17 familje për 10 muaj kanë jetuar pa energji elektrike

17 familje për 10 muaj kanë jetuar pa energji elektrike

Ekonomia July 18, 2019 - 08:12
Lexo Detajet
Image

17 familje të vendosura në ndërtesën e banimit social në Stan Tërg për 10 muaj kanë jetuar në terr, pasi që KEDS-i dhe KESCO nuk kanë pranuar ta lëshojnë rrymën për shkak të një borxhi të krijuar nga shfrytëzimi i energjisë elektrike në të ashtuquajturat “bankhauza” të banuara nga familjet me nevojë. Komuna e Mitrovicës më në fund ka pranuar ta paguajë borxhin me këste në 5 vjetët e ardhshëm, shkruan gazeta "Zëri".

17 familje të vendosura në ndërtesën e banimit social në Stan Tërg të Mitrovicës më në fund kanë fituar dritën, pasi që Komuna e Mitrovicës ka pranuar ta paguajë një borxh të krijuar nga shfrytëzimi i energjisë elektrike në të ashtuquajturat “bankhauza” të banuara nga familjet me nevojë, për të cilin zyrtarët komunalë të Mitrovicës thonë se nuk ka qenë i tyre. Për 10 muaj 17 familje kanë jetuar në ndërtesën e banimit social në Stan Tërg në terr të plotë, pasi që me përurimin e ndërtesës nuk është lëshuar edhe rryma. KEDS-i dhe KESCO nuk kanë pranuar ta lëshojnë rrymën pa ua paguar një borxh, që ishte krijuar nga shfrytëzimi i energjisë elektrike në të ashtuquajturin “bankhauza”, të banuar nga familje në nevojë. Nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka, ka shpjeguar se më në fund ka përfunduar “saga fatkeqe” pothuajse 10-muajshe e mungesës së energjisë elektrike në ndërtesën me 17 banesa për raste sociale në Stan Tërg.

“Duke mos dashur që këta banorë, të cilët edhe ashtu e kanë jetën mjaft të vështirë, të penalizohen pa fajin e tyre, Komuna ka pranuar që ta paguajë borxhin e krijuar nga shfrytëzimi i energjisë elektrike në të ashtuquajturit ‘bankhauza’ të banuara nga familjet me nevojë e që nuk kanë qenë fare nën administrim të Komunës. Për këtë qëllim muajin e kaluar e kemi negociuar, ndërsa tani kemi nënshkruar memorandum mirëkuptimi me KEDS-in dhe KESCO-n për pagesën e borxhit me këste në 5 vjetët e ardhshëm”, ka thënë Mujka, sipas së cilit rryma do të duhej të lidhej menjëherë pas nënshkrimit të këtij memorandumi.

Nuk e kanë kyçur energjinë pa marrëveshje

Ai ka shprehur keqardhjen më të thellë për peripecitë nëpër të cilat kanë kaluar banorët e kësaj ndërtese pa fajin e tyre. “Por as Komuna nuk ka pasur kurrfarë faji dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me këtë borxh, pasi që ato nuk janë administruar nga Komuna e Mitrovicës. Edhe ata kanë qenë të vetëdijshëm për këtë gjë gjatë shumë takimeve e bisedimeve që kemi pasur bashkë, ndërkohë. Njëkohësisht ndihem shumë mirë që më në fund mund të shohim buzëqeshjen e plotë të fëmijëve, pleqve dhe gjithë shfrytëzuesve të këtyre banesave, aq më tepër që kjo marrëveshje është arritur para fillimit të sezonit dimëror”, është shprehur nënkryetari Mujka. Ai ka apeluar te banorët e kësaj ndërtese sociale që rrymën të cilët do ta shfrytëzojnë tani e tutje ta kursejnë maksimalisht dhe të jenë të vetëdijshëm se borxhi eventual do të jetë borxh i tyre personal.

Ndryshe, shumë familje në gjendje të rëndë sociale dhe me probleme të banimit kanë jetuar prej përfundimit të luftës në disa objekte të dëmtuara dhe pothuajse krejtësisht të shkatërruara të “Trepçës” në Stan Tërg. Ato familje kanë shfrytëzuar energjinë elektrike dhe ujin në banesat në të cilat kanë jetuar dhe me kalimin në ndërtesën e re të banimit social, i cili është ndërtuar me mjetet e Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale, borxhi për rrymën ka mbetur pa u paguar. KEDS-i dhe përgjithësisht KESCO kanë kërkuar që këtë borxh ta paguajë Komuna e Mitrovicës, por ajo nuk kishte pranuar ta paguajë borxhin, për shkak se ato objekte “bankhauza” nuk janë administruar nga Komuna e Mitrovicës.

294 mijë euro investime në objekt

Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale kishte investuar 294 mijë euro, ndërsa projekti kishte filluar të realizohej në vitin 2016.

Në shkurtin e vitit 2018 kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale përuruan ndërtesën e banimit social, në të cilën u patën vendosur 17 familje, që deri atëherë kishin jetuar në kushte të rënda të banimit. “Është projekt jashtëzakonisht me rëndësi për këto familje, sepse me të vërtetë kanë nevojë. Nuk guxojmë të lejojmë që familjet tona të jetojnë në kushtet të cilat nuk janë të dinjitetshme. Jemi në një ambient i cili është shumë krenar për historinë e vet, ka dhënë shumë heronj e dëshmorë, rreth këtyre maleve ka beteja të lavdishme të luftëtarëve të lirisë, me të madhin Isë Boletin, pastaj me UÇK-në. Këta fëmijë meritojnë të ardhme më të mirë. Liria jonë është e shenjtë, shteti ynë është i shenjtë dhe duhet të punojmë që juve fëmijë t’ju lëmë një shtet, i cili është sovran dhe i zhvilluar. Nuk do të lejojmë të nëpërkëmbët e drejta e qytetarëve. Kjo nëntoka e këtij vendi i ka dhënë fuqi shtetit. Ua jap fjalën familjeve që 50 për qind do t’ua mobilojë kuzhinat me donatorë.

50 për qind do t’i sigurojmë ne institucionet”, pati thënë kryeparlamentari Veseli në ditën e përurimit të ndërtesës së banimit social në Stan Tërg, duke premtuar se brenda mandatit të tij nuk do të ketë familje pa strehë mbi kokë. Njëjtë pati deklaruar edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili pati siguruar se në këtë objekt social do të zënë vend vetëm familjet me gjendje të rëndë sociale. Para se të përurohej ndërtesa e banimit social në Stan Tërg, Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale ia kishte kaluar objektin në pronësi Komunës së Mitrovicës, e cila pastaj përmes një komisioni kishte bërë përzgjedhjen e 17 familjeve.

Por problem kishte dalë me energjinë elektrike të këtij objekti, pasi që KEDS-i nuk kishte pranuar që ndërtesa të lidhet në rrjetin elektrik. Ata paraprakisht kërkonin që Komuna ta paguajë borxhin që kishte mbetur, por që kjo e fundit kishte refuzuar. Në fund, para tri ditësh, Komuna e Mitrovicës dhe KEDS-i e KESCO janë marrë vesh që Komuna ta paguajë borxhin me këste në 5 vjetët e ardhshëm. Me marrëveshjen e arritur 17 familjet e vendosura në ndërtesën e banimit social në Stan Tërg janë bërë me drita./ZËRI