Nga Serbia për 5 muaj, 9 milionë € importe e 28 milionë € eksporte
Foto: Laura Hasani

Nga Serbia për 5 muaj, 9 milionë € importe e 28 milionë € eksporte

Ekonomia July 18, 2019 - 08:07
Detajet
Image

Gjatë pesë muajve të parë të këtij viti (janar - maj), duke iu referuar të dhënave zyrtare, shihet se vlera totale e produkteve të importuara nga Serbia në Kosovë ka arritur vlerën prej më shumë se 9 milionë eurosh, derisa prodhuesit kosovarë në këtë shtet kanë eksportuar produkte në vlerë prej më shumë se 28 milionë eurove, shkruan gazeta "Zëri".

Për herë të parë thuajse pas dy dekadash ka ndërruar krejtësisht bilanci tregtar mes Kosovës dhe Serbisë. Derisa nga përfundimi i luftës e deri më tash importi nga ky shtet ka qenë qindramilionësh e eksporti shumëfish më i vogël, gjatë pesë muajve të parë të këtij viti (janar - maj), duke iu referuar të dhënave zyrtare, shihet se vlera totale e produkteve të importuara nga Serbia në Kosovë ka arritur vlerën prej më shumë se 9 milionë eurosh, derisa prodhuesit kosovarë në këtë shtet kanë eksportuar produkte në vlerë prej më shumë se 28 milionë eurove.

Në bazë të të dhënave, të cilat janë publikuar në uebfaqen e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet qartë se importi nga Serbia në janar të këtij viti ka qenë 800 mijë euro, nga 31 milionë euro sa ka qenë në janar të vitit 2018. Po ashtu në shkurt të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare, importi nga ky shtet ka qenë 1.3 milion euro, derisa në shkurt të vitit 2018 ka qenë 61 milionë euro.

 Rënie e madhe e importeve

Gjithnjë duke u bazuar në të dhëna zyrtare, shihet se në mars të këtij viti importi nga Serbia ka qenë 1.6 milion euro, derisa në mars të vitit që lamë pas ka qenë 97 milionë euro. Në prill të këtij viti, duke iu referuar të dhënave zyrtare, importi nga Serbia ka qenë 2.4 milionë euro, derisa në prill të vitit 2018 i njëjti ka qenë hiç më pak se 134 milionë euro.

Po ashtu, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, shihet qartë se në mars të këtij viti importi nga Serbia ka qenë 3 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka qenë 173 milionë euro.

Por, duke u bazuar në të dhëna zyrtare, shihet një rënie drastike e importeve nga Serbia, në anën tjetër eksportet në këtë shtet po rriten dukshëm nga muaji në muaj. Sipas të dhënave zyrtare të BQK-së, shihet se prodhuesit kosovarë në këtë shtet kanë eksportuar produkte në vlerë prej më shumë se 28 milionë eurove.

28 milionë euro eksporte

E sipas të dhënave që janë publikuar nga BQK-ja shihet se eksporti thuajse vazhdon të jetë i njëjtë sikurse në vitet paraprake. Në janar të këtij viti prodhuesit kosovarë në Serbi kanë eksportuar produkte në vlerë prej 1.4 milion eurosh, vlerë e njëjtë me eksportet e janarit të vitit 2018. Në muajin shkurt eksporti në Serbi ka qenë 3.2 milionë euro, ose 100 mijë euro më shumë sesa në shkurt të vitit 2018, derisa në mars të këtij viti eksporti në Serbi ka qenë 4.7 milionë euro, derisa në mars të vitit që lamë pas ka qenë 5.3 milionë euro. Po ashtu në prill të këtij viti eksporti në Serbi ka qenë 8.3 milionë euro, nga 7.6 milionë euro sa ka qenë në prill të vitit 2018, derisa në maj të këtij viti eksporti i prodhuesve kosovarë në Serbi ka qenë mbi 10 milionë euro, nga 11.6 sa ka qenë në maj të vitit 2018./ZËRI