Zvarritet funksionalizimi i ujësjellësit 16-milionësh

Zvarritet funksionalizimi i ujësjellësit 16-milionësh

Ekonomia korrik 12, 2019 - 08:07
Lexoni detajet
Image

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën Marko Gjuriq patën siguruar serbët e veriut të Kosovës se ujësjellësi rajonal për komunat veriore, i ndërtuar në Zubin Potok, për të cilin Serbia ka investuar 16 milionë euro, do të jetë funksional për “Vidovdan”-in, por punimet ende nuk kanë përfunduar. Banorët e veriut dyshojnë se është lëshuar në punë ujësjellësi rajonal për komunat veriore, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën Marko Gjuriq gjatë një takimi që kanë pasur me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës i patën siguruar ata se veriu i Kosovës nuk do të varet më nga jugu për t’u furnizuar me ujë të pijshëm, duke garantuar se për “Vidovdan” (28 qershor) ujësjellësi rajonal i ndërtuar në Zubin Potok do të jetë i gatshëm.

LEXO EDHE: LDK-ja zgjedh së shpejti kryetarin, kandidatët mbeten sekretë

“Furnizimi me ujë i qytetarëve të Zubin Potokut, të Mitrovicës së Veriut dhe të Zveçanit nuk do të varet më as nga kapaciteti e as nga vullneti i mirë i shqiptarëve, sepse ujin në të ardhmen do ta marrin nga ujësjellësi i ri rajonal në Ujman (Gazivoda), e kurrsesi nga fabrika për përpunimin e ujit në jug të Mitrovicës”, patën siguruar Vuçiq e Gjuriq.

Madje Gjuriq në ditën kur shënohej “Vidovdan”-i në Gazimestan kishte shkuar në Zubin Potok, por nuk e kishte prerë shiritin e përurimit të ujësjellësit, gjë që pritej me padurim nga serbët e veriut, por vetëm pati deklaruar se ka mbetur edhe pak punë për ta shtrirë edhe rrjetin e ujësjellësit.

Furnizohen nga jugu

Dy komunat veriore, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani, edhe më tutje furnizohen me ujë nga fabrika për përpunimin e ujit në Shipol të Mitrovicës. Këtë e kanë konfirmuar për “Zërin" në Ujësjellësin Rajonal Mitrovica në jug, duke shtuar se rregullisht u dërgohet ujë banorëve të Mitrovicës së Veriut dhe të Zveçanit, ndonëse ata nuk paguajnë për ujin e harxhuar. Se projekti i ujësjellësit rajonal për komunat veriore në Zubin Potok ende nuk ka përfunduar e thotë tërthorazi edhe kryetari i Zubin Potokut, Serxhan Vulloviq.

“Mund të thuhet se ujësjellësi rajonal është kryer. Në këtë mënyrë zgjidhet problemi i shumë dekadave i banorëve të Zubin Potokut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit. Uji për pije ka arritur deri në Mitrovicën e Veriut, në Zveçan dhe në Zubin Potok, ndërsa shumë shpejt do të startohet me furnizimin e përhershëm të qytetarëve me ujë të pijshëm”, ka thënë Vulloviq, i cili ka precizuar se kapaciteti i ujësjellësit është prej 150 deri 200 metrash kub ujë në minutë. Vulloviq përsëriti se shumë herë furnizimi me ujë është varur nga vullneti i shqiptarëve.

“Deri më tani veriu i Mitrovicës dhe Zveçani janë furnizuar me ujë nga ujësjellësi në Shipol, lagje në jug të Mitrovicës, e për shkak të rrjedhës jo të qëndrueshme nga jugu, me dekada banorët e komunave veriore kanë pasur probleme për t’u furnizuar me ujë të pijshëm. Para disa ditëve kemi pasur ndërprerje 24 orë, askush nuk e di për çfarë arsye është ndërprerë, ndoshta ka pasur ndonjë prishje, ndoshta jo. Me shqiptarët kemi komunikim dhe bashkëpunim shumë të keq”, thotë Vulloviq.

Ai ripërsëriti se ujësjellësi rajonal për komunat veriore ka filluar të ndërtohet në vitin 2011, kur ishin siguruar rreth 9 milionë euro kredi nga banka, por punët kishin ngecur, për shkak se siç thotë ai, “të shkaqeve subjektive, duke përfshirë edhe faktin se ishte i projektuar keq”.

“Me ndërtimin e ujësjellësi është rifilluar në vitin 2015, duke iu falënderuar presidentit Vuçiq, i cili është përkujdesur që të sigurohen edhe 6 milionë euro shtesë. Fabrika për përpunimin e ujit ndodhet në Gazivodë, jo fort larg digës së liqenit, në komunën e Zubin Potokut, ndërsa nga aty shkon sistemi i gypave deri në veri të Mitrovicës, në gjatësi prej 25 kilometrash. Në kuadër të rrjetit të ri të ujësjellësit është edhe stacioni në fshatin Jagnjenica, ndërsa është shpuar bjeshka për të kaluar gypat në gjatësi prej 920 metrash”, thotë Vulloviq.

Të pakënaqur me rrjedhjen e punëve

Në anën tjetër banorët e veriut janë të pakënaqur me rrjedhën e deritashme të punëve në ndërtimin e ujësjellësit rajonal për komunat veriore, madje edhe dyshojnë se punët janë kryer. Jovan Iliq nga Mitrovica Veriore ka pyetur nëse ujësjellësi është funksional, pasi atij nuk i është prerë shiriti.

“A është vërtet ujësjellësi funksional, sepse në TV nuk është treguar publikisht lëshimi në punë i tij. Për ç’arsye nuk i është prerë shiriti në prani të drejtorit të Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq?. Ujë po vjen, por nuk po dihet se nga po vjen, nga jugu sikur deri më tani, apo nga ujësjellësi i ri? Ne dyshojmë se është lëshuar në punë ujësjellësi në Zubin Potok”, ka pyetur ai, ndërsa nuk ka marrë përgjigje.

Historia e ndërtimit të ujësjellësit rajonal për komunat veriore në Zubin Potok zgjati mbi 8 vjet dhe ende nuk ka përfunduar, ndonëse vazhdimisht zyrtarët serbë flasin për të kundërtën.

Zyra e BE-së në Kosovës në vitin 2011 pati financuar projektin për zgjerimin e kapaciteteve të fabrikës për përpunimin e ujit në Shipol dhe për ndërtimin e ujësjellësit, me të cilin do të sigurohej furnizim me ujë edhe për pjesën veriore të Mitrovicës dhe për Zveçanin.

Por atëherë drejtuesit e komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok, nuk kishin pranuar që të kyçen në gypat e ujësjellësit nga jugu, por kishin vendosur të ndërtojnë një ujësjellës të vetin për komunat veriore.

Për realizimin e projektit tri komunat e veriut, Mitrovica, Zveçani dhe Zubin Potoku, kishin marrë 9 milionë euro kredi te “Hypo Alpe Adria Banke”, për të cilin ka garantuar Republika e Serbisë.

Punët në ndërtimin e ujësjellësit i ishin besuar konsorciumit në të cilin marrin pjesë kompanitë “Dinamik Trade” dhe “PGP Kolashin”, të cilat me zvarritjen e punëve nuk kanë arritur të bëjnë asgjë, ndërsa në një raport të Këshillit Anketues të formuar nga Kuvendi i Serbisë janë keqpërdorur mjetet nga buxheti i Serbisë të dedikuar për të rrezikuarit në Kosovë. Këto dy kompani përmenden për keqpërdorimin dhe për harxhimin e mjeteve të shtetit të Serbisë në territorin e Kosovës. Konsorciumin e ndërmarrjeve që janë angazhuar për ndërtimin e ujësjellësit në veri, përveç “Dinamik Trade” dhe “PGP Kolashin”, e përbëjnë edhe kompanitë “MPP Jedinstvo AD Sevojno” dhe “RDA Grupa” nga Bori. Këtyre kompanive para se të fillojnë me realizimin e projektit u është paguar avanca prej 40 për qind ose 4.2 milionë euro.

Tenderi për projektin është shpallur gjatë mandatit të kryeministrit Ivica Daçiq, ndërsa në aktin e nënshkrimit të kontratës ka prezantuar edhe drejtori i atëhershëm i Zyrës Serbe për Kosovën, Aleksandar Vulin.

Se projekti i ujësjellësit për veriun e Kosovës ka përfunduar e thotë edhe kryetari paralel i Mitrovicës së Veriut, Aleksandar Spiriq.

“Tanimë të gjitha punët kanë përfunduar dhe ujësjellësi është i gatshëm për t’i furnizuar banorët e pjesës veriore me ujë të pijshëm. Republika e Serbisë i ka dhënë edhe 6 milionë tjera dhe kjo ka bërë që banorët e veriut këtë verë të kenë ujë të bollshëm për pije dhe se më nuk do të varemi nga jugu”, siguron kryetari i të ashtuquajturit Organ i Përkohshëm i Mitrovicës së Veriut, Aleksandar Spiriq.