kosovë

Ekonomia August 24, 2019 - 19:26
Lexoni detajet

Sektori bankar edhe më tej vlerësohet të jetë më fitimprurësi në Kosovë. Derisa bankat po vazhdojnë ta rrisin fitimin e tyre, ekonomistët në vend kanë thënë për gazetën se bizneset tjera po dëmtohen nga shërbimet e shtrenjta bankare, shkruan Gazeta "Zëri". 

Edhe ekonomisti Mustafë Kadrijaj ka pasur kritika për shërbimet bankare në Kosovë, të cilat po i dëmtojnë bizneset në Kosovë e po ashtu edhe qytetarët.

Ai ka thënë për “Zërin” se Kosova ka nevojë për banka, të cilat i përkrahin bizneset e vendit e jo për fajdexhinj legjitimë që ndikojnë në mbylljen e bizneseve.

“Mashtrimi dhe manipulimi është bërë sistem që e njëjta shumë e parave ka vlera më shumë kur ta jep institucioni financiar kredinë, ndërsa kur depoziton është pesë herë më e vogël. Pra, këtu më së paku kemi përkrahje të biznesit. Kemi fajdexhinj që legjitimitetin ua japin institucionet e vendit duke bërë që këto biznese të zhvillohen, derisa çdo ditë mbyllen biznese si rezultat i moskthimit të kredive të papërballueshme dhe shumë qytetarëve u konfiskohet pasuria. Si përfundim, ekonomia e Kosovës ka nevojë për banka në përkrahje të biznesit, por më së paku për fajdexhinj legjitimë, të cilët po e bëjnë të pamundur jetën biznesore në Kosovë”, ka thënë ai për "Zërin". 

Kadrijaj ka vlerësuar se qeveritë e Kosovës nuk kanë bërë politika të mira ekonomike. Sipas tij, është absurde që në një vend me ekonomi të dobët e me papunësi të lartë të lulëzojnë bizneset financiare.

“Zhvillimi i bizneseve financiare, si bankat dhe mikrofinancat, është treguesi më real që qeveritë e Kosovës nuk kanë pasur politika të mirëfillta ekonomike, duke i lënë të lira këto biznese që të dëmtojnë biznesin në vend dhe ekonomitë familjare. Pra, ky është absurditeti i llojit të vet, ku në një vend me ekonomi të dobët, me papunësi të lartë dhe mirëqenie të ulët të lulëzojnë bizneset financiare. E gjithë kjo parimisht nuk ka logjikë, sepse si rezultat i një ekonomie tregu dhe industrie prodhuese ajo reflekton në limitet financiare, shërbyese dhe tregtare që në Kosovë është e kundërta si rezultat i qeverisjeve pa strategji ekonomike afatgjate”, ka shtuar ai. /ZERI