Shqiptarët kërkojnë shkollë në 'Lagjen e Boshnjakëve'
Foto: Laura Hasani

Shqiptarët kërkojnë shkollë në 'Lagjen e Boshnjakëve'

Ekonomia June 22, 2019 - 08:18
Lexo tjera detaje
Image
.

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, Bashkim Cimili, ka kërkuar që në kornizën afatmesme buxhetore të përfshihet edhe projekti i rindërtimit të xhamisë së Ibrit, i ndërtuar në vitet 1771-1772, por që është djegur në luftë. Buxheti i Mitrovicës së Veriut për vitin 2020 është 6.3 milionë euro, shkruan gazeta "Zëri".

Kuvendi i Mitrovicës së Veriut ka diskutuar për projektbuxhetin e vitit 2020 në seancën e 15 të Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, në të cilën është betuar kryetari i ri (i vjetër) Goran Rakiq. Menjëherë pas betimit, Rakiq ka emëruar kryetarin paralel të Mitrovicës së Veriut, Aleksandër Spiriq, për zëvendës të tij.

Është diskutuar edhe për mënyrën e emërimit të dy nënkryetarëve nga komunitetet pakicë, shqiptar e boshnjak. Rakiq ka thënë se ata emërohen nga kryetari, i cili edhe i shkarkon në rast nevoje. Rakiq është ankuar në Ministrinë e Financave të Republikës së Kosovës për siç tha ai, “që buxheti për Mitrovicën e Veriut ndahet për 12.326 banorë e jo në bazë të numrit të banorëve të Mitrovicës së Veriut e që është 22.240 banorë”. Këtë shifër Rakiq e bazon në listat e votuesve të Mitrovicës së Veriut në zgjedhjet e fundit për kryetar të komunës veriore. Ai ka precizuar se me qarkoren buxhetore të Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës buxheti i Komunës Veriore të Mitrovicës për vitin 2020 është 6.293.732 euro, derisa buxheti i vitit 2019 është 6.042.381 euro.

Buxheti nuk është në pajtim me numrin e banorëve

Sipas tij, buxheti nuk është në pajtim me numrin e banorëve dhe me nevojat e qytetarëve. “Si zakonisht për çdo vit pranojmë qarkoren buxhetore nga Ministria e Financave. Përsëris se ky buxhet nuk është as një e dhjeta e nevojave të Komunës Veriore të Mitrovicës”, ka thënë Rakiqi, i cili është përkrahur nga asamblistët serbë në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut.

17 asamblistë, nga 19 sa ka Kuvendit i Mitrovicës së Veriut, në marrëveshje me kryetarin Rakiq, me ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal Adriana Hoxhiq, e cila merrte pjesë në seancë, me kryesuesin e Kuvendit dhe me përfaqësuesin e grupeve të asamblistëve kanë marrë vendim t’i dërgojnë kërkesë ministrit të Financave për ndryshimin e parametrave dhe të formulës për caktimin e buxhetit. “I nderuari Hamza, në seancën e 15-të të Kuvendit të Mitrovicës së Veriut është shqyrtuar qarkorja buxhetore për vitin 2020, ku sërish kemi konstatuar se një nga parametrat kryesorë për ndarjen e mjeteve buxhetore numri i banorëve të Mitrovicës së Veriut prej 12.326 është joreal. Ju lusim ta merrni për bazë se në zgjedhjet që janë mbajtur më 19 maj është shfrytëzuar lista e votuesve, në të cilën gjendën 22.240 qytetarë me të drejtë vote. Kuvendi i Mitrovicës së Veriut ka marrë vendim me të cilin insiston që si parametër dhe formulë për ndarjen e buxhetit të merret kjo shifër, e cila është përdorur në procesin zgjedhor, ndonëse as kjo shifër nuk është masë, pasi nuk janë përfshirë personat e mitur. Shpresojmë që këtë kërkesë ta miratoni dhe se do ta njoftoni para afatit për miratimin e buxhetit (30 shtator 2019)”, thuhet mes tjerash në kërkesën që kuvendarët e Mitrovicës së Veriut ia kanë dërguar ministrit të Financave, Bedri Hamzës.

Në anën tjetër zëvendëskryesuesi i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, Bashkim Cimili, ka kërkuar që në kornizën afatmesme buxhetore të përfshihen edhe dy projekte, njëri për ndërtimin e një shkolle për nxënësit shqiptarë në “Lagjen e Boshnjakëve” dhe tjetri për rindërtimin e xhamisë së Ibrit, e cila është djegur dhe është rrënuar gjatë luftës në cep të urës nga pjesa veriore.

E nevojshme ndërtimi i shkollës

“Korniza afatmesme buxhetore është njëri ndër dokumentet më të rëndësishme që përcakton linjat dhe kufijtë e shpenzimeve dhe të investimeve në tre vjetët e ardhshme dhe kjo shërben si dokument bazë për buxhetet vjetore, ku përmes këtij dokumenti orientohen edhe prioritetet e qeverisjes lokale. Këtu e tutje e shohim se cila është e ardhmja e investimeve publike, çfarë do të jetë vëmendja e Komunës ndaj kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, këtu po ashtu shihen edhe kapacitetet planifikuese të qeverisjes aktuale.

Rrjedhimisht, planifikimi buxhetor afatmesëm do të duhej të reflektonte objektivat dhe prioritetet zhvillimore të Komunës, përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët, të arsimit, shërbime më të mira shëndetësore, mbrojtjen e mjedisit, ngjalljen e kulturës dhe mbi të gjitha zhvillimin ekonomik lokal. Duke e pasur parasysh këtë, unë si zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal - Mitrovica Veriore kam trajtuar me kujdes këtë dokument. Duke u nisur edhe nga nevojat dhe nga kërkesat e qytetarëve kam bërë propozime që janë në interes të qytetit dhe të qytetarëve te saj”, ka thënë Cimili.

Ai ka propozuar që në kornizën afatmesme buxhetore të përfshihen: “Projektimi dhe ndërtimi i një shkolle fillore në ‘Lagjen e Boshnjakëve’, ku mësimin do të vijojnë shqiptarët dhe boshnjakët, të cilët tanimë dihet që mësimet i vijojnë në anën tjetër të lumit Ibër, pra ne shkollën fillore ‘Eqrem Çabej’ dhe në shkolla tjera të qytetit në jug. Duke marrë parasysh gjendjen e komunës sonë dhe nevojat e fëmijëve konsideroj se ndërtimi i një shkolle fillore është e nevojshme, duke u bazuar ne problemet që fëmijët i kanë. Unë kam pasur kontakte me zyrtarë të shkollave fillore në jug të Mitrovicës dhe kemi biseduar lidhur me numrin e nxënësve të cilët vijojnë mësimet në anën tjetër të qytetit dhe kam marrë përgjigjen se janë rreth 230 fëmijë, të cilët vijojnë mësimin nëpër shkolla në jug të Mitrovicës”, ka sqaruar Cimili.

Ai ka shtuar se është kërkesë e komunitetit mysliman rindërtimi i xhamisë së Ibrit. “Edhe sa i përket rindërtimit të xhamisë së Ibrit, ka shumë kërkesa nga komuniteti mysliman për rindërtimin e kësaj xhamie. Xhamia, e cila është ndërtuar në mes të viteve 1771-1772 i ka bërë ballë të gjitha furtunave deri 16 prill të vitit 1999, kur edhe është djegur dhe është rrënuar”, ka konstatuar zëvendëskryesuesi i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, Bashkim Cimili./ZËRI