“Trepça” në gjendje të rëndë financiare
Foto: Laura Hasani

“Trepça” në gjendje të rëndë financiare

Ekonomia July 16, 2019 - 07:59
Lexo Detajet
Image

Drejtori i ri menaxhues i “Trepçës”, Basri Ibrahimi, i tha “Zërit” se vazhdimisht është i angazhuar për ta përmirësuar gjendjen në gjigantin ekonomik kosovar, porse problemet e shumta, sidomos ato financiare, edhe më tutje vështirësojnë menaxhimin e kombinatit,shkruan sot gazeta Zëri.

Gjendja në gjigantin kosovar “Trepça” edhe pas ndryshimit të statusit të saj vazhdon të jetë e njëjtë, me probleme të mëdha financiare, me vështirësi në menaxhim dhe me rënie të vazhdueshme të prodhimit. Drejtori i ri menaxhues i “Trepçës”, Basri Ibrahimi, i tha “Zërit”, të dielën, se vazhdimisht është i angazhuar për ta përmirësuar gjendjen në gjigantin ekonomik kosovar, porse problemet e shumta e sidomos ato financiare edhe më tutje vështirësojnë menaxhimin e kombinatit.

“Por ka shenja të përmirësimit, bile edhe të rritjes së prodhimit. Ka probleme, sidomos financiare, punëtorët i marrin pagat me rregull, ka ndoshta vonesa, por ende nuk ka ndodhur që punëtorëve t’u mbetet borxh një pagë. Për muajin qershor punëtorët do t’i marrin pagat javën që vjen”, i tha “Zërit” drejtori i ri menaxhues i “Trepçës”, Basri Ibrahimi, të dielën, shkruan sot gazeta Zëri.

LEXO EDHE:  Opozita: Në shtator u votua Qeveria, në shtator rrëzohet

I pyetur për shitjen e zinkut nga menaxhmenti i “Trepçës” në veri, nga minierat e Crnacit dhe Bellobërdos, Ibrahimi tha se nuk ka mundur të kontaktojë me manxhmentin në veri, pasi që, siç tha ai, ka qenë i zënë me “punë të tjera”.

“Nuk kam kontaktuar me ata të veriut, nuk kam informacione se menaxhmenti i ‘Trepçës’ në veri e ka qitur në shitje zinkun. Kemi shumë punë, jemi të angazhuar maksimalisht për ta kthyer prodhimin që ka qenë në rënie dhe besoj se për një kohë të shkurtër do të rritet prodhimi. Që tani ka shenja të rritjes së prodhimit në ‘Trepçë’”, tha ai, shkruan sot gazeta Zëri.

Mungesa e mjeteve për investime, sfidë

Ndryshe, “Trepça” ka kaluar një periudhë të vështirë financiare edhe pas zgjedhjes së problemeve statusore të saj. Sfida më kryesore e ndërmarrjes “Trepça” është mungesa e mjeteve financiare për revitalizimin e minierave dhe të flotacioneve të amortizuara, të cilat po krijojnë kosto shtesë prodhuese.

Minierat i kanë kostot fikse edhe kur nuk janë aktive, ato kërkojnë mirëmbajtje edhe kur nuk prodhojnë, mirëmbajtja e infrastrukturës elektrike, e mjeteve dhe e pajisjeve nëntokësore të punës, siguria fizike e minierës, mirëmbajtja e horizonteve dhe vendpunishteve nga përmbytja, ajrimi, pompat e ujit.

Për mirëmbajtën e minierës ndodhin pothuajse të njëjtat shpenzime edhe kur minierat janë aktive ose eksploatimet e xehes, këto janë shpenzimet elementare, siç janë: transporti, ushqimi, pagat e punëtorëve, pensionet e parakohshme, stipenditë, energjia elektrike, uji i pijshëm, derivatet, eksplozivi. Një nga sfidat e ndërmarrjes është edhe fuqia punëtore e vjetër, teknologjia dhe pajisjet e vjetërsuara në flotacionin e Tunelit të Parë dhe në Flotacionin e Kishnicës, mungesa dhe furnizimi me makineri dhe pjesë rezervë.

Numri i punëtorëve që kanë dalë në pension në vitin 2018 është 57, pa i llogaritur edhe ata që po vdesin natyrshëm gjatë marrëdhënies së punës. Është më rendësi të thuhet se gjatë këtij viti 55 minatorë (punëtorë) dalin në pension, përderisa është e pamundur të pranohen punëtorë të rinj, duke u bazuar në gjendjen financiare të cilën ndodhet “Trepça”. “Trepça” që nga paslufta asnjëherë nuk ka mbijetuar nga prodhimi të cilin e ka realizuar. Që nga viti 2007 ndërmarrja ajo për çdo vit ka marrë subvencione nga Qeveria e Kosovës, 8 milionë euro vetëm për minierën e Stan Tërgut.

Pas vitit 2008 Qeveria e Kosovës ka reduktuar vlerën e dhënë të subvencioneve për ndërmarrjen “Trepça”, por këtë reduktim të subvencioneve ajo e ka zëvendësuar me shitjen e mbetjeve të deponuara në PIM, prandaj afarizmi i ndërmarrjes që nga vitin 2008 e deri më sot kryesisht ka qenë i varur nga shitja e mbetjeve dhe nga prodhimi i realizuar. Deri me zgjedhjen e drejtorit Ibrahimi “Trepça” është menaxhuar nga ushtrues të detyrës, të cilët ishin përpjekur ta bëjnë një organizimi të ri, duke i kushtuar vëmendje të veçantë rritjes së prodhimit, sistematizimit të kuadrove në pozitat më të rëndësishme të ndërmarrjes, me qëllim të ngritjes së produktivitetit. Tani kur në krye të “Trepçës” ka ardhur Basri Ibrahimi mendohet se ajo do të kthehet aty ku realisht e ka vendin, shkruan sot gazeta Zëri.

 Dimkiq nuk e njeh ligjin

Problemin më të madh, përveç vështirësive financiare, “Trepça” e ka me pjesën veriore të saj, e cila udhëhiqet nga serbët.

Drejtori menaxhues i “Trepçës” në veri, Jovan Dimkiq, vazhdojë të mos e njohë as Ligjin për “Trepçën” e as statutin e saj për një “Trepçë” që udhëhiqet nga një bord, ku do të jenë edhe serbët. Në Bordin e “Trepçës” u është lënë vendi përfaqësuesve serbë, por ata kanë refuzuar t’i dërgojnë emrat e serbëve.

Drejtorit të “Trepçës” në veri, Jovan Dimkiq, i ka kaluar mandati qe disa muaj, por ai ka vazhduar të menaxhojë me “Trepçën” në veri pa e përfillur rekomandimin nga jugu për zgjedhjen e drejtorit të ri. Dimkiq tani ka vendosur që t’i qesë në shitje 10.000 tonë zink, nga minierat e Cernacit dhe Bellobërdos në veri. “Trepça” në veri ka shpallur tender për shitjen e 10 mijë tonëve të koncentratit të zinkut, që prodhohet në dy minierat në veri, që është përpunuar në Fabrikën e Flotacionit në Leposaviq.

Shitja e zinkut sipas tenderit, që do të mbetet i hapur 90 ditë, bëhet me dollarë, duke u bazuar në bursën e “London Metal Exchanga”. Vlera e parashikuar e kontratës është 9 milionë dollarë, ose 8.005.680.00 euro. Sipas kontratës, ofertuesit e interesuar mund t’i marrin mostrat nga prodhimi aktual, ndërsa është konstatuar se përbërja mesatare e pritshme për Zn në një koncentrat zinku është 48 për qind. Për këtë tender drejtori i “Trepçës –Veri”, Jovan Dimiq, nuk është konsultuar fare me “Trepçën – Jug”, respektivisht me Bordin Mbikëqyrës të “Trepçës”.

Dimkiq njihet edhe për keqpërdorime të shumta gjatë punës menaxheriale të tij. Prokuroria e Mitrovicës ka akuzuar Dimkiqin dhe Milenkoviqin se duke ushtruar detyrën zyrtare kanë dëmtuar kombinatin “Trepça-Veri”, duke ia dhënë Kishës Serbe 17.428 kilogramë plumb të rafinuar në vlerë prej 25.752.44 eurove. Ata kishin lidhur kontrata me përfaqësuesin e Kishës Ortodokse Serbe, Milija Arsoviq, përmes firmës “Dinamic Trade”, që ka bartur plumbin për ta përpunuar në Shabac të Serbisë e pastaj është ndaluar nga Dogana në Mitrovicë. //ZERI