Investime të huaja, veç në patundshmëri
Foto: Laura Hasani

Investime të huaja, veç në patundshmëri

Ekonomia July 19, 2019 - 08:05
Lexoni detajet
Image

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet se gjatë katër muajve të parë të këtij viti shuma totale e investimeve të huaja në sektorin e patundshmërive ka arritur në 62.9 milionë euro, nga 69.5 milionë euro sa ka qenë shuma totale e investimeve të huaja në vendin tonë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Thuajse të gjitha mjetet që kanë ardhur në Kosovë në emër të investimeve të huaja gjatë katër muajve të parë të këtij viti kanë përfunduar në sektorin e patundshmërive.

LEXO EDHE: Mungojnë medikamentet, shtyhen operacionet në QKUK

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet se gjatë katër muajve të parë të këtij viti shuma totale e investimeve të huaja në sektorin e patundshmërive ka arritur në 62.9 milionë euro, nga 69.5 milionë euro sa ka qenë shuma totale e investimeve të huaja në vendin tonë.

Sipas të dhënave zyrtare të BQK-së, shihet se gjatë muajit prill të këtij viti në sektorin e patundshmërive janë investuar hiç më pak se 15.8 milionë euro, derisa në sektorin e shërbimeve financiare sipas të dhënave zyrtare janë tërhequr investime prej 23.8 milionë eurove.

Po ashtu tërheqje të investimeve gjatë muajit prill, prej 1.4 milion eurosh, kemi edhe nga sektori i transportit dhe telekomunikacionit. Po kaq kemi tërheqje edhe nga sektori i shërbimeve tregtare.

Më tutje në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se gjatë muajit prill të këtij viti në sektorin e ndërtimit kemi pasur 1.1 milion euro investime të huaja, derisa në sektorin e energjetikes vlera totale e investimeve të huaja ka qenë 5.6 milionë euro.

Po ashtu, gjatë muajit prill, 100 mijë euro investime kanë qenë në sektorin e industrisë, 200 mijë euro në sektorin e minierave e 700 mijë euro në sektorin e bujqësisë. Ashtu edhe sikurse në të kaluarën, pjesa dërrmuese e mjeteve që kanë ardhur në emër të investimeve të huaja janë nga Gjermania.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajit prill të këtij viti nga ky shtet për në vendin tonë kanë ardhur 5.6 milionë euro investime, nga Zvicra 5.2 milionë euro, derisa biznesmenët nga Turqia gjatë këtij muaji nga Kosova kanë larguar hiç më pak se 28.4 milionë euro.

Po ashtu në vlera më të vogla investime të huaja në vendin tonë gjatë muajit prill ka pasur edhe nga shtete tjera të Bashkimit Evropian, por edhe më larg.