Oda Amerikane thërret institucionet të ndalojnë praktikat jo të drejta afariste

Oda Amerikane thërret institucionet të ndalojnë praktikat jo të drejta afariste

Ekonomia June 21, 2019 - 13:52
Lexoni detajet

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thotë për institucionet e Kosovës se Kushtetuta parasheh një rend ekonomik i cili bazohet në ekonominë e tregut me konkurrencë të lirë.

“Oda Amerikane shpreh shqetësimin e saj lidhur me monopolin në homologimin e automjeteve, që pengon konkurrencën, promovon praktikat e padrejta të ofrimit të shërbimeve dhe rrit shpenzimet e bizneseve dhe qytetarëve. Të pasurit e një operatori të vetëm të homologimit pengon konkurrencën e lirë, e rrjedhimisht edhe efikasitetin që do të rezultonte nga ofrimi i shërbimit nga më shumë operatorë, si në aspekt të shmangies së çmimeve të larta, por edhe të rritjes së disponueshmërisë së shërbimeve të diversifikuara për publikun. Sistemi aktual i homologimit të automjeteve pengon lirinë e ofrimit të shërbimeve, e cila ka për efekt ndëshkimin e konsumatorëve me shpenzime shtesë logjistike nga marrja e shërbimit në një lokacion të vetëm.

Sipas kësaj Ode për shumë vite institucionet e shtetit kanë ushtruar trajtim të favorizuar për ndërmarrjet publike.

“Oda Amerikane përsërit qëndrimin e saj se ndërmarrjet publike në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si “autoritete publike”, meqë Ligji për Ndërmarrjet Publike qartazi parasheh se këto ndërmarrje, pa përjashtim, u nënshtrohen ligjeve, rregulloreve dhe akteve nënligjore, të cilat rregullojnë organizatat e bizneseve private, prandaj blerja e shërbimeve të tyre nga autoritetet kontraktuese përmes “dispozitave të prokurimit brenda shtëpisë” duhet të ndërpritet meqë cenon konkurrencën e lire”, thonë nga Oda Ekonomike Amerikane.

Në fund, Oda Ekonomike Amerikane thekson se pengimi i konkurrencës së lirë përbën shkelje të dispozitave kushtetuese, të cilat në mënyrë eksplicite ndalojnë praktikat që kufizojnë konkurrencën e lirë dhe abuzimin me pozitën dominuese.