Jashari dhe Lluka premtojnë realizimin e disa projekteve në Skenderaj

Jashari dhe Lluka premtojnë realizimin e disa projekteve në Skenderaj

Ekonomia August 15, 2019 - 19:22
Detajet

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka qëndruar sot në një vizitë punë tek kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, me të cilin kanë diskutuar për projektet që Ministria e Zhvillimit Ekonomik është duke realizuar dhe planifikon të realizoj në këtë komunë.

Lluka bëri të ditur se këtë vit ka alokuar rreth 300,000 euro për ndërtimin e objektit administrativ të ujësjellësit si dhe Kompanisë për Pastrimin e Mbeturinave të cilat do të vendosen në një tokë publike së bashku me Zjarrfikësit e komunës.

Kreu i MZHE-së, gjithashtu theksoi se, dy shkolla të kësaj komune do të bëhen së shpejti efiçiente në aspektin energjetik.

Po ashtu, është shqyrtuar mundësia për zhvillimin e burimeve ujore përmes digës dhe rezervuarit, në mënyrë që të sigurohet qëndrueshmëri afatgjate për furnizim me ujë të pijes dhe ujitjes.

Në anën tjetër, kreu i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari tha se zhvillimi ekonomik është një nga prioritetet tona të larta dhe Komuna do të vazhdojë angazhimin për realizimin e projekteve me mbështetje të nivelit qendror.