Tender prej 1.7 milion eurosh për ndërtimin e dy shkollave

Tender prej 1.7 milion eurosh për ndërtimin e dy shkollave

Ekonomia July 11, 2019 - 08:18
Lexo Detajet
Image

Ministria e Arsimit ka publikuar tenderin prej 1.7 milion eurosh për ndërtimin e një shkolle fillore në qytetin e Podujevës, si dhe për ndërtimin e një shkolle profesionale në komunën e Ferizajt, shkruan gazeta "Zëri".

Hiç më pak se 1.7 milion euro do t’i shpenzojë Ministria e Arsimit për ndërtimin e një shkolle fillore në qytetin e Podujevës, si dhe për ndërtimin e një shkolle profesionale në komunën e Ferizajt.

LEXO EDHE: Përplasje brenda koalicionit, zyrtarë të PAN-it kërkojnë zgjedhje

Në njoftimin e publikuar në platformën elektronike të prokurimit thuhet se operatorët ekonomik, të cilët dëshirojnë të aplikojnë në këtë proces të prokurimit duhet t’i ofrojnë dëshmi të kënaqshme autoritetit kontraktues se qarkullimi vjetor i operatorit ekonomik gjatë tre vjetëve të shkuara nga data e publikimit të njoftimit duhet të jetë jo më pak se 1.8 milion euro për lotin e parë, si dhe 1.6 milion euro për lotin e dytë. 

“Në rast se operatori ekonomik dorëzon tender për dy ose më shumë pjesë (lote), shuma totale e qarkullimit financiar që kërkohet për lotet për të cilat ai konkurron duhet të përmbushet nga OE-ja. Për shembull, nëse qarkullimi i kërkuar për lotin 1 është 1.800,000,00 dhe për lot 2 është 1.600,000,00, atëherë kërkesa minimale e qarkullimit e cila duhet të përmbushet nga OE-ja është 3,600,000.00. Nëse ky kriter nuk plotësohet në këtë formë OE-ja do të eliminohet nga të gjitha lotet, pavarësisht se ai plotëson kushtet vetëm për një lot të caktuar. Në rast të grupit, për të gjitha lotet udhëheqësi duhet t’i ketë së paku 60% të shumës së kërkuar për punë të ngjashme të realizuara në 3 vjetët e fundit”, thuhet në njoftimin e publikuar.

Aty më tutje po ashtu thuhet se OE-ja që aplikon në këtë proces të prokurimit duhet të ketë kapital të mjaftueshëm për realizimin e kontratës, mjete të gatshme në llogari, mbështetje nga banka ose qasje në kredi nga banka për të gjitha lotet. Për lotin e parë duhet t’i ketë 300 mijë euro, derisa për lotin e dytë duhet t’i ketë 200 mijë euro. Po ashtu më tutje thuhet se menaxheri i projektit për këtë proces të prokurimit duhet të jetë inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë ose i arkitekturës me 3 vjet përvojë punë pas diplomimit. Ai po ashtu duhet të ketë dëshmi se ka menaxhuar së paku dy projekte nga lëmi i kërkuar. Po ashtu më tutje thuhet se operatori ekonomik duhet t’i përmbushë kërkesat mbi përshtatshmërinë në pajtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik në Kosovë. Po ashtu kompania duhet ta ketë vërtetimin nga Administrata Tatimore, i cili dëshmon se nuk është me vonesë për pagimin e tatimeve së paku deri në tremujorin e fundit përpara dorëzimit të tenderit. Po ashtu OE-ja duhet të ketë vërtetimin nga Gjykata Themelore - një formular ekstrakt nga “Regjistri gjyqësor” ose në mungesë të kësaj një dokument ekuivalent, të lëshuar nga një autoritet kompetent gjyqësor ose administrativ të shtetit të themelimit të tenderuesit./ZERI