Prodhimi vjetor i 'Trepçës' në veri - 200 mijë tonë xehe
Foto: Laura Hasani

Prodhimi vjetor i 'Trepçës' në veri - 200 mijë tonë xehe

Ekonomia gusht 09, 2019 - 08:09
Lexoni detajet
Image

Drejtori i “Trepçës” në veri, Jovan Dimkiq, ka thënë se pagat për tre mijë të punësuar në kombinatin “Trepça” sigurohen nga shitja e xehes, e cila prodhohet në dy minierat “Crnac” dhe “Belo Berdo”, ndërsa ka konstatuar se për çdo vit punësohen prej 30 deri në 50 punëtorë të rinj, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Duke folur për situatën e përgjithshme në kombinatin “Trepça” në veri, Jovan Dimkiq, drejtor gjeneral, tha se në kuptimin e realizimit të planit të prodhimit të rezultateve të financiare gjendja është e qëndrueshme.

Dimkiq ka uruar të gjithë të punësuarit në “Trepçë”, ndërsa ka falënderuar drejtorin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, për mbështetjen e vazhdueshme.

“Për mbështetjen që na jep Gjuriqi kjo është shumë e rëndësishme për ne dhe tregon se shteti i Serbisë është gjithmonë përkrah nesh. Momentin e tanishëm e karakterizon situatë e qëndrueshme dhe atmosferë e punës në kuptimin e realizimit të planit biznesor dhe të rezultateve. Për çdo vit kombinati punëson prej 30 deri në 50 punëtorë të rinj. Të ardhurat për tre mijë punëtorët sigurohen nga prodhimi, respektivisht nga të hyrat nga shitja e xehes, e cila prodhohet në dy minierat ‘Crnac’ dhe Belo Berdo’. Prodhimi ynë është në nivelin e viteve më të mira të realizuar në ‘Trepçë’ dhe sillen rreth 200.000 tonë xehe të eksploatuar nga dy minierat”, ka thënë Dimikiqi.

Ndërkaq zëvendësi i drejtorit të Zyrës Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, tha sistemi energjetik në Kosovës prej Ujmanit deri te “Trepça” paraqet digën e mbrojtjes së ekzistencës serbe në Kosovë.

“Trepça” ka hyrë në dekadën e 10-të të ekzistimit

“Mbijetesa e popullit serb në veri të Kosovës dhe zhvillimi ekonomik i saj nuk kanë kuptim pa kombinatin metalurgjiko-kimik ‘Trepça’, i cili është bërë bastion i luftës serbe për të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt që dëshirojmë ta ndërtojmë në vatrat tona shekullore në Kosovë”, ka thënë Petkoviq, duke shtuar se Dita e Minatorëve paraqet një nga festat më të rëndësishme për Serbinë, për faktin se minatori serb është simbol i punës së ndershme dhe të zorshme.

Ai ka vlerësuar se duke iu falënderuar minatorëve, të cilët luftojnë çdo ditë në thellësinë e tokës, sektori energjetik minerar ka siguruar zhvillimin ekonomik.

“‘Trepça’ ka hyrë në dekadën e 10-të të ekzistimit dhe në dekadën e 10-të të investimeve të Serbisë në ndërtimin, prodhimin dhe teknologjinë e kësaj ndërmarrjeje, pronar i së cilës është”, ka përkujtuar Petkoviq, i cili ka porositur që edhe më tutje të vazhdojë lufta me të gjitha barrierat, pengesat dhe kërcënimet ndaj “Trepçës”, si dhe të mos harrohet që “obligimi ynë edhe më tutje mbetet që të përkujdesemi për ‘Trepçën’ dhe për 3000 punëtorët e saj”.

“Duke iu falënderuar presidentit Vuçiq, Serbia sot është shtet shumë më e fortë dhe më e fuqishme, edhe në kuptim ushtarak, edhe në atë ekonomik, por edhe në skenën politike ndërkombëtare, gjë që na mundëson të luftojmë edhe më fuqishëm për ta mbrojtur atë që është jona dhe atë që na takon në Kosovë”, ka thënë mes tjerash Petkoviq.

Gjuriqi uron minatorët

Në anën tjetër, nëpërmes një telegrami punëtorët e “Trepçës” dhe drejtuesit e saj i ka uruar Marko Gjuriqi, drejtor i Zyrës Serbe për Kosovën.

Ai ka konstatuar se “puna e minatorit është e rëndë, e rrezikshme, por mbi të gjitha e pastër, duke shtuar se minierat janë të ndërlidhura ngushtë me zhvillimin e Kosovës, por edhe të tërë Serbisë dhe se pa këtë kombinat zhvillimi ekonomik në krahinën jugore serbe do të ishte vështirë të imagjinohet, ‘Trepça’ mbi të gjitha, është interesi ynë nacional, krenaria jonë kombëtare.

‘Trepça’ është e gatshme dhe e përgatitur do t’i presë të gjitha sfidat dhe sikurse edhe deri më tani do të japë kontributin e vet dhe shtytje për mbetjen dhe qëndrimin e popullit serb në Kosovë, për krijimin e vendeve të reja të punës, për pozitë më të favorshme sociale të të punëtorëve dhe për jetë më të mirë”, ka thënë mes të tjerash Marko Gjuriqi në telegramin e urimit për punëtorët e “Trepçës” në veri.